e hënë, 22 shtator 2008

Juve-Inter, rikthehet dueli

Dueli ose siç është quajtur ndër vite derbi i Italisë ndërmjet Interit e Juventusit është rindezur përsëri pas dy vitesh. Bardhezinjtë e drejtuar nga Claudio Ranieri dhe zikaltrit e Jose Mourinhos janë dy skuadrat që nga pasditja e djeshme kanë marrë të vetme kryesimin e Serisë A me nga shtatë pikë, dy fitore dhe një barazim. Juventusi arrin një fitore të vuajtur në transfertën e Cagliarit, përsëri falë një goli të vetëm të shënuar nga braziliani Amauri, i cili ashtu si në sfidën e javës së kaluar ndaj Udineses konfirmohet vendimtar. Po ashtu, edhe Interi ka triumfuar në transfertë ndaj Torinos së Gianni De Biasit me rezultatin 3-1, falë një autogoli të Pizanos, një eurogoli të mbrojtësit brazilian Maicon dhe liderit të këtij formacioni, suedezit Zlatan Ibrahimovic. Përveç këtyre dy formacioneve, suksese të rëndësishme ka arritur edhe Fiorentina e trajnerit Cesare Prandellit, ku përsëri vendimtar për vjollcët ka qenë goli i vetëm i ish-sulmuesit të Milanit, Alberto Gilardino. Po ashtu, edhe Palermo me dy fitoret radhazi të regjistruara në javën e kaluar kundër Romës dhe pasditen e djeshme kundër Genoas së Gasperinit me rezultatin 2-1 renditet menjëherë pas dy kryesueseve,Interit dhe Juventusit me gjashtë pikë. Ndërkohë, të gjitha sfidat e tjera të zhvilluara kanë përfunduar në barazim. Sampdoria ndalet në shtëpi në një barazim ndaj Chievos në shifrat 1-1. Franceskini kalon në avantazh skuadrën e Mazarrit në minutën e 49-të, ndërkohë që vetëm dy minuta më pas Langella barazon shifrat. Lecce-Siena ka përfunduar me të njëjtin rezultat si më lartë, 1-1. Bardhezinjtë e Giampaolos kalojnë të parët në avantazh me Ficagnan, por Casserta, vendimtar edhe në ndeshjen e javës së kaluar ndaj Kievos i dhuron një pikë shumë të vlefshme skuadrës së tij. Një sfidë interesante zhvillohej në “Friuli” të Udines, ndërmjet vendësve dhe Napolit të Edi Rejas, por në përfundim të 90 minutave, skuadrat kanë qenë të kënaqura me nga një pikë, në një ndeshje pa shumë emocione dhe me rrjeta të paprekura.

Nuk ka komente: