e martë, 30 shtator 2008

Juventusi, sulmi pa ide dhe fantazi

Ranieri duhet ta zgjidhë paradoksin e bardhezinjve. Është Amauri, por shënohet më pak se një vit më parë.
Ka një paradoks të madh te Juventusi i këtij viti. Kishte dyshen më të mirë sulmuese në kampionatin e shkuar, e forcoi sulmin këtë verë, duke investuar 23 milionë euro për Amaurin, por shënon më pak se një vit më parë. Shumë më pak: 4 gola kundrejt 14 në 5 javët e para të Kampionatit 2007-2008. Për të gjetur një bilanc edhe më të dobët, duhet shkuar edhe më pas, thuajse 30 vjet, më 1880-n. Është pastaj një paradoks më i vogël, që bën të përfshihet edhe tjetri. Para ndeshjes me Sampdorian, Ranieri tha se lajmi më i mirë për të ishte rikthimi i Camoranesit, mungesa e të cilit në dy ndeshjet paraardhëse ishte “e rëndësishme”. Jo shumë për aftësitë e tij shënuese, por “sepse Mauroja afron pasime dhe krijon hapësira në lojë”. Mirë pra, në Gjenovë me të në fushë, Juvja nuk shënoi asnjë gol. Problemi është pikërisht ky: loja që kalon vetëm nga këmbët e Camoranesit. Pa fantazitë e tij, gjithçka dështon. Por nëse ndalon edhe Amauri, autor i 3 nga 4 golat në kampionat, një barazim 0-0, si ai në “Marrassi”, do të thotë shumë: i vetmi rast për gol, shtylla e Del Pieros, u nis nga këmbët e Sissokos. Në ndërtimin e skuadrës së këtij viti, te Juvja e dinte se do t’ua besonte lojën 3-4 lojtarëve delikatë, për moshë dhe histori muskulore: Camoranesi, Nedved, Del Piero e Cristiano Zanetti. Pra, problemi është në mesfushë, jo në sulm. Pikërisht në këtë repart, ndihet mungesa e rëndë e David Trezeguet, por, me këtë shterpësi rastesh, do të lodhej të shënonte edhe një specialist si ai. Megjithatë, zgjedhjet janë mëse të vlefshme. Drejtimi i një “parku” sulmuesish kaq të madh, është një problem fals ose, është vetëm për Ranierin që, sigurisht bën ndonjë zgjedhje dhe gabim. Në të vërtetë, zgjidhja është pikërisht aty, siç e tregoi qartë rezultati kundër Catanias: thuajse të gjitha topat për gol i prodhoi Sebastian Giovinco. Duke parë karaktaristikat e Juves dhe gjendjen e lojtarëve krijues në këtë fazë, një si Giovinco do të ishte i vlefshëm, ndonëse prania e tij në fushë sjell ndryshime taktike.

Nuk ka komente: