e mërkurë, 17 shtator 2008

Camoranesi: Jemi gati për çdo veprimtari!

Italo-argjentinasi mezi pret të kthehet të luajë në Champions kundër rusëve të Zenitit.

Njeriu kyç, për të hapur mbrojtjet kundërshtare, jo vetëm me Juventusin, por edhe me “axurrët” e Lipit, është Mauro German Camoranesi, lojtari plus i këtij Juventusi, që po nxiton ta sfidojë Europën, një objektiv i deklaruar. Dy vjet shterpësi ua kanë shtuar urinë e Championsit dhe mbrëmjet magjike. Dritat për Camoranesin me shokë u shuan në çerekfinalen ndaj Arsenalit dhe, pak muaj më parë, me pezullimin dhe zbritjen në Serinë B. “Nedvedi dhe unë vuajtëm më shumë nga të gjithë, nuk ishte e lehtë t’i shihnim të tjerët nga televizori, - tregon italo-argjentinasi. - Kaluam nga Championsi, duke luajtur në disa fusha “të baltosura” të Serisë B. Kundër Zenitit do të jetë një mbrëmje spektakolare për ata që e ëndërrojnë vitrinën europiane me fanellën e kombëtares së tyre.” Për sa i takon rotacionit në skuadër, mesfushori 32-vjeçar as që mendon. Kombëtarja, Udinese, Zeniti dhe pastaj kush e di! “Derisa vrapoj, nuk e shoh të arsyeshme se pse duhet të vrapoj, - qesh ai. - Pastaj, kundër rusëve duhet vrap dhe përqendrim, do të jetë e vështirë. Është në grup i vështirë, por duam të shkojmë para sa më shumë të jetë e mundur, në të gjitha veprimtaritë.” Presidenti Coboli Gigli beson te titulli, “por edhe një jetë të gjatë në Ligën e Kampioneve”. Camoranesi, i mësuar të thotë gjithnjë atë që mendon, nuk flet para kohe: “Në krahasim me sezonin e shkuar, kemi ndonjë lojtar cilësor më shumë, i kemi letrat në rregull dhe forcën për të provuar të arrijmë çdo objektiv. Por, të arrish deri në fund, varet nga shumë gjëra. Nuk është rastësi që në të shkuarën, me një skuadër më të fortë se kjo, nuk kemi arritur të kualifikohemi as në gjysmëfinale”.

Nuk ka komente: