e diel, 21 shtator 2008

Del Piero premton kapriola të tjera


Kapiteni juventin feston fitoren në Champions ndaj Zenitit: Tani dua të luaj gjithnjë dhe të pushoj më pak!
“Dashuria ka rëndësi!” Fjalët e kësaj kënge qëndrojnë të gjitha si një goditje standarde. Vjen pas 76 minutash, kur kronometri regjistron një mbrëmje me vuajtje njerëzore dhe e çliron nga diçka që kishte brenda prej dy vitesh. Mbrëmje luftarake ishte ajo e Alessandro Del Pieros. Goli, që vlen një fitore, është i tij. Është një goditje standarde, që fluturon në mënyrë të paparashikueshme, si erë vjeshte. Aleksi godet nga 37 metra, shënon, driblon shokët dhe bën kapriolën. Po, bën edhe një kapriolë dhe pastaj nxjerr gjuhën, si zakonisht, atë të festës. Ndërsa përqafimi i shokëve sa vjen e shtohet, Ale vazhdon të godasë me dorë në zemër. Pastaj ndalon, shikon dhe lëshon një puthje drejt tribunës së tifozëve. Ky është shpirti i Juventusit. Kështu, në moshën 33-vjeçare dhe pas 40 golash (në kupën që vlen Europën e madhe), djaloshi nga San Vendemiano arrin akoma të emocionohet. Ndodh kur tregon atë që bëri ndaj Zenitit: “Shkëlqyeshëm, shkëlqyeshëm, shkëlqyeshëm! Është një gol që e çmon paraqitjen tonë. Është një fitore e madhe, ishte e rëndësishme ta nisnim kështu dhe e bëmë kundër një skuadre të madhe!”. Kështu, mbrëmjen e rikthimit, kur kujtesa shkon tek ajo finale e 12 viteve më parë, kur Juvja e Del Pieros ngriti Championsin në qiell. Edhe atëherë finalja luhej në Romë. Më mirë të mos teprohet. Del Piero rikthehet ai që është: euforik, me dyshimin e arsyetimit: “Të mos vrapojmë shumë, të ecim hap pas hapi!”.
LUFTETARI - Aleksi i zgjidh, nuk i vështirëson gjërat, as nuk ndez polemika për tri minutat e luajtura kundër Udinezes. Mjaft me replika! “Mjaft, akoma me këtë histori?! Unë jam profesionist, dua vetëm të bëj detyrën time! Është e drejtë që Ranieri të bëjë zgjedhjet e tij; në organikë jemi katër sulmues të mëdhenj. Megjithatë, për mua s’ka problem të qëndroj në stol një herë në çdo 7-8 ndeshje (ndoshta që këtë të diel, për shkak të një problemi në gju). Me një sezon të gjatë nuk ka problem të luaj gjithnjë dhe të pushoj më pak. Kapriola, si Hugo Sanchesi? Ai (meksikani, ish-lojtari i Realit) është tërhequr nga futbolli, kështu që kapriolën do ta bëj unë.”
BUFFONI - “Një fitore sa një mijë të tilla dhe një fitore domethënëse.” Kështu e shpjegon edhe Gigi Buffon, i cili ndaj rusëve bëri dy pritje vendimtare. Ai nuk mendon shumë për pritjet, por flet vetëm me zemër: “Ia vlejti që qëndrova te Juventusi. Në këto dy vite kemi dhënë dashuri dhe kemi qenë të qetë. Një muaj pas fitores në Botëror me Italinë, e kisha të vështirë t’i besoja projektit të Juves, sepse karriera jonë nuk zgjat përjetë. Por tani jam i kënaqur. Tani, nëse e kalojmë turin, do të ishte një arritje e madhe, duke parë forcën e Zenitit dhe të kundërshtarëve të tjerë”. Edhe Gigi është një nga ata që kërcyen nga ferri në parajsë. Ashtu si të tjerët, ata që fituan Kupën e Botës dhe pastaj shkuan të luajnë në Serinë B. Mirë ata, që dinë të vuajnë. Mirë ata, që kanë parë një Del Piero të tillë. Ka duartrokitur edhe trajneri i kombëtares, Lippi, i ulur në tribunën e “Olimpicos”. I lumtur është edhe Lapo Elkann: “Një gol i bukur, një ndeshje e bukur, por shumë e vështirë”.

Nuk ka komente: