e shtunë, 26 prill 2008
Amauri: Juventino 91%
"Sa mundësi kam të shkoj te Juventusi? Presidenti im ka thënë 90%, unë shtoj dhe 1 dhe them 91%." Golashënuesi i Palermos bëri paksa shaka për mikrofonët e "Dejaay Football Club", por edhe realiteti s'është shumë ndryshe. Atë e duan disa skuadra të mëdha europiane, por Juvja duket se qëndron në vendin e parë, edhe pse në Angli, (Arsenali është gati t'i ofrojë një pagë prej 4 milionë eurosh në sezon), braziliani u pëlqen shumë disa ekipeve. "Pas gjithë asaj që kam kaluar, është një fitore e madhe vetëm fakti që shoh se, këto klube të mëdha janë të interesuara për mua. Eshtë një arsye për t'u ndier më krenar, - shpjegoi Amauri. ‑ Tani, në moshën 28-vjeçare, dua të provoj ç'do të thotë të dalësh në fushë për të fituar një kampionat apo një Champions dhe, besoj se, ky është momenti i duhur." Ai u shpreh i matur lidhur me të ardhmen e mundshme te bardhezinjtë, por, nëse do të shkojë me të vërtetë në Torino, do t'i duhet të luftojë, për një vend si titullar, me Trezeguet dhe Del Pieron. "Trezeguet është një sulmues i madh, ka shënuar mbi 20 gola deri tani. Nëse do të shkoj te Juvja, do të më duhet të jap maksimumin, për të merituar një fanellë si titullar. Ëndrra ime? Do të më pëlqente të fitoja kampionatin ose Championsin." Në Itali, ai ka filluar të shkëlqejë dy sezonet e fundit, falë kampionateve të mrekullueshme që ka zhvilluar me Palermon. "Më është dashur goxha kohë për të çarë, - pranoi Amauri, ‑ nuk kam luajtur me ndonjë ekip të njohur deri 19-vjeç, më pas erdha në Itali, për të luajtur në turneun e Viarexhios dhe më mori Napoli. Por në Palermo, ama, jam ndier si Zot. Ky qytet më dha atë që kisha nevojë për t'u bërë i rëndësishëm. Shkoj shumë mirë me tifozët, të cilët më kanë qëndruar mjaft pranë. Zamparini? Do të takohemi në fund të kampionatit, por në fillim të sezonit vetë presidenti më tha se, nëse do të kisha përsërituar sezonin e kaluar, zor se do të mund të më mbante." Nuk është vetëm Juvja, sepse edhe Milani e ndjek Amaurin, edhe pse bardhezinjtë duken në avantazh. "Milani është një skuadër e madhe, çdokujt do t'i pëlqente të luante atje." U mbyll duke folur për kombëtaren, Dunga vazhdon ta injorojë, ai do të marrë shpejt shtetësinë italiane dhe mund të bëhet një kamoranez i dytë, por sulmuesi frenon: "Është një dilemë, një histori e gjatë, por, nëse do të më thërrasë Dunga, do të shkoj me vrap."
Abonohu te:
Posto komente (Atom)
Nuk ka komente:
Posto një koment