Gigi Buffoni, kur mungojnë edhe katër ndeshje nga përfundimi i kampionatit, e sheh si të pamundur që Juventusi t'ia kalojë Romës dhe të dalë në vendin e dytë. Por portieri ka qenë gjithnjë më i maturi nga të gjithë në Torino, dhe në fund ka arritur deri aty sa të habitet mga kampionati i shkëlqyer i skuadrës së tij. Ndaj, dyshimi që në fjalët e tij të ketë edhe njëfarë oguri të mirë është legjitim. "Në Champions do të hyjmë në mënyrë indirekte, sepse Roma ndodhet shumë larg, - tha numri 1 i kombëtares italiane për Gianluca Vialin dhe Paolo Rossin, gjatë emisionit "Attenti a quei due" te Sky. - Ne e kemi arritur pozicionin më të përshtatshëm."
FITORJA NDAJ INTERIT - E megjithatë, Buffoni rrëfeu se nuk e priste "një Juve kaq të fortë. Mendoja se do të kishim pasur më shumë vështirësi, dhe se do të kishte qenë një arritje e madhe, edhe sikur të dilnim të katërtit". Por ja që Juvja arriti të fitojë edhe në fushën e Interit, "një kujtim i paharrueshëm për tifozët tanë, që duhet vendosur me kornizë mbi komodinë. Jam i bindur se ajo që kemi bërë ka qenë një ecuri e pabesueshme, por kjo nuk duhet të na krijojë iluzione".
JO RONALDINHOS - Tani që thuajse është kualifikuar në Champions, Gigi shpjegoi se Juvja ka nevojë për përforcime, që të konkurrojë në të dyja frontet. "Konkurrues jemi që tani, por, për sa kohë ke vetëm një objektiv për të arritur, edhe nëse nuk je në lartësinë e më të fortëve, mund të gjesh gjithnjë ndonjë forcë, të cilën mbase nuk e dije as vetë se e kishe. Ndërsa në momentin kur objektivat janë më shumë se një, duhet bërë një analizë e kujdesshme e skuadrës, si dhe duhet gjetur ndonjë përforcim. Unë nuk u jap këshilla drejtuesve, edhe pse ata janë shumë të zotë për të gabuar vetë, - qeshi Buffoni. - Me aftësitë e tyre ata kanë treguar se dinë të zgjedhin, dhe besoj se, në bashkëpunim me Ranierin, do të gjenden përforcimet më të mira." Të cilët, sipas Buffonit, nuk duhet të jenë domosdoshmërish kampionë të afirmuar: "Një lojtar si Ronaldinho do ta donte kushdo. Por lojtarë të tillë e shkruajnë historinë e një skuadre, nëse janë të stimuluar dhe nëse kanë dëshirë, sepse, në rast të kundërt, kthehen në problem".
PO DEL PIEROS - Ronaldinho nuk duhet, edhe sepse Juvja me siguri nuk vuan për talente: "Që nga nëntori e deri më sot Del Piero ka luajtur si një yll i vërtetë. Përveç golave, nga ana fizike është një nga ata që e marrin për dore skuadrën. Ky është viti më i mirë për të. A do ta merrja në Europian? Një Del Piero të tillë...! Edhe Casano është talent mbi normalen, por ai është mbi normalen për çdo gjë. E ka disi atë problem, edhe pse është djalë që nuk ke si të mos e duash".
e shtunë, 26 prill 2008
Abonohu te:
Posto komente (Atom)
Nuk ka komente:
Posto një koment