e shtunë, 26 prill 2008

Cobolli Gigli: Në Champions, falë Ranierit

Optimist për përfundimin e kampionatit, "nëse Torino na jep një ndihmesë ndaj Romës". Realist lidhur me merkaton, për sa i takon Amaurit dhe Flaminisë, "ne nuk marrim pjesë nëpër ankande", presidenti i Juves, Giovani Cobolli Gigli, i cili ndodhej në Alba për të marrë një çmim për "Zonjën" e tij, e humbi buzëqeshjen kur biseda në Teatrin Social kaloi te tema e "Calciopoli bis"-it: "Ne e kemi shlyer dënimin tonë". Tifozët bardhezinj nga salla kërkonin lajme për Juven e së ardhmes, atë të Championsit. "Do të ketë shumë italianë, sepse Juvja duhet t'i ruajë rrënjët e saj. Kemi skuadrën më të dashur nga italianët dhe është e drejtë që edhe jashtë Italisë të jetë imazhi i vendit tonë," theksoi presidenti, i cili më pas rrëfeu dashurinë e tij për natyrën: "Kam një shtëpi në Rocaverano, do të eci me motor nëpër rrugët e verës, mes vreshtave të rrushit". Në pritje të sprintit të fundit. "Shpresojmë të shkojmë në Champions pa sikletin e paraeliminatoreve, synojmë vendin e dytë dhe kushedi mbase na ndihmon disi edhe Torino ndaj Romës." Gjysmëfinalet e Championsit ai i ka parë në televizor. "Dhe kam kuptuar se Juvja është gati që tani. Falë Ranierit, kemi një skuadër me stil anglez dhe këtë e kemi treguar ndaj Interit, Milanit, Parmës dhe Atalantës." Milani duket se është fare pranë Flaminisë, ndërsa Juvja ndodhet më afër Amaurit. "Na interesojnë të dy lojtarët, por nuk marrim pjesë në ankande të mundshme dhe nuk i flakim tutje paratë. Flaminisë i mbaron kontrata, por kemi edhe emra të tjerë për mesfushën. Amauri na intereson dhe kemi hedhur themele të forta me Zamparinin për blerjen e tij." Duke iu kthyer "Calciopoli-t 2", Cobolli korrigjoi folësin: "Kemi fituar 29 tituj dhe në fushë. Ka 13 milionë tifozë të shqetësuar dhe jam gjithashtu paksa i shqetësuar edhe unë, sepse dikush po merret sërish me Juven jashtë mjediseve të futbollit. Gjykatës i kemi thënë se nuk kemi ndër mend të vazhdojmë t'i mbajmë ne përgjegjësitë e atyre që e kanë drejtuar klubin në të kaluarën: Juvja e ka paguar atë që kishte për të paguar".

Nuk ka komente: