Fjalët e lojtarit kanë qenë ato të përhershme, fjalë të rastit e të dëgjuara me qindra herë. Dhe po qindra herë të përgënjeshtruara nga faktet. E megjithatë, tani është pranuar se ka disa bisedime mes Juves dhe Palermos për transferimin e Amaurit në Torino. Kësaj here duket si të ishte gjithçka zyrtare: "Dy klubet janë duke biseduar për mua, mund të jetë realizimi i një ëndrre". Nuk ka çfarë të shtohet më, sepse çdo fjalë tjetër zor se mund të besohej, si për shembull: "Për momentin, mendoj vetëm të luaj. Jam i përqendruar vetëm te Palermo". Pra, e ardhmja e Amaurit është përcaktuar dhe fanella e tij e ardhshme do të jetë ajo bardhezi. Fjalët e konferencës së fundit për shtyp kanë qenë shumë të qarta: "Di se Juventusi është në bisedime me Palermon. Unë hëpërhë mendoj vetëm për këtë fanellë dhe të paraqitem sa më mirë këtu ku jam. Fakti që emri im përmendet pranë një skuadre të madhe është me të vëretetë një fitore e jashtëzakonshme për mua. Është ajo çfarë kam ëndërruar kur isha fëmi, diçka që më shpërblehet pas sakrificash të shumta, sidomos pas dëmtimit. Juventusi është me të vërtetë një skuadër e madhe me kampionë të shkëlqyer. Bardhezinjtë kanë një histori që është për t'u pasur zili, dhe unë ndihem i nderuar që emri im lidhet me atë të tyre". Por diplomacia është e detyrueshme dhe Amauri s'kishte si ta anashkalonte këtë rregull: "Por e përsëris se në këtë moment mendoj vetëm për Palermon. Këtu jam ndjerë gjithnjë si në shtëpi dhe tifozët po tregojnë vërtet shumë dashamirësi ndaj meje". Në fund mbërritën edhe urimet nga ato të tipit "sa shumë jemi dashur": "Shpresoj që Palermo vitin e ardhshëm të ketë më shumë fat, edhe sepse Zamparini ka garantuar se do të ndërtojë një skuadër edhe më të fortë".
JO VETËM AMAURI - JO VETËM AMAURI - Pasi e ka futur në binarët e duhur çështjen për qendërsulmuesin, Juventusi, gjatë mbledhjes të së martës ka shtruar mbi tryezën e Zamparinit edhe çështjen "Barzaglii", kapiteni i Palermos, që tani është edhe një pikë fikse e kombëtares italiane. Por marrja e qendërmbojtësit toskan kërkon një shumë të konsiderueshme parashë, të cilët Juvja mund t'i ketë vetëm nëse shkon në Ligën e Kampioneve. Por të bëjmë një përmbledhje. Golashënuesi brazilian mund të konsiderohet që tani si një lojtar i Juventusit 2008‑2009. Takimi mes presidentit të Palermos, Maurizio Zamparini, dhe drejtuesve juventinë Cobolli Gigli dhe Alessio Secco ka sjellë rezultatin që shpresonin dy palët. "Kemi lënë takim pas rreth një muaji," tha Zamparini në fund. Arsyeja e shtyrjes u shpjegua shpejt: më 18 maj përfundon kampionati dhe është e qartë se përpara asaj date do të jetë e pamundur të bëhen zyrtarizime. Arsyeja tjetër lidhet me lojtarët e propozuar në këmbim. Palermo, nga kjo çështje do të marrë dy lojtarë, mbase njërin në mënyrë të plotë dhe tjetrin në bashkëpronësi, por përpara se të zgjedhë duhet të hartojë strategjinë për të ardhmen, si dhe të shohë se cilat do të jenë nevojat që do të krijohen. Sakaq, është arritur marrëveshja për shifrën e çështjes, që do të sillet rreth 23 milionë eurove.
e enjte, 17 prill 2008
Abonohu te:
Posto komente (Atom)
Nuk ka komente:
Posto një koment