- E keni fjalën për vendin e dytë?
- Rezultatet arrihen kur synon gjëra të mëdha. Ky është parimi im! Për sa kohë matematika na e lejon, unë nuk e humbas besimin. Sigurisht, që kjo të ndodhë i bie ta humbasin skuadra të tjera, por ka ndodhur edhe më parë. Nuk më pëlqen t'u krijoj iluzione njerëzve, por dua t'i bëj të ëndërrojnë dhe më pas të punojmë që ëndrrat të bëhen realitet, edhe duke e ditur se është e vështirë.
- Si do ta përballojnë Interi dhe Roma sprintin e fundit për titull?
- Nuk dua të flas për ta. Por njëra kishte shumë pikë avantazh, ndërsa tani ka disi më pak dhe, nëse tjetra s'do ta kishte humbur derbin, do t'i qëndronte fare pranë. Katër pikë mund të jenë ende shumë, por duhet të dinë t'i administrojnë. Ne kemi shumë pikë më pak, por edhe tetë ndeshje për të luajtur, kundrejt 7 ndeshjeve të të tjerëve.
- Sa i qani 7 pikët e lëna ndaj tri skuadrave të fundit të renditjes?
- Shumë, sepse në këtë pikë mund të ishim edhe ne si Interi dhe Roma.
- Pak a shumë, 6 pikë i kanë lënë në Napoli dhe në Reggina, për shkak të gabimeve të arbitrave, apo jo?
- Të cilat, së bashku me dy pikët në Parmë, bëhen 8... Por jo, unë qaj vetëm gabimet tona, të tjerat hyjnë në rrjedhën logjike të lojës së futbollit. Madje, unë e prisja dhe ua thashë djemve që në fillim. Ishte fiziologjike që të ndodhnin disa gjëra të caktuara: kur kanë dyshime, nuk ngurrojnë të japin ndonjë karton apo ndonjë penallti kundra nesh, më lehtë se ç'ndodh me të tjerët.
- Në fillim të sezonit thoshit se kishit shumë kuriozitete. Pas nëntë muajsh, sa kurioz jeni ende?
- Shumë! Ambiciet ekzistonin, por më pas i justifikuam në fushë. Disniveli në krahasim me skuadrat më të forta më pas u ul ndjeshëm, falë një nisjeje të mirë dhe një pune efikase. Diferenca qëndron në faktin se Interi dhe Roma kanë fituar ndeshje edhe pa dhënë maksimumin, ndërsa ne jo. Juventusi duhet të japë gjithnjë maksimumin e mundshëm, sepse, përndryshe, barazon ose humbet. Kemi sulmin e dytë më të mirë të kampionatit.
- Kjo, falë edhe një sezoni të shkëlqyer të Del Pieros. A është më e vështirë ta administrosh, atë në krahasim me kampionë të tjerë?
- Kampionët janë gjithnjë të vështirë për t'u administruar. Trysnitë e shumta janë pjesë e lojës, më pas në një skuadër të madhe është normale. Por, përderisa nuk më shqetësojnë kjo ndodh sepse jam intelektualisht i ndershëm dhe, nëse e shoh diçka e bëj. Nuk kam paragjykime: luan kush është më mirë, kush ma plotëson mozaikun.
- Përse Iaquinta është më efikas kyr hyn nga stoli sesa kur është titullar?
- Nuk është e vërtetë! Nëse numërojmë minutat që ka luajtur, Vincenzo ka mesataren e golave më të lartë të sulmuesve tanë. Nuk e përfytyroja Del Pieron në rolin e Altafinit dhe nuk e shoh as atë në këto pozita. Ai nuk është sulmuesi i tretë i Juventusit dhe unë ndihem shumë i kënaqur për kampionatin që po zhvillon.
- Tiagon e kërkuat ju. Ju vjen të qortoni më shumë veten apo atë?
- Asnjërin nga të dy. E para e punës, blerjet janë kryer në marrëveshje me drejtuesit dhe më pas, kur kryhet një merkato e detyrueshme si e jona, është normale që dy apo tre elementë të mos japin atë që pritet prej tyre. Unë vazhdoj të mendoj se Tiago është lojtar i madh, dhe për këtë janë të bindur edhe shumë prej shokëve të tij, por askush nuk arrin ta shpjegojë se si ka mundësi që ndodhi kështu. Nga ana tjetër, as Shevenko, që ishte "Topi i Artë", mes shumë kampionësh nuk arriti ta bëjë te Chelsea atë që ka bërë te Milani, dhe askush nuk di ta shpjegojë se përse ndodhi kjo.
- E keni menduar ndonjëherë se ku mund të ishte Juvja tani, po të mos kishte shpërdoruar rreth 40 milionë euro midis Tiagos, Almironit, Criscitos dhe Andrades?
- Jo, sepse mbase s'do ta kishim marrë Iaquintan, Nocerinon, Molinaron, Salihamidzicin, Grygeran... Me lojtarë të tjerë, mbase nuk do të kishim arritur ta forconim grupin, sikurse kemi bërë me këta lojtarë.
- Si e prisni sezonin e ardhshëm, më të vështirë?
- Të mbarojmë një herë këtë sezon e më pas do të ketë kuriozitete të tjera, sidomos për sa u përket tri fronteve që na presin. Baza ekziston dhe mbi të duhet të punojmë për të shënuar më shumë gola dhe për të pësuar më pak. Pas një viti njohjeje reciproke nuk pritet të jetë shumë i vështirë.
- A besoni se Nedvedi do të qëndrojë edhe një sezon për të luajtur në Champions?
- Me të nuk i dihet kurrë, por i kam thënë se, nëse dëshiron të qëndrojë duhet të paguajë vetë. Përndryshe, duhet të gjejë ndonjë shumësportësh që ta bëjë të vrapojë si te Juventusi.
Nuk ka komente:
Posto një koment