e diel, 20 prill 2008
Palladino: Nuk do të lëvizi nga Juventusi
Raffaele Palladino, i cili shënoi një gol në fitoren e Juventusit ndaj Parmës, ka pohuar se do të bëjë çmos që me paraqitjet e tij ta bind trajnerin, Claudio Ranieri, por edhe drejtuesit e klubit që e ka vendin në fanellën bardhezi. “Paraqitjen time të mirë ndaj Parmës dhe golin e shënuar ia dedikoj Ranierit. Më vjen mirë që trajneri ma dha mundësinë e aktivizimit gjatë tërë 90 minutave dhe ia bëra vetës një dhuratë shumë të bukur për ditëlindjen”, ka theksuar Palladino, i cili të enjten festoi ditëlindjen e 23-të. Mediat italiane kanë spekuluar kohët e fundit se Palladino është përfshirë në marrëveshjen, e cila do të sjellë tek “Zonja e Vjetër” sulmuesin brazilian të Palermos, Amauri. Megjithatë, Palladino ka thënë se nuk i shkon mendja të largohet nga Juventusi, veçmas duke pasur parasysh faktin që edicionin e ardhshëm bardhezinjtë do të marrin pjesë në Ligën e Kampionëve. “Do të bëjë çmos që t’i bind drejtuesit e klubit për të qëndruar këtu. Kjo fanellë është gjëja më e bukur që mund të ketë një lojtar në karrierën e tij. Kam pasur oferta për të ndërruar mjedisin, por nuk e kam ndërmend ta bëjë një gjë të tillë. Shpresoj që edicionin e ardhshëm do të jap kontributin e duhur që Juventusi të jetë i suksesshëm në Ligën e Kampionëve, por edhe në Serie A”, ka përfunduar sulmuesi Palladino.
Abonohu te:
Posto komente (Atom)
Nuk ka komente:
Posto një koment