e martë, 1 prill 2008
Autobusi shtyp tifozin, shtyhet Juventus - Parma
Java e dymbëdhjetë e fazës së parë: vdes Simone Sandri, një tifoz i ri i Lazios, i cili u vra në një autogrill, pas të shtënës me pistoletë nga një polic. Atë të diel nuk u zhvilluan ndeshjet Inter‑Lazio, Roma‑Cagliari dhe Atalanta‑Milan. Dje ishte java e dhymbëdhjetë e fazës së dytë dhe vdiq një tifoz 28-vjeçar i Parmës, i quajtur Mateo Banjarezi, i cili u shtyp në një autogrill nga një autobus i tifozëve juventinë, ndaj ndeshja Juve-Parma u shty. FAKTET ‑ Vendimi u mor pas vdekjes së një tifozi të Parmës, i cili u përplas për vdekje nga një autobus i vogël në pikën e shërbimit Kroçeta Nord, e cila ndodhet në autostradën A1, mes Alessandrias dhe Astit, në drejtim të Torinos, rreth orës 12.30. Sipas dëshmive të para, në stacionin e shërbimit ishin kryqëzuar një autobus me tifozët e Parmës dhe një autobus i vogël 9-vendësh me tifozët e Juves. Nuk është e qartë dinamika e ndodhisë: sipas disave, furgoni me tifozët bardhezinj u sulmua, ndërsa, sipas disa të tjerëve, ishin juventinët ata që i provokuan pamensët teksa po drekonin. Sidoqoftë, qëndron fakti se në një klimë tensioni që vinte duke u shtuar shoferi i autobusit të bardhezinjve u rinis papritur duke e shtypur tifozin 28-vjeçar të Parmës. Mësohet se shoferi i autobusit, i cili u mor për t'u pyetur nga policia, u ndal pak kilometra larg vendngjarjes dhe deklaroi se nuk e kishte vënë re që kishte përplasur një njeri. Në vendin e aksidentit tragjik shkuan menjëherë mjeku ligjor, drejtori i Policisë së Astit dhe prindërit e tifozit të gjorë. BULETINI ‑ Ky ka qenë buletini i nxjerrë, fill pas rastit të rëndë në faqen zyrtare të Parmës në Internet. "Juventusi dhe Parma, - shkruhej, - me miratimin e autoriteteve kompetente, kanë rënë dakord ta shtyjnë ndeshjen në shenjë zie për incidentin që i ndodhi tifozit të Parmës, i cili po shkonte për në stadiumin e Torinos, ku do të luhej takimi mes dy ekipeve. Edhe pse bëhej fjalë për një incident tragjik, dy skuadrat konsiderojnë se nuk ekzistojnë kushtet e duhura për t'u përballur me njëra-tjetrën." SHTYRJA ‑ Data e parë e propozuar për zhvillimin e ndeshjes Juventus‑Parma është e mërkura e 16 prillit. Tani do t'i takojë "Lega Calcio"-s të marrë vendimin përfundimtar, duke parë se atë të mërkurë do të luhen edhe gjysmëfinalet e Kupës së Italisë Inter‑LaZio dhe Roma‑Catania. Ghirardi: Ishte një aksident tragjik Juventusi dhe Parma janë bashkur në zinë që ka përfshirë verdheblutë. Presidenti i emilianëve, Tomasso Ghirardi, ka shpjeguar se çfarë ka ndodhur: "E mësuam lajmin rreth orës 13.00 Është e kotë të merremi me fjalë për mënyrën se si ndodhi. Duket se ka qenë rrjedhojë e një aksidenti fatal. Por ajo që dihet me siguri është se nuk ka qenë rezultat i ndonjë përleshjeje mes tifozërive". Më pas ai rrëfeu një prapaskenë: "Edhe unë vetë ndalova tek ai autogrill 20 minuta përpara incidentit dhe aty nuk pashë asgjë të çuditshme, nuk kishte asnjë zënkë". Tonet e qeta të përdorura nga presidenti i Parmës janë përqafuar edhe nga Giovani Cobolli Gigli: "Ne si Juventus e përjetojmë këtë zi në mënyrën më të thellë. Ndjenja e Juves dhe e Parmës është e njëjta. Na u duk logjike të mos e luanim këtë ndeshje, pasi është ngjarje shumë e rëndë ajo që ndodhi".
Abonohu te:
Posto komente (Atom)
Nuk ka komente:
Posto një koment