Alex Del Piero nuk e humbet shpresën për të veshur fanellën e kombëtares. Këtë gjë e ka treguar çdo herë që del në fushë dhe flet seriozisht. "Championsin nuk e kemi ende në xhep, por kemi bërë një goxha hap përpara." Fantazisti i bardhezinjve është pjesë e figurinave Panini të europianit të ardhshëm me fanellën "axurre". "Shpresojmë që, sikurse ndodh shpesh, ta kenë bërë mirë parashikimin edhe kësaj here."Del Piero ka thënë se dita më e bukur e karrierës së tij "ka qenë fitimi i Kupës së Botës", dhe se synim të ardhshëm shpreson të ketë të luajë për Juventusin "me pasionin dhe dëshirën e përhershme që më kanë mundësuar të arrij shumë suksese. Fakti që kam hyrë në historinë e Juves është një arsye për t'u ndjerë shumë krenar; karriera ime nisi përpara shumë vitesh këtu dhe krahasimi me kampionë të mëdhenj të së kaluarës, si Boniperti dhe Shirea, është diçka e jashtëzakonshme". Pyetjes, nëse do t'i kishte pëlqyer avokatit Anjeli, Juventusi i sotëm, Del Piero iu përgjigj i bindur: "Sigurisht, kemi cilësi që atij i kanë pëlqyer gjithnjë, të bashkuara me klasin e lojtarëve të veçantë". Pas fitores ndaj Milanit, edhe Hasan Salihamixhiçi dha mendimin e tij. "Juventusi është thuajse në Champions. Na mungon vetëm siguria matematike dhe duhet të kemi kujdes nga rreziqet e shumta, të cilat do të na mbërrijnë kryesisht nga skuadrat e vogla." Ndërsa Roma, sipas boshnjakut, është e pakapshme. "Kemi një shkëputje të madhe, - tha lojtari, - ndaj është më mirë të mendojmë të mbajmë vendin e tretë." DONADONI KA VENDOSUR - E si mund të hiqet dorë nga një Del Piero i tillë?! Përse Donadoni nuk e grumbullon, madje as nëpër miqësore? Pyetjet janë të shumta, për sa i takon një situate të cilën trajneri i kombëtares italiane duhet ta zgjidhë medoemos. Dhe që, në të vërtetë, e ka zgjidhur tashmë në mënyrën më logjike dhe të volitshme: Aleks Del Piero do të jetë pjesë e grupit të Italisë në Kampionatin Europian që do të luhet në Zvicër dhe Austri. Bëhet fjalë për një vendim që është marrë, madje mund të japim sekretet dhe detajet, që janë të shumta. Sekrete dhe detaje që qëndrojnë të gjitha te një telefonatë e kohëve të fundit, mes trajnerit dhe juventinit. Donadoni e ka telefonuar Del Pieron jo i shtyrë nga të tjerët, por për ta lavdëruar për cilësitë që po ia vlerësojnë të gjithë: golat e Aleksit, forma e shkëlqyer, prirja e tij si golashënues dhe si udhëheqës skuadre, aq sa dikush ka nisur ta krahasojë me nivelin që kishte përpara dhjetë vitesh. Trajneri i ka thënë: "Nuk të kam grumbulluar kohët e fundit, por as edhe nëpër miqësore. Por nuk ka rëndësi! Nuk më nevojitet të kuptoj detajet e momentit tënd, dhe as se si do të dish të integrohesh në grupin "axurr". Janë gjëra që i di, ndaj rri i qetë: do të bësh pjesë në grupin e Europianit, nuk ka dyshime lidhur me këtë. Faleminderit për gjithçka, dhe shihemi shpejt!" Alexi e ka dhënë përgjigjen e tij, por është e kotë të paraqesim replikën e një kampioni, i cili ka bërë gjithçka për të rigjetur tërësisht vetveten. Ai thjesht ka falënderuar për besimin që i është shprehur.
e martë, 15 prill 2008
Abonohu te:
Posto komente (Atom)
Nuk ka komente:
Posto një koment