Juvja dhe Championsi, objektiv i arritshëm. Çështje Adn-je! Çështje përkatësie e një grupi që "mosdorëzimin kurrë" e ka një prej cilësive të tij thelbësore! Pikërisht për këtë arsye, edhe pse e ka Championsin thuajse në xhep, Claudio Ranieri nuk bën lëshime. Juvja e tij duhet të vazhdojë të luajë për të fituar, duke parë gjithnjë përpara dhe duke marrë shembull nga kampionët e saj. "Do të duhet shumë vendosmëri dhe motivim për ta mbyllur mirë javën. Duhet ta përhapim adn-në e 5 kampionëve që kemi te gjithë pjesa tjetër e skuadrës, në mënyrë që të bëhemi sërish më të mirët, - tha trajneri i bardhezinjve. - Duhet të vazhdojmë të luftojmë, sikurse kemi bërë deri tani deri në sekondën e fundit të javës së fundit. Të tjerët mund të perceptojnë në këtë mënyrë veçorinë e të qenit pjesë e Juves. Shërben për t'i mësuar të jenë Juventus, çka do të thotë të luash gjithnjë me 100% të kapacitetit. Atë që kemi bërë deri tani duhet ta shumëzojmë me zero, duhet ta fshijmë dhe të rinisemi. Unë? E kam brenda këtë frymë, sepse nuk më është dhuruar kurrë asgjë. Kam luftuar gjithnjë për atë që kam, si në kampionatet amatore ashtu edhe te Juventusi. E kam nisur nga Seria D dhe nuk më ka ndihmuar kurrë askush. Kam drejtuar skuadra jashtë Italisë dhe tani jam te Juvja me një objektiv të madh. Por duhet ta mbyllim mirë javën, pasi ky nuk është Çmimi i Madh i fundit, nuk mund të flasim ende për Ligën e Kampioneve." Ranieri më pas e shpjegoi konceptin për kualifikimin në Champions me një batutë: "Sikurse thotë Trapatoni, mos bërtit asnjëherë "ujku", kur nuk e sheh me sy. Ndaj, më parë duhet ta arrijmë kualifikimin dhe më pas të bëjmë vlerësimet e duhura". Karakter, sedër, shpirt, të gjitha këto cilësi të cilat duket se Nedvedi nuk i ka humbur edhe pse vitet kalojnë. Ranieri e lavdëroi shumë çekun, përpara se të fliste për sfidën me Atalantën: "Do të habitesha po të mos e shihja në kombëtare. Është shumë mirë dhe, kur kalohet mosha 30-vjeçare jetohet me më shumë pasion. Nedvedi është kampion, sepse dëshiron të jetë më i miri. Edhe në moshën 36-vjeçare është një mesazh që ai dhe lojtarët e tjerë të mëdhenj ia përçojnë skuadrës. Është faji i tij, nëse Paladino nuk ka arritur të luajë shumë, sepse nuk është dorëzuar kurrë, - theksoi trajneri roman, përpara se ta mbyllte fjalën. - Ndaj Atalantës do të jetë një ndeshje e vështirë, sepse na ka krijuar vështirësi edhe në fazën e parë. Ata i mbyllin të gjitha hapësirat dhe mbrohen me një vijë me gjashtë lojtarë. Do të jetë një ndeshje e luftuar dhe e vështirë, sikurse në fazën e parë, kur e zhbllokuam rezultatin pikërisht me një gol të Nedvedit."
Dëmtohet Iaquinta, 20-25 ditë stop - Tani që kualifikimi në Champions thuajse është arritur, "azzurrët" e Juventusit mund të mendojnë për Europianin. Vincenco Iaquinta, për shembull të martën u detyrua të ndalej, për shkak të një tërheqjeje muskulore të shkallës së parë në bicepsit femoral, çka do ta lërë jashtë fushave, të paktën 20 ditë. Por tani s'ka asgjë për t'u nxituar, ndaj mund të kurohet me qetësi. Eshtë Del Piero ai që ende duhet të luftojë për ta merituar vendin në kombëtare, dhe përshtypja është se këto janë ditë vendimtare. Sot, në sfidën ndaj Atalantës, do të jetë edhe trajneri i Italisë, Donadoni. Më pas është ndalesa e Buffonit, i cili ka paralajmëruar se do të marrë disa kohë pushim, pasi të arrihet kualifikimi në Champions. Ai mund të ndalet edhe tani, por, duke qenë se ekziston mundësia për të arritur vendin e dytë, nuk e bën një gjë të tillë.
e diel, 20 prill 2008
Abonohu te:
Posto komente (Atom)
Nuk ka komente:
Posto një koment