e mërkurë, 10 shtator 2008

Nedved: Jap gjithçka për Championsin!

Çekut i ka mbetur peng finalja e 2003-shit ndaj Milanit, ku mungoi. Pavarësisht se është 36 vjeç, Pavel Nedvedi nuk ka hequr dorë nga ëndrra e tij, Kupa e Kampioneve. Ajo është kthyer në fiksim për të, pasi çeku nuk arrin ta heqë nga mendja, sepse në finalen e 2003-shit, të humur me penallti ndaj Milanit, ai nuk arriti të luajë, për arsye pezullimi.

CHAMPIONS - “Për Europën do të hiqja dorë nga të gjitha kënaqësitë e jetës, përfshi edhe ndeshjet e golfit me Del Pieron dhe Camoranesin. Nuk do të hiqja dorë, vetëm nga familja ime! Kthimi në Champions, dy vite pas rënies në Serinë B, mund të konsiderohet si një mrekulli. Në krahasim me vitin e kaluar, kanë ardhur lojtarë të rëndësishëm dhe të rinj të talentuar, klubi ka punuar mirë në merkato. Nuk i druhemi askujt dhe, që të na mundin, rivalët tanë duhet të djersijnë shumë. Grupi? Është e kotë të flasim për Realin, ndërsa Zeniti, po të mendosh se është një skuadër e vazos së tretë, është goxha i fortë. Duhet të kemi kujdes edhe Bate Borisowin. Nëse e fitojmë Kupën? Atëherë do të shkoja edhe në Tokio për të luajtur në Botërorin për Klube, pra do të shkoja kudo!”


FLAMUR - “Simbolet e Juves janë të tjerë, lojtarë si Del Piero apo Buffon. Ata kanë dhënë shumë për këtë fanellë dhe unë kam mësuar shumë gjëra prej tyre. Kur mbërrita te Juvja, zgjodha numrin 11, sepse përpara meje e kanë mbajtur kampionë si Bettega. Ndihem krenar që mbaj këtë numër, i cili më ka sjellë shumë fat.”

GJENDJA - “Goli që shënova në Firence ishte i bukur, por duhet të them se e gjithë merita ishte e Grygeras. U tregua shumë i zoti që ma dha topin në atë mënyrë; mua m’u desh vetëm ta përcillja në portë. Unë, shumë energjik? Po has gjithnjë e më shumë vështirësi nga kjo anë, sepse në moshën time duhet të punosh dhe të pushosh mirë. Duhet pak kohë për t’i mbledhur forcat, por sivjet do të jetë e vështirë në Champions. Giovinco, Marchisio dhe De Ceglie janë gati ta ndihmojnë një plakush si unë.”

Nuk ka komente: