e premte, 12 dhjetor 2008

Juventus-Milan: Ndizet supersfida


Të dielën ngjitet në "skenë" klasikja italiane mes rivalëve të vjetër

Një nga përballjet klasike të futbollit italian do të ngjitet në "skenë" të dielën në mbrëmje. Ndeshja e parë mes rivalëve të vjetër, Juventusit e Milanit, daton më 28 prill 1901, dhe që atëherë ka dhuruar emocione të jashtëzakonshme, pasion e spektakël. Kjo ndeshje do të vërë përballë dy skuadrat me më shumë suksese në botën e futbollit. Milani është klubi që numëron më shumë trofe ndërkombëtare, ndërsa Juventusi skuadra që ka radhitur në vitrinën e saj më shumë tituj të kampionatit italian. Një tjetër fakt interesant, që demonstron unikalitetin e kësaj ndeshjeje është edhe një finale gjitha italiane e Champions League, Juventus-Milan, më 28 maj 2003, në Manchester. Gjigantët e Milanit fituan atëherë falë gjuajtjeve të 11-metërshave. Por ka edhe një element tjetër, që i lidh këto dy klube të famshme. Bëhet fjalë për Carlo Ancelottin, i cili gjatë karrierës ka mundur të drejtojë të dyja ekipet. Trajneri aktual i Milanit ka qenë nëntë herë protagonist në këtë sfidë si drejtues i të dyja skuadrave. Si trajner i Juventusit, Ancelotti ka mundur të koleksionojë dy fitore dhe një humbje ndaj kuqezinjve. Por pas kalimit të tij në drejtimin e Milanit, ai ka regjistruar tri humbje, dy barazime dhe një fitore. Është interesant fakti që në nëntë ndeshje të luajtura në periudhën 1999 deri në 2004-ën, Milani ka fituar vetëm dy prej tyre, por për rastësi në të dyja rastet ka arritur të fitojë titullin kampion. Një fitore e mundshme e njërës prej dy skuadrave në ndeshjen e kësaj jave do të jetë një sinjal i mirë, pasi do të nxirrte në pah se cila do të jetë rivalja e vërtetë i Interit në luftën për titull. Megjithatë janë trajnerët ata që kërkojnë të qetësojnë situatën e prag supersfidës, të cilën e konsiderojnë si jo decizive. Por Claudio Ranieri pret spektakël. Të dielën në mbrëmje, të gjithë do t‘i kenë sytë atje, mbi të gjitha ai, që do të jetë në radhë të parë... "Prania e kaq shumë lojtarëve të mëdhenj në fushë garanton spektakël, thotë trajneri bardhezi. Ronaldinho, Del Piero... mund të të dhurojnë diçka të papërsëritshme. Ndjehem me fat sepse jam në radhë të parë dhe nuk paguaj biletë". Ndërsa për Carlo Ancelottin e Milanit, "kjo është një sfidë mes dy skuadrave më të akreditura, por që vijnë nga një periudhë e vështirë. Sa i përket Interit, skuadra nuk ka kaluar asnjë moment të vështirë dhe do të më vinte mirë nëse edhe ata do të kalonin një periudhë të tillë".

Nuk ka komente: