e premte, 12 dhjetor 2008

Benitez shpërblehet me rinovimin

Rafa do të qëndrojë deri në sezonin 2012-13 në drejtimin e klubit të “Anfield”, pasi rinovoi për 4 milion stërlina në vit Trajneri i Liverpoolit, Rafael Benitez, arriti një marrëveshje për rinovimin e kontratës me pronarët amerikanë të klubit, Tom Hiks e Georg Gillet, mediat britanike raportuan mbrëmë. Sipas të përditshmes “The Times”, marrëveshja do të përfundojë në fundin e sezonit 2012-2013 dhe kontrata e tij aktuale do të përmirësohet me rreth 500 000 stërlina në vit, nga 3,5 në 4 milion stërlina. Një rinovim i tillë do ta lërë Benitezin përsëri në vendin e trajnerit të katërt më të paguar në Premier League, pas Scolarit të Chelseat dhe Wenger e Fergusonit, të cilët paguhen 4,5 milion secili. Lajmi, pa dyshim që do të mirëpritet prej shumicës së tifozëve të kuq, të shqetësuar për situatën në klub, pas spekulimeve të fundit për largimin e mundshëm të Benitezit, si rrjedhojë e mosarritjes së një mirëkuptimi me pronarët e klubit për rinovimin e kontratës. Liverpooli renditet aktualisht në vendin e parë të renditjes dhe u kualifikua në fazën e dytë të Champions League si fitues i Grupit D. Megjithatë, zgjatja e bisedimeve tregoi se marrëdhënia e trajnerit me pronarët e klubit nuk është aq e mirë sa duket dhe e gjithë kjo situatë riktheu në mendje kohën kur spekulohej për caktimin e Jirgen Klinsmanit në krye të skuadrës. Sipas mediave angleze, pronarët e Liverpoolit vendosën të reagonin me shpejtësi, pas spekulimeve në rritje për lindjen e interesit të Juventusit për ish trajnerin e Valencias. Në katër vjet e gjysmë në drejtimin e Liverpoolit, Benitezi ka fituar një Champions League dhe një Kupë të Anglisë, ndërsa pozicioni i tij më i mirë në kampionat është vendi i tretë.

Nuk ka komente: