e enjte, 8 maj 2008

Bufon: Vitin që vjen, titull dhe Champions

"Vitin e ardhshëm, më në fund do të mund të luhet në Champions. Për këtë do të duhet një grup edhe më konkurrues për nga numri dhe cilësia, sepse nuk është në logjikën tonë t'ia vëmë përparësinë njërit prej dy objektivave." Gigi Buffoni mendon që tani për sezonin e ardhshëm, kur Juventusi do të mund të thotë fjalën e tij, si në Itali ashtu edhe në Europë. "Më ka marrë malli për Ligën e Kampioneve, ‑ ka bërë të ditur portieri. ‑ Ne që qëndruam përpara dy vitesh u sakrifikuam, por tani ka ardhur momenti të nxjerrim armët dhe të luftojmë." Dhe që kjo të ndodhë, "në çdo repart duhen një ose dy lojtarë me nivel," vijoi më tej Buffoni, i cili, nëse do të ishte në vendin e drejtuesve bardhezinj do të blinte "Ronaldinhon, i cili do të bënte të ëndërronte çdo shok skuadre apo tifoz, nëse do të kishte dëshirë t'i shpaloste sërish vlerat e tij, edhe po t'i ulte disi pretendimet". Ndërkohë, duket se për Amaurin është kryer gjithçka: "Ai është shembulli më i mirë i sulmuesve të rinj në Itali, - nënvizoi 'gardiani'. - Në Palermo më ka shënuar dy gola, por vitin e ardhshëm, në një skuadër të madhe, duhet të tregojë edhe se është lojtar i nivelit ndërkombëtar. Mellbergu? Është një nga ata që dinë ta udhëheqin mbrojtjen, pasi ka fuqi fizike dhe personalitet. Kemi nevojë pikërisht për lojtarë si ai!". Numri 1 i bardhezinjve, i cili duket se nuk ka më dhimbje në shpinë ("kam 4 muaj që luaj pa probleme, falë një plani të mençur riaftësimi"), ishte mes më skeptikëve në fillim të sezonit. "Por kemi kryer një punë të shkëlqyer grupi," shtoi ai. "Claudio Ranieri tregoi se është trajner i madh dhe se stafi ka qenë në lartësinë e duhur, - vijoi Buffoni, - por edhe ne kemi ditur të bashkohemi dhe të gjejmë stimujt e duhur në vitin e rikthimit në Serinë A. Rezultati i gjithë këtyre faktorëve ka qenë ecuria jonë fantastike." Mbrojtësi ekstrem i Juves pohoi edhe se "Del Piero ka luajtur kampionatin më të mirë, qëkur ndodhem unë këtu", dhe se është befasuar nga Chiellini ("teknikisht, ka bërë një përmirësim të madh"), Camoranesi ("kur është ai në fushë ndriçon gjithçka") dhe Sissoko. U shpreh gjithashtu optimist, lidhur me qëndrimin e Nedvedit ("finaleja që nuk mundi të luajë në Mançester i ka mbetur në mendje. Karremi për ta mbajtur është Championsi"). Ndërsa, për sa i takon Europianit, ai shpreson që Del Piero të grumbullohet ("sezoni i tij flet vetë. Një trajner zgjedh në interes të skuadrës, por në mënyrë direkt edhe në interesin e tij: Donadoni e di se çfarë duhet të bëjë"), si dhe ka pranuar se kundërshtari më i rrezikshëm për "axurrët" mund të jetë Rumania, "e cila nuk është skuadra më e dobët, por një minë me sahat: ka 4-5 lojtarë shumë të talentuar, që janë në gjendje ta fshehin topin". Por, si kampionët e Botës në fuqi, "azzurrët" do të jenë favoritët. "Në letër po, - nënvizoi sërish Buffoni. - Europa është më e vogël, ndaj duhet t'i mundim të gjithë. Por kanë kaluar dy vite, jemi rinovuar, kemi një trajner tjetër dhe disa lojtarë të tjerë. Më pas, të përsëritesh është gjithnjë e vështirë."

Nuk ka komente: