e diel, 11 maj 2008

Ranieri do fitore: Të nderojmë publikun!

Juventusi nuk ka se çfarë të kërkojë më nga kampionati. Pasi ka siguruar vendin e tretë dhe hyrjen në Ligën e Kampioneve, tani ai do të luajë vetëm sa për ta respektuar turneun. Claudio Ranieri po bën të pamundurën për të gjetur stimujt, për të cilët skuadra e tij ka shumë nevojë në këtë pikë. Por, ndërkohë që Juventusi i ka arritur objektivat e tij, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për kundërshtarin e radhës së bardhezinjve: Catanian. Siçilianët po vazhdojnë të luftojnë për të siguruar qëndrimin në kategorinë e parë. Ndaj, trajneri i "Zonjës së Vjetër" kërkon nga lojtarët e tij, që të përpiqen të gjejnë motivimet e duhura për t'u paraqitur mirë: "Kjo do të jetë ndeshja e fundit në fushën tonë, në këtë kampionat. Djemtë kanë dëshirë ta përshëndesin publikun me dinjitet. Tifozët sivjet kanë qenë shumë të rëndësishëm për ne, sepse i kuptuan vështirësitë e Juves së re dhe e përkëdhelën atë. Dhe, më pas, do të luajmë për të respektuar kampionatin. Në kampionatet e tjera nuk ka rënie në javët e fundit. Kjo është disi në ADN-në e të qenit tonë latinë. Në Angli janë anglosaksonë, puna e trajnerit në anën e motivimeve nuk ka shumë rëndësi, sepse lojtarët e kanë brenda. Do të ishte diçka shumë e bukur sikur të arrinim të luanim gjithnjë në 100% të mundësive tona, pavarësisht nga gjithçka. Ne, më pas, kemi dy lojtarë të cilët luftojnë për titullin e golashënuesit. Nuk do ta lëmë pushim Bufonin, pikërisht sepse dua maksimumin nga të gjithë. Dua një paraqitje të mirë ndaj Catanias, më shumë se kaq nuk kam çfarë të kërkoj." Pra, stimujt në ndeshjen ndaj Catanias ekzistojnë. Dhe ata në sezonin e ardhshëm do të jenë shumë më të mëdhenj. "Sezonin e ardhshëm disa do të kërkojnë hënën, pra, titullin, dhe ne s'na mbetet tjetër veç ta ëndërrojmë, megjithatë duhet të luftojmë dhe të përmirësohemi. Sivjet përfituam nga fakti që nuk luajtëm në Europë. Kemi mundur të stërvitemi rregullisht çdo javë. Sezonin e ardhshëm do të kemi 3 angazhime, me objektivin për të ecur sa më para të jetë e mundur. Aty do ta vlerësojmë forcën e një organike lojtarësh." E cila do të përmirësohet, por Ranieri nuk e thotë se në cilën mënyrë: "Nuk e di si do të jetë kjo merkato. Pres të rejat të cilat i kemi diskutuar dhe për të cilat kemi rënë dakord. Këtë pres unë. Për përmirësimin e organikës aktuale".

Nuk ka komente: