Trajneri i Juventusit Claudio Ranieri e ka përshëndetur për këtë vit stadiumin "Olimpico". Bardhezinjtë e mbyllën sezonin në shtëpi, me një barazim ndaj Catanias. Një rezultat, që pavarësisht nga rendimenti sezonal, nuk e bën të kënaqur Ranierin: "Ne u përpoqëm të shënonim që nga fillimi e deri në fund, duke krijuar të paktën katër raste për gol, por porta ishte "e mallkuar", - tha ai. - Megjithatë, në fund, arritëm të barazojmë me Del Pieron. Dhamë maksimumin, siç kemi bërë gjatë gjithë vitit. Djemtë meritojnë vlerësime, sepse zhvilluan një kampionat të shkëlqyer. Nëse do të humbisnim, do të ishte kulmi, atë ndeshje duhej ta fitonim ne. Titulli? Për fat të keq e humbëm 'trenin' në momentin e duhur". Trajneri bardhezi shikon para dhe flet për merkatën: "Amauri? Është një djalosh serioz, i zoti, që mund të luajë mirë me sulmuesit e tjerë të organikës që kemi. Vitin e ardhshëm duhet të luajmë në tri veprimtari, ndaj do të na ndihmonte. Sidoqoftë, janë gjëra që i takojnë klubit." Në fund, një mendim për Pavel Nedvedin. Çeku e nisi ndeshjen nga stoli, duke ia lënë vendin e titullarit Palladinos. Është një zgjedhje edhe në aspektin e së ardhmes? Absolutisht sipas Ranierit: "Ishte e drejtë të luante Palladino dhe, në fund, të aktivizoja Pavelin, kështu do të ishte më e lehtë për të. Sot (dje) duhej një mirënjohje edhe për Raffaelen, sepse është përkushtuar gjatë gjithë sezonit."
Del Piero dhe merkato - Alessandro Del Piero shënoi edhe dje kundër Catanias, duke arritur në kuotën e 19 golave, aq sa Borriello e Trezeguet. "Kur zbres në fushë, nuk e bëj vetëm që të shënoj, përpiqem të jem një futbollist i plotë, të bëj gjërat e duhura në çdo pjesë të fushës. Arrij të shënoj, madje shumë, më gëzon shumë, sepse rrit nivelin e paraqitjes sime, por roli im nuk është ai i sulmuesit të parë. Merkato? Projekti i klubit duhet të llogarisë historinë dhe emrin e Juventusit. Ne kemi shumë, ndaj pres që të bëhen të gjitha lëvizjet e duhura për ta përforcuar këtë skuadër. Nedved? Nuk ka zgjedhje tjetër veç konfirmimit. Është shumë i fortë dhe në formë."
e hënë, 12 maj 2008
Abonohu te:
Posto komente (Atom)
Nuk ka komente:
Posto një koment