e hënë, 1 dhjetor 2008

Alonso nuk e ka ndërmend të largohet nga Liverpooli

Mesfushori i Liverpoolit, spanjolli Xabi Alonso, ka thënë se nuk dëshiron të largohet nga skuadra e drejtuar nga Rafa Benitez dhe planifikon që të qëndrojë një kohë të gjatë në “Anfield Road”. “Në disa momente ardhmëria ime nuk ka qenë e qartë. Isha brengosur se çfarë është duke ndodhur, për shkak se ka pasur llojlloj propozimesh, por unë preferova të vazhdoj të qëndroj te Liverpooli. Pa dyshim se inkurajimi i tifozëve ishte i madh dhe në këtë mënyrë ata më kanë shtyrë të mendoj se duhet të qëndroj. E shoh vetën këtu edhe një kohë të gjatë. Kam shumë shembuj të mirë për t'i ndjekur: - jam mik i ngushtë me Sami Hyypian. Ai është një futbollist i huaj, i cili ka një karrierë të madhe në Liverpool, kurse po ashtu edhe Dietmar Hamann është bërë një lojtar shumë i rëndësishëm i Liverpoolit", ka pohuar Xabi Alonso. Kampioni i Evropës me Spanjën, është i bindur se grupi momental i futbollistëve të Liverpoolit është i aftë për ta fituar titullin e kampionit të Ligës Premiere, pas dy dekadash mungesë. "Skuadra është në formë shumë të mirë dhe stabile. Kjo është ajo që kemi dëshiruar, por ende ka shumë gjëra të cilat duhet t'i bëjmë", ka nënvizuar Alonso. Ai ka thënë se kjo është mundësia më e mirë për ta fituar titullin. Kurrë më parë nuk kemi qenë kaq afër kreut në pjesën e parë të edicionit. Ky është fillimi më i mirë që nga koha kur jam pjesë e Liverpoolit, por duhet të jemi të përqendruar në çdo sfidë", ka përfunduar Alonso.

Nuk ka komente: