e mërkurë, 3 dhjetor 2008

Del Piero: Çdo rekord është i veçantë

Kapiteni komenton 250 golat bardhezi: Sigurisht që i kujtoj, nga i pari tek i fundit

Ka menduar rreth tyre për katër ditë, më pas ka komentuar 250 golat e tij me fanellën e Juventusit. Alessandro Del Piero, nëpërmjet saitit të tij zyrtar është shprehur, edhe pse mbetet dyshimi statistik, se mos vallë janë 251. “Nuk do të mësohem kurrë me këto numra, - shkruan kapiteni bardhezi. - Çdo rekord është një emocion i veçantë, gjithmonë, ashtu si çdo gol i shënuar. Ajo që më emocionon nuk ka të bëjë shumë me numrin e golave që kam arritur, sepse, sado i rëndësishëm që mund të jetë, unë vazhdoj ta konsideroj thjesht një etapë, por, mbi të gjitha për atë që ndodhet pas kësaj arritjeje, rruga që të çon në realizimin e objektivave të tilla. 250 gola (apo 251) janë shumë. Për një sulmues janë shumë të rëndësishëm. Edhe pse nuk janë gjithçka, nuk duhet të jenë, sepse në fillim vjen skuadra dhe fitoret. Nuk është ndonjë frazë banale, por është e vetmja rrugë që të çon drejt suksesit. I kujtoj të gjithë, golat e mi, jam i lidhur me secilin prej tyre deri në atë pikë sa, kur më kërkojnë të zgjedh më të veçantin, më duket sikur i ofendoj të tjerët. I mbaj mend të gjitha mënyrat se si kam festuar, si dhe përqafimet. Dhe atëherë, pasi kam mbërritur në kuotën e 250 realizimeve, dua të përqafoj unë të gjithë ata që kanë festuar, në fushë ose përkrah meje, gjithashtu edhe ata që janë ndodhur mijëra kilometra larg. Falenderoj, mbi të gjithë, ata që do të më kishin mbështetur, edhe nëse nuk do ta kisha arritur këtë shifër dhe do të isha ndalur më përpara. Jam i lumtur që keni festuar bashkë me mua, dhe ju siguroj se ju kam dëgjuar të gjithëve… Por tani nuk duhet të ndalemi këtu, sepse jam gjithnjë e më i bindur se goli më i bukur, ashtu si fitorja më e bukur, do të jetë ajo për të cilën duhet të djersis akoma, ajo që do të vijë nesër,” - përfundon komenti i Del Pieros.

Nuk ka komente: