e martë, 2 dhjetor 2008

Trezeguet: Gati për në Champions

Dy muaj nga operacioni në të dy gjunjët, David Trezeguet është kthyer në fushë për t’u stërvitur dhe duket se është në qiellin e shtatë: “Kam përjetuar me të vërtetë muaj ferri. Tani ndihem mirë, edhe përtej çdo parashikimi”, ka deklaruar sulmuesi për një televizion francez. Rikthimi i tij parashikohet për në fund të janarit, atëherë kur Juve do të nisë të mendojë për të tetat e finaleve të Ligës së Kampionëve: “Jam i kënaqur që skuadra u kualifikua në atë që unë e cilësoj si kompeticionin më të bukur në të cilin mund të luajë një futbollist”. Gjithsesi, që tani duket se Trezeguet është i mbushur me motivim: “Ribashkimi me shokët pas një kohe të gjatë më bëri mirë, si psikologjikisht, edhe moralisht. Më në fund mund të them se kam filluar ta hedh prapa krahëve periudhën më të vështirë”. Kështu, për francezin ka qenë një vuajtje më vete qëndrimi larg fushave të futbollit. Por me nisjen e vitit të ardhshëm do të ketë mundësinë të kontribuojë me lojën e tij dhe sidomos me golat, në garën për titull e Champions. Një sy e ka edhe nga kombëtarja, ndonëse lamtumira që i dha gjatë verës, ka bërë tifozët të diskutojnë së tepërmi për zgjedhjet e Domenech. “Tekniku thotë se nuk jam i përshtatshëm për modulin e tij, por unë nuk i ndryshoj cilësitë e mia dhe mënyrën e të luajturit – vazhdon francezi. – Gjithsesi, s’mund të harroj atdheun tim, që më ka renditur mes sportistëve më të preferuar, gjë që më ka bërë tepër përshtypje. Në këto kushte s’mund të kthehem të luajë me Francën. Nëse gjërat do të ndryshojmë, unë jam i gatshëm, pa asnjë problem. Kombëtarja më mungon dhe s’dua që karriera ime aty të përfundojë kështu”.

Nuk ka komente: