e enjte, 4 dhjetor 2008

Euro-Iaquinta: Në Champions dua Chelsean!

Sulmuesi juventin është më shumë rezultativ në Europë sesa në kampionat: Çfarë sfide do të ishte!

Luan si zëvendësues në kampionat, por shpërthen në Champions. Nëse duhet të zgjedhë mes titullit ose Ligës së Kampioneve, Vincenzo Iaquinta nuk ka dyshime, pasi numrat flasin për të. Në Europë është i pazëvendësueshëm. Ranieri, të paktën mendon kështu, duke parë që e ka aktivizuar në çdo ndeshje (përfshirë edhe ndeshjet paraeliminatore), me përjashtim të ndeshjes së parë kundër Zenitit të Shën Pjetërburgut në Torino. Iaquinta e bëri detyrën e tij edhe më shumë. Në ndeshjen e parë, si titullar në grup, kundër Bate Borisovit, pati një fillim të shkëlqyer që u kurorëzua me një dygolësh të rëndësishëm. Të mërkurën që vjen, në “Olimpico”, vjen pikërisht Bate për aktin përmbyllës të grupit, pastaj do të fillojnë takimet direkt.

ËNDËRRON CHELSEAN - “Pasi arritëm kualifikimin për në turin e ardhshëm, - thotë Iaquinta, - mund të fillojmë të mendojmë për 1/8-t. Cilën skuadër do të më pëlqente të përballja? Do të doja shumë Chelsean, është formacion i bashkuar e i organizuar. Do të ishte një sfidën e madhe dhe spektakolare, sidomos në “Stemford Bridge”. Në pritje që të përballet me Drogbanë, Iaquinta duhet t’i bëjë “llogaritë” me një tjetër sulmues, Amaurin. “Erdhi te Juvja këtë verë dhe më vodhi vendin, - qesh Iaquinta. - Pa dyshim që bëj shaka, jemi miq të shkëlqyer dhe kur jemi të grumbulluar me Juven e ndajmë dhomën bashkë. Amauri është kampion dhe është normale që në një skuadër të madhe të ketë konkurrencë të shëndetshme dhe korrekte. Unë ndihem në formë të mirë dhe do të doja të luaja më shumë, por i respektoj gjithnjë vendimet e Ranierit.” Një kampion bote në stol është luks i tepruar, që pak skuadra mund t’ia lejojnë vetes, por është e vështirë të gjenden hapësira, kur ke përpara një sulmues klasi, si Alessandro Del Piero. “Është pikërisht një lojtar klasi i vërtetë, - konfirmon Iaquinta për kapitenin bardhezi. - E meriton gjithçka që ka fituar në këto vite; është kampion i madh brenda dhe jashtë fushe. Kundër Chievos më lejoi të godisja 11-metërshin e golit të 2-0, duke e shtyrë golin e tij të 250-të bardhezi për të shtunën që shkoi ndaj Regginës. Duhet ta falënderoj!”
TITULLI PO OSE JO - Një temë e nxehtë, para së gjithash në javët e fundit, por ish-sulmuesi i Udineses nuk ka dyshime. “Do të luftojmë deri në vdekje, reaguam mirë ndaj “rrëshqitjes” me Interin, duke u treguar të gjithëve se jemi në lojë dhe e dimë se deri ku duhet të mbërrijmë. Gjashtë pikë largësi nga kreu mund të qëndrojnë, por besoj se që këtu e deri në fund do t’i kemi të gjitha mundësitë për ta fituar kampionatin: duhet të vazhdojmë kështu dhe rezultatet do të vijnë.”

Nuk ka komente: