e martë, 9 dhjetor 2008

Juvja, me Milanin rikthehet kapiteni

Edhe Ranieri ka probleme me skuadrën. Rikthehet Del Piero, ka optimizëm për Camoranesin

Do të mungojnë, si gjithnjë, Buffon, Trezeguet, Tiago, Andrade, Zebina, Knezevic, Salihamidzic e Poulsen. Për Cristiano Zanettin do të ketë vend vetëm në stol dhe Legrottaglie do ta shohë ndeshjen nga tribuna, për një karton të verdhë të tepërt, por Juventusi, që do të përballet me Milanin, në ndeshjen më të rëndësishme të javës së 16-të, mund të buzëqeshë. Ranieri, në krahasim me sfidën me Leccen në “Via del Mare”, do të riketë të gatshëm, si Del Pieron ashtu edhe Iaquintën. Lajme të mira edhe për Camoranesin; rikthimi i tij është gjithnjë e më i mundur. “Jam i shqetësuar për mesfushën time. Janë thuajse të gjithë të dëmtuar dhe Gattuso është i pezulluar. Për momentin, kam vetëm Flamininë. Ti ndoshta i riaftëson të gjithë në kohë për t’i aktivizuar kundër nesh. Kështu, Carlo Ancelotti, i lidhur direkt në televizion me Claudio Ranierin, në fund të ndeshjes Milan-Catania, bën shaka (por deri në një farë pike) me kolegun bardhezi. “Do të doja, por nuk dua, - iu përgjigj Ranieri. - Do të doja të kisha Del Pieron dhe të shoh ç’mund të bëj me Camoranesin, por për pjesën tjetër nuk ia dal dot.” “Pjesa tjetër” është, para së gjithash Cristiano Zanetti, që vështirë se do të luajë që nga fillimi, pasi nuk luajti asnjë minutë në Lecce. Ka optimizëm ndërkohë, sa i takon gjendjes së Camoranesit, që nuk është riaftësuar akoma nga dëmtimi në shpatull, që e pësoi gjatë ndeshjes Juve-Reggina, por që gjithsesi është stërvitur gjatë javës. Pra, me përjashtim të ndonjë surprize, me Milanin do të jetë austriaku Manninger në portë, Grygera, Mellberg, Chiellini e Molinaro në mbrojtje, Camoranesi (ose Marchionni), Sissoko, Marchisio e Nedved në mesfushë, Del Piero e Amauri në sulm. Po Giovinco? Me rikthimin e kapitenit, duhet të kthehet në stol i gatshëm që të hyjë gjatë ndeshjes. Ndoshta do ta vendosë atë. Djaloshi 21-vjeçar është i motivuar, pas golit të parë bardhezi dhe paraqitjes së mirë ndaj Lecces, si dhe shpreson të gjejë hapësirën e duhur për të dhënë edhe ai ndihmën e tij.

Nuk ka komente: