Ndonëse në ditët e fundit ka hasur disa probleme të vogla në kavilje dhe në shpinë, Alessandro Del Piero i ka shumë të qarta idetë për sezonin e ardhshëm, kryerjen e një sezoni përrallor me Juventusin dhe përjetimin si protagonist të Botërorit 2010 në Afrikën e Jugut. “Entuziazmi dhe pasioni janë pjesë e çdo pune, por më shumë se kudo tjetër, këto cilësi vlerësohen në profesionin tonë. Unë linda me ëndrrën për t’u bërë futbollist dhe tani e kam realizuar atë. Por Kombëtarja është maksimumi për cilindo prej nesh”, - thekson kapiteni bardhezi. Titulli dhe Kombëtarja – Në prag në fillimit të sezonit të ri, Del Piero bën të qartë se motivimet nuk i mungojnë. “Fitorja e kampionatit italian dhe Kombëtarja janë dy objektiva që ecin paralel me njëri-tjetrin, pavarësisht zgjedhjeve që në fund do të bëjë trajneri Marcello Lippi. Grumbullimi me Italinë varet nga sezoni i mirë që mund të kryej me Juventusin, përqendrimi im duhet të jetë maksimal, sepse kemi një skuadër të madhe dhe duam të rikthehemi te fitorja”, - vazhdon Alessandro Del Piero.
OBJEKTIVI – Nëse “Zonja e Vjetër” është e pajisur mirë për të fituar kampionatin e ardhshëm të Serisë A, “Pinturicchio” këtë gjë ia lë fushës së lojës ta vërtetojë. “Sigurisht që nuk kam në dorë një sferë magjike që të shoh realizimin e objektivit tim dhe të skuadrës. Duhet të bazohemi te realiteti, te dëshira jonë për të fituar, te përforcimet e kryera, që mendoj se e kanë bërë edhe më të fortë Juventusin sivjet. Kemi bërë hapa të rëndësishëm përpara dhe kjo duhet pranuar. Premisat për të fituar diçka të rëndësishme në sezonin e ardhshëm janë shumë të mira, tani na mbetet ne të kuptojmë, nëse mund të fitojmë një ndeshje apo një kampionat, në të cilin do të kemi përballë kundërshtarë të rëndësishëm”.
POZITIVI FERRARA – Me trajnerin aktual të Juventusit, padyshim që Alessandro Del Piero ka një marrëdhënie shumë të veçantë. Pas shumë vitesh si shok skuadre, tani Ciro Ferrara është trajneri i numrit 10 bardhezi. “Ferrarën trajner të Juventusit, sigurisht që edhe mund ta prisja. Në vitet e fundit, ai ka punuar me objektiva të qarta në kokën e tij, një person kërkues dhe i sigurt në vetvete. Nëse edhe pas aventurës në fushën e lojës arrin ta ruash profesionalizmin tënd, respekti ndaj personit dhe përgjegjësia që ka në brendësi grupi është një avantazh që trajneri i Juventusit të jetë një ish-shoku ynë i skuadrës. Ciro është ende i ri dhe arrin t’i kuptojë mëse miri kërkesat e futbollistëve. Ai duhet të përfitojë nga ky fakt dhe gjithmonë duhet të jetë shumë i qartë me ne, por duhet pranuar se mbërritja e tij në stolin juventin i ka dhënë një impakt pozitiv grupit të futbollistëve”, - përfundon kapiteni Alesandro Del Piero.
e premte, 21 gusht 2009
Abonohu te:
Posto komente (Atom)
Nuk ka komente:
Posto një koment