Sulmuesi i Fiorentinës paralajmëron “rivalin” e tij juventin që mund t’ia zërë vendin në kombëtare
“Gati për Championsin”. Alberto Gilardino është i bindur se Fiorentina do të ketë sukses kundër skuadrës së Sportingut të Lisbonës: “Jemi një skuadër e fortë, që do të bëjë mirë dhe të befasojë publikun, duke filluar që nga dita e martë në ndeshjet paraeliminatore të Championsit kundër portugezëve”, ka thënë sulmuesi vjollcë. “Këtë vit duam të jemi më konkretë në krahasim me vitin e kaluar, gjithsesi duke treguar kujdes ndaj vështirësive që nga ndeshja kundër Sportingut. Mutu? Për ne është vendimtar”. Në lidhje me vendimin, që e ka dënuar lojtarin rumun t’i paguajë 17 milionë euro Chelseat, Gilardino ka nënvizuar se si gjithë skuadra “është afër Mutus në nivel moral”. Ndërsa, duke iu rikthyer Sportingut, ish-lojtari kuqezi i ka idetë e qarta në lidhje me kundërshtarët e ardhshëm në Champions: “Sportingu ka një kulturë dhe një eksperiencë futbollistike të rëndësishme në nivelin europian. Do të duhet të jemi të përqendruar për të gjithë 90 minutat dhe të kërkojmë të shfrytëzojmë rastet që do të na paraqiten”. Duke konfirmuar se ai po i afrohet gjithnjë dhe më shumë gjendjes së tij më të mirë fizike ai tha: “Gjatë këtyre ditëve e ndiej se këmbët lëvizin më ndryshe në krahasim me ditët e kaluara”. Sulmuesi i skuadrës vjollcë më pas ka folur për pakënaqësitë, që kanë shoqëruar lëvizjet në merkato që janë bërë nga drejtuesit e klubit: “Në fillim të sezonit ka patur gjithmonë skepticizëm për këtë skuadër, por nuk duam të ndikohemi nga këto gjëra, grupi është i fortë dhe i bashkuar. Për merkaton mendoj se është folur shumë dhe ndonjë nga repartet e skuadrës është fajësuar padrejtësisht”. Në lidhje me luftën për titull në Serinë A për sezonin e ardhshëm Gilardino shikon “Interin dhe Juventusin me diçka më shumë në krahasim me 4-5 skuadra të tjera, që janë gati të zhvillojnë një kampionat të mirë”. Midis këtyre edhe ish-skuadra e tij, Milani, që sipas sulmuesit “do të rigjejë stilin e saj”. Në fund Gilardino ka folur edhe për mundësinë për të parë Amaurin tek kombëtarja italiane: “Nuk kam asnjë frikë ndaj tij, as nga sulmues të tjerë. Ekziston konkurrenca e duhur dhe unë ndihem gati si për Fiorentinën ashtu edhe për kombëtaren, edhe pse e di se nuk do të jetë e lehtë të përsëris rezultatet, që kam arritur sezonin e kaluar”.
e mërkurë, 19 gusht 2009
Abonohu te:
Posto komente (Atom)
Nuk ka komente:
Posto një koment