e shtunë, 1 gusht 2009
Juventusi i Ferrarës, leksion yjeve të Realit
E kishte mundur dy herë në sezonin e kaluar të Ligës së Kampioneve, por Juventusi i ri i Ferrarës fiton sërish kundër “galaktikëve” milionerë të Florentino Perezit. Cristiano Ronaldo dhe Benzema (në mungesë të Kaka'së) duket se nuk mjaftojnë për Realin e Madridit. Ndërkohë, Juventusi (pa brazilianin Diego) duket më e balancuar në fushë, të paktën për këtë pjesë të sezonit sesa spanjollët, ndonëse mbrojtja lë disi për të dëshiruar. Takimi i zhvilluar në stadiumin e Sevillas ishte i vlefshëm për gjysmëfinalet e Kupës së Paqes, por loja e zhvilluar nga të dyja formacionet nuk kishte aspak lidhje me paqen. Në terrenin e vështirë të Sevillas, Juventusi dhe Reali i Madridit ndeshen me njëra-tjetrën, njësoj sikur kjo përballje të ishte e vlefshme për finalen e Ligës së Kampioneve dhe jo për finalen e një turneu veror. Shumë kartonë të verdhe dhe shumë dëmtime të ashpra, aq sa në momente të ndryshme është rrezikuar seriozisht dëmtimi serioz i Cristiano Ronaldos, pas një ndërhyrjeje shumë të ashpër të Grygeras në minutat e fundit të ndeshjes. Fabio Cannavaro hap shumë shpejt valsin e golave, kur në minutën e tretë mposht portierin madrilen, Dudek, dhe në një farë mënyre hakmerret ndaj ish skuadrës së tij. Katër minuta nga fundi i 45 minutave të para, Chiellini gjunjëzon në zonë kapitenin Raul dhe Cristiano Ronaldo realizon nga pika e penalltisë. Në pjesën e dytë, Hasan Salihamidzic, sërish me një goditje me kokë “shkund” rrjetën e “galaktikëve” dhe kështu “Zonja e Vjetër” i jep një përgjigje të fortë sezonit futbollistik që pritet të fillojë. Për Kupën e Paqes, Juventusi do të gjejë në finale anglezët e Aston Vilës e cila në gjysmëfinalen tjetër ka eliminuar portugezët e Portos.
Abonohu te:
Posto komente (Atom)
Nuk ka komente:
Posto një koment