e mërkurë, 19 gusht 2009

Ferrara Interi, shembull për t u ndjekur

Në prag të trofeut “Luigi Berlusconi” ndaj Milanit sot në “San Siro”, trajneri s’u zë besë kuqezinjve

Interi ka treguar se nëse është akoma nevoja, duhet të jetë më i fortë. Megjithatë është një pikë referimi për ata që duhet ta ndjekin, besoj se duhet marrë si shembull për ata që duan të fitojnë”. Ciro Ferrara flet edhe për kampionatin në prag të trofeut “Luigi Berlusconi”, përballja tradicionale e verës mes Milanit dhe Juventusit në “San Siro”. “Kuqezinjtë kanë pasur probleme të ndryshme në fazën e përgatitjes, por do të synojnë të bëjnë një figurë të mirë para tifozëve të tyre”, - shtoi trajneri bardhezi. Por një tjetër çështje që e shqetëson shumë teknikun juventin, është edhe ajo e “Sissokos”: “Duam ta riaftësojmë mirë, do të jemi të kujdesshëm. Momo ka pësuar një ndërhyrje kirurgjikale dhe duhet koha e mjaftueshme që të mund të rikthehet në gjendjen më të mirë. Nuk ishte e drejtë të sforcohej për dhembjet që kishte, për gjëra të tilla as që ia vlen të rrezikosh. Sissoko është një lojtar shumë i fortë, shumë i rëndësishëm, por ne duam ta kemi të gatshëm 100%, pa rrezikuar gjë”. Në të vërtet, në prag të trofeut “Berlusconi”, është për t’u verifikuar edhe gjendja e Del Pieros dhe Marchisios, të cilët mund të mungojnë sonte në “San Siro”, por të gatshëm për javën e parë të kampionatit, ndërsa ka një shpresë të vogël për brazilianin Diego: “Do ta vlerësojmë ditët në vijim dhe do të marrim një vendim, është një përkushtim për të cilin është i gatshëm edhe ai”, - nënvizon Ferrara. Megjithatë Juventusi do të gjejë sot një Milan në vështirësi, por Ferrara nuk u zë besë kuqezinjve dhe kërkon fitoren, edhe pse një sukses i ri ndaj skuadrës së Leonardos, do të shtonte kohët e fundit besimin e kësaj Juveje, ku tifozët besojnë si asnjëherë tjetër, duke parë entuziazmin që i ka shoqëruar bardhezinjtë gjatë gjithë verës. “Entuziazmi të bën mirë dhe fitoret të ndihmojnë, sepse të lejojnë të punosh me qetësi, - komenton trajneri i “Zonjës”. - Por ne e dimë që duhet të përmirësohemi në disa aspekte dhe të punojmë me qetësi dhe përulësi, kështu do të arrijmë të marrim shumë kënaqësi. Të punosh me shumë entuziazëm të ndihmon, por duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, sepse ajo që kemi bërë deri dje nuk ka aspak rëndësi. Rëndësi kanë fitoret zyrtare dhe jo ato të verës”. Ferrara është shumë i kujdesshëm teksa flet, ndonëse Juventusi fitoi të premten edicionin e nëntë të trofeut “Tim” në Peskarë në sfidat 45-së minutëshe ndaj Interit e Milanit. Fillimisht bardhezinjtë mundën skuadrën e Mourinhos me 11-metërsha 7-6, pasi koha e rregullt u mbyll 1-1 (shënuan Thiago Motta e Amauri). Pastaj skuadra e Ferrarës mundi Milanin 2-0, falë golave të Amaurit sërish dhe Iaquintas. Ndërkohë Interi fitoi derbin me Milanin me një gol të Balotellit.

Nuk ka komente: