e premte, 21 gusht 2009

Diego: Kampionatin apo Championsin? Të dyja

Fantazisti brazilian shikon një të ardhme të madhe për Juventusin dhe nuk i vë asnjë limit vetes

Kur kanë mbetur edhe tri ditë nga fillimi i kampionatit, Juventusi shkon drejt sezonit të ri me një siguri më shumë. Eshtë Diego Ribas da Cunha, që ka munguar pothuajse gjatë gjithë fazës përgatitore për shkak të një shqetësimi muskular në këmbë. Në të vetmin aktivizim para Trofeut Berlusconi ka dhuruar lëvizje të magjishme dhe një gol të bukur, por kundër një kundërshtari të lehtë siç ka qenë skuadra e Seongamit. Ka qenë totalisht e një tjetër niveli përballja kundër Milanit, për vazhdimësinë në pozicionin e mesfushorit të avancuar: jo vetëm goli, pasime të sakta dhe finte të shumta, por edhe agresivitet, rekuperime të topave dhe një sens taktik që pak lojtarë me karakteristikat e tij e kanë. Ferrara ka thënë: Diego ka një teknikë të madhe, cilësi si në fazën e zotërimit të topit ashtu edhe në lojën pa top, por edhe fuqi dhe rezistencë fizike. Në një moment ka futur këmbën dhe topi ka mbetur aty. Ka treguar se është agresiv, dhe mbi të gjitha nuk ka qenë as në maksimumin e formës. Më pas arrin të lirohet gjithmonë nga markimet e kundërshtarëve.

MREKULLI PER SYTË - Braziliani këndon, dhe shpejtësia me të cilën kalon nga një regjistër tek tjetri është e njëjtë me atë që ka tek këmbët. Fantazi po, por praktikohet, bën koncert, asnjëherë vetëm për vete. Ferrara është i lumtur, shokët e skuadrës e kërkojnë gjatë gjithë kohës në fushë dhe Cobolli Gigli pasi e ka ndjekur për herë të parë direkt ka filluar të fërkojë sytë. Sepse në fakt ishte që nga koha e Zidane-it dhe e Platinisë që Juventusi nuk kishte në dispozicion një mesfushor të avancuar të pastër, i aftë të ndezë aksionet e skuadrës, duke i dhënë lehtësinë që i ka munguar gjatë viteve të fundit. Tani pres të shikoj Diegon që dialogon me Del Pieron - ka thënë presidenti. Do të jetë një mrekulli në të parë. Është një djalë me personalitet të madh, luan, mbron topin, sulmon, në disa momente është i magjishëm dhe që tani njihet nga ekipi si një lider. Ka qenë një blerje e madhe.

RRUGA E DUHUR - Domethënë ia vlen t’i krijosh kushtet e duhura që ai të shprehet në maksimum. Rekuperimi i tij është shumë i rëndësishëm, sepse kishim nevojë për të provuar këtë modul - ka thënë trajneri bardhezi. Kjo është rruga e duhur. Ndërsa, Cannavaro: Për sistemin tonë të lojës ai është thelbësor. Sistemi është ai 4-3-1-2. Unë me këtë modul loje ndihem mirë - ka siguruar mesfushori bardhezi. Më pëlqen. Është e qartë se duhet të punojmë akoma shumë, por jemi në rrugën e duhur. Gjërat funksionojnë gjithnjë dhe më mirë, e kam vënë re pikërisht në San Siro dhe të shënosh një gol në një stadium kaq të veçantë është një gjë fantastike.

BINDJE - Në gjysmën e pjesës së dytë Ferrara e ka hequr nga loja sepse braziliani nuk mund të luajë akoma për të gjithë 90 minutat. “Por tani që kam zgjidhur problemet fizike besoj se do të jem gati në 100% për fillimin e kampionatit, në maksimumin tim në fillimin e shtatorit, ka premtuar braziliani. Tani që gjërat fillojnë të jenë serioze, Diego ka treguar se është gati dhe se Juvja mund të mbështetet tek ai. Me skuadrën që kemi jam i bindur se mund të synojmë si kampionatin ashtu edhe Champions Ligën, ka thënë braziliani. Ka pasur një mbingarkim. Tani ka mbetur pak dhimbje që duhet eleminuar. Ndihem më mirë, shpresoj të rekuperoj - ka thënë Del Piero.

Nuk ka komente: