e premte, 21 gusht 2009
Buffon: Kundër Chievos, finalja jonë e parë..
Përgatitjet parasezonale kanë qenë mëse pozitive. Tani Juventusi është gati ta nisë sezonin e ardhshëm me entuziazmin e duhur. Për këtë gjë është i bindur Gianluigi Buffon, i cili përshtypjet e tij mbi kampionatin e ardhshëm i përshkruan në webs faqen personale. “Gjatë fazës përgatitore kemi mbledhur sinjale shumë të rëndësishme dhe pozitive. Skuadra është përmirësuar ndjeshëm kundrejt vitit të ardhshëm dhe ky fakt nuk mund të bëjë gjë tjetër, veçse të rritë entuziazmin dhe vetëbesimin tonë për të kërkuar fitoret e mëdha. Rezultatet e mira dhe stafi i ri teknik kanë sjellë një klimë pozitive në skuadër, ndaj mendoj se tani është koha për të filluar të mendojmë seriozisht”. Interi mbetet skuadra për t’u mundur dhe portieri i Juventusit nuk e fsheh këtë fakt, por pavarësisht të gjithave, Bufon është gati për sfidën me kampionët e Italisë. “Gjatë Trofeut ‘Tim’ të disa ditëve më parë kam mundur ta shoh nga afër në aksion Interin dhe realisht m’u dukën shumë të fortë, duke konfirmuar kështu bindjet e mia mbi grupin e Jose Mourinhos. Edhe një herë, zikaltrit mbeten skuadra për tu mundur, por ky fakt nuk duhet të na demoralizojë përkundrazi, duhet të na motivojë për t’u përmirësuar edhe më shumë me kalimin e ndeshjeve - vazhdon Gianluigi Buffon. Për të synuar titullin kampion nuk duhet të bëjmë hapa të gabuar dhe duhet të luajmë gjithmonë me të njëjtin përqendrim, duke filluar që nga ndeshja e parë e sezonit me Chievon. Ndaj tyre duhet të zbresim në fushë me bindjen se jemi të fortë dhe të mbyllim sa më parë takimin. Gjithsesi, ajo ndaj veronezëve do të jetë vetëm një nga 38 finalet që na presin deri në fund të kampionatit italian. Të mos harrojmë se Chievo do të vijë shumë e motivuar në Torino, edhe si rrjedhojë e barazimit të marrë sezonin e kaluar, pikë e cila i dhuroi matematikisht qëndrimin në Serinë A rivalëve tanë. Duhet të tregohemi të kujdesshëm në mënyrë të veçantë ndaj Sergio Pellissierit, i cili në Torino në kampionatin e kaluar më shënoi tri herë” - deklaron numri 1 i Juventusit, Gianluigi Buffon.
Abonohu te:
Posto komente (Atom)
Nuk ka komente:
Posto një koment