e diel, 15 shkurt 2009

Del Piero në mesfushë, Juves i duhet Cassano

Është gjithçka një lojë. Megjithatë të shohësh në fushë “mesfushorin” Alessandro Del Piero, të krijon një farë efekti. Ndodhi dje pasdite në fushën e Vinovos, në miqësoren kundër diletantëve të Chisolas. Trajneri bardhezi duhet t’i bëjë mirë llogaritë. Zanetti është i dëmtuar, Sissoko do të qëndrojë pushim deri të hënën, Poulsen e Tiago duhet të riaftësohen pas aktivizimeve me kombëtaret e tyre respektive. Atëherë lajmi është se Del Piero zhvendoset në mesfushë: moduli 4-3-3 dhe kapiteni bën një hap prapa, luan njëlloj si Pirlo te Milani. Marchionni qëndron pushim, Nedvedi po ashtu dhe bën shaka me ish-shokun e tij Edgar Davids, i cili vizitoi në Vinovo miqtë juventinë: “E pe Edgar, më lanë jashtë”. Ndeshja fillon me Camoranesin në të djathtë, Marchision në të majtë, para tredhëmbëshit Amauri-Trezeguet-Iaquinta. Përfundon 3-0 (goli i dytë i Iaquintës pas pasimit të Del Pieros). Vërtet, është vetëm një stërvitje e zakonshme në mesjavë. Vërtet, është vetëm një lojë. Por edhe një Del Piero i tillë, mund të tregojë sa vlen në mesfushë. E para: një kampion shihet nga kurajua, nga altruizmi, nga fantazia, nga gatishmëria. Del Piero është një kampion: luan kudo që e vendos. Kështu bën te Juventusi prej 16 sezonesh dhe kështu duhet të vazhdojë të paktën deri në qershor të 2010-ës. E dyta: Del Piero që bën (edhe) mesfushorin, mund të hapë skenarë të rinj në merkato. Për këtë po punon Alessio Secco: para pak ditësh në një tryezë në një restorant të Seviljes, drejtori sportiv ka takuar Seguin, përgjegjësin e merkatës spanjolle për “Img”-në. Juventusi po kërkon zëvendësuesin e Nedvedit prej kohësh dhe disa pista e çojnë në Spanjë: nga David Silva te Joaquin. Jo vetëm kaq. “Img”-ja vitin e shkuar, ishte e para që hodhi bazat e një kalimi të mundshëm të Diegos te bardhezinjtë. Tani, klubi dhe trajneri, duken të bindur që braziliani nuk është më objektivi kryesor, sepse ardhja e tij do të braktiste skemën e kolauduar 4-4-2. Atëherë më mirë që Juvja të kthehet te historia me Cassanon. Bisedimet vazhdojnë, çmimi nuk është ndonjë lajm i ri: për kontratën e sulmuesit të Sampdorias, ekziston një mundësi zgjidhjeje prej 20 milionë eurosh. Megjithatë, për momentin është thuajse e pamundur që klubet të flasin në prag të ndeshjes Juventus-Sampdoria, nesër. “Një diskutim i parakohshëm, - ia pret shkurt Secco, - sepse Juvja ka katër sulmues dhe vetëm një sulmues të dytë”, që është pikërisht Del Piero. Njëri që një kampionat më parë shënoi 21 gola dhe që ndoshta një ditë mund të zbresë në mesfushë dhe t’ia lërë vendin e tij Cassanos. Por qetësohuni, për momentin është vetëm një lojë.

Video nga ndeshja

Nuk ka komente: