e premte, 13 shkurt 2009

Trezeguet: Dua Championsin, ëndrra ime!

Sulmuesi francez është gati për finalen e sezonit dhe “gjen” pasardhësin e Nedvedit: Më pëlqen Ribery

David Trezeguet është gati. Pasi është rikthyer në fushë pas një dëmtimi të gjatë në gju, sulmuesi i Juventusit kërkon të rishijojë kënaqësinë e golit që i mungon shumë. “Jam mirë, - tha “bomberi” francez, - jam në gjendje të luaj që nga fillimi dhe shpresoj të kthehem dhe të shënoj”. Francezi kërkon të jetë vendimtar në finalen e sezonit: “Kemi objektiva të rëndësishme për të arritur, si kampionati, Kupa e Italisë dhe Championsi, që është ëndrra ime, sepse është trofeu i fundit që më mungon akoma”.

NË FORMACION - Të dielën pasdite qendërsulmuesi 31-vjeçar mund të luajë që nga fillimi së bashku me Del Pieron, në ndeshjen që bardhezinjtë do të kenë ndaj Sampdorias në Torino: “Bëhet fjalë për një ndeshje të vështirë, sepse që në fazën e parë Sampi na vuri në vështirësi, duke na marrë dy pikë të rëndësishme pas barazimit 0-0. Blukaltrit, - ka vazhduar Trezeguet, - përveç se kanë një grup të bashkuar, kanë edhe një lojtar si Cassano, që mund të bëjë ndryshimin. Por ne duhet të fitojmë, duke shpresuar t’i afrohemi Interit që do të ndeshet në derbi me Milanin. Pra, Juventusi mund të thotë fjalën e tij për sa i takon titullit”.

RIBERY DHE FRANCA - Më tej Trezeguet ka hapur mundësinë e ardhjes te Juventusi për bashkëkombasin e tij Ribery: “Për pasardhësin e Nedvedit klubi e di që duhet të blejë një lojtar të nivelit të lartë. Ribery? Është shumë i fortë në rolin e tij, sigurisht do të ishte një përforcim i shkëlqyer”. “Bomberi” transalpin, në fund nuk ia mbyll akoma dyert kombëtares, ndonëse ka mosmarrëveshje të mëdha me trajnerin “e gjelave”, Raymond Domenech: “Personalisht shpresoj të përqendrohem për skuadrën, pastaj mbi një rikthim të mundshëm timin do të shohim”.

TIAGO - Nga objekt misterioz, në lojtar vendimtar për skemat e Juventusit. Ajo e Tiagos është një histori e gjitha për t’u treguar: në fillim një lojtar për t’iu shitur blerësit më të mirë, pastaj simbol i një Juventusi që arrin të dalë nga një periudhë e gjatë krize dhe në fund futbollisti i dëshiruar pas një dëmtimi të gjatë që e la jashtë. Mesfushori bardhezi, në këtë periudhë delikate të sezonit, ka pohuar: “Kam kaluar një periudhë të vështirë, është e vërtetë, - shpjegon portugezi, - por nuk dua të kthehem më prapa. Qëndrova te Juvja për ta ndihmuar të fitojë Championsin. Jam i sigurt që mund të rifitoj hapësirën time si te Juventusi, ashtu edhe në kombëtare. Duhet të punoj shumë për të mos e humbur këtë rast”.

Nuk ka komente: