e martë, 17 shkurt 2009

Ranieri: Ishim thjesht të pafat

Trajneri bardhezi, Claudio Ranieri, është shumë i kënaqur nga skuadra e tij, pavarësisht barazimit disi të papritur në “Olimpico” kundër Sampdorias. “Këtë ndeshje mund ta kishim humbur pas pjesës së parë, por ne u treguam të zotët për të marrë kontrollin e takimit edhe duke u gjendur në disavantazh, - analizon përballjen e djeshme tekniku i formacionit torinez. – Kur ndërton aq shumë raste për shënim dhe nuk arrin të konkretizosh, rrezikon ta humbasësh përballjen, por ne barazuam dhe sigurisht që meritonim të fitonim. Lojtarët zhvilluan një ndeshje madhështore, spektakolare, ndaj nuk kam se për çfarë t’i qortoj në përfundim të kësaj ndeshjeje”. Mbi golin e pësuar, Claudio Ranieri përgëzon kundërshtarin, ndonëse edhe gabimet e kryera nga mbrojtja e tij në ndeshjet e fundit kanë qenë të tepërta. “Sampdoria është një skuadër e fortë dhe sigurisht që ndaj të mëdhave di të luajë në sulm dhe të shënojë. E vërtetë që në ndeshjet e fundit kemi pësuar mjaft gola, por gjithsesi një problem të tillë do të përpiqemi që ta sistemojmë, - vazhdon Claudio Ranieri – Giovinco? Sebastian zhvilloi një ndeshje të shkëlqyer, ndonëse në një takim si ky do të më ishte nevojitur më shumë Trezeguet. Gjithsesi, kurrë nuk kam kërkuar justifikime mbi mungesat tona. Giovinco, gjithsesi duhet përgëzuar, pasi na dha një ritëm tjetër loje menjëherë pasi zbriti në fushë”. Barazimi i djeshëm sigurisht që mund të peshojë në renditjen e Juventusit, por gjithsesi, Ranieri nuk kërkon të përmendë fjalën titull: “Tashmë, objektivi ynë i vetëm është të hymë në fushë dhe të mendojmë për të sjellë në shtëpi tri pikët. Duhet të mendojmë vetëm të fitojmë, nuk duam të bëjmë llogari. Sot (dje) pashë në fushë një skuadër, e cila më ka pëlqyer shumë, pavarësisht barazimit dhe shpresoj që ndeshje si kjo ta përsëritim shumë në të ardhmen. Më pas, me rikthimin edhe të disa prej lojtarëve tanë do të mund të ndryshojmë diçka edhe në reparte të ndryshme”, përfundon trajneri i formacionit juventin, Claudio Ranieri.

Nuk ka komente: