e martë, 17 shkurt 2009

Buffoni e sheh titullin edhe më larg

Portieri dorëzohet: “Tani është edhe më e vështirë”. Ndërkohë Amauri ka akoma nostalgji për Palermon

Nëntë pikë largësi mes Interit e Juventusit kanë filluar të bëhen shumë. Le të themi se loja tani është bërë më e vështirë”. Nëse nuk është një dorëzim, edhe pak duhet. Gigi Buffon e ëndërron sërish titullin, por pas barazimit në Torino me Sampdorian dhe fitores së Interit në derbi, beson gjithnjë e më pak. “Nuk do të jetë e lehtë t’u afrohemi zikaltërve, por Juventusi është gjithnjë një skuadër luftëtarësh, - shpjegoi portieri bardhezi, - ndaj të mos ia mbyllim dyert shpresës”.
Duke folur për momentin e formës së tij, numri një juventin ka pranuar: “Në ndeshjet e fundit ndaj Cagliarit e Sampdorias, kam bërë ndonjë gabim: nga vetja pretendoj më shumë”. Në fund Buffoni foli edhe për Ranierin, ndaj të cilit kanë rifilluar kritika të reja, si në fillim të këtij kampionati: “Trajneri është shumë mirë, nuk jemi ne lojtarët që duhet t’i japim këshilla. Unë besoj gjithnjë te qëllimi i mirë që kanë njerëzit. Për këtë besoj edhe te sinqeriteti i Adrianos”. Kështu portieri i Juves, komenton edhe golin e shënuar dukshëm me dorë në derbin milanez të sulmuesit brazilian të Interit: “Ajo goditje me dorë, e riparë disa herë në televizor, m’u duk absolutisht e paqëllimshme. Episode të tilla janë pjesë e paparashikueshmërisë së futbollit”.

AMAURI E PALERMO - Dy vite fantastike nuk harrohen lehtë. Është rasti i Carvalho de Oliveira Amauri, që pak ditë në prag të ndeshjes mes Palermos dhe Juventusit, ripërshkruan dy vitet e bukura në karrierën e tij: “Asnjë nuk do ta besojë, por jam emocionuar më shumë kur luaja te Palermo, sesa kur shënova ndaj Realit të Madridit në Champions, - tha braziliani. - Nëse sot jam një lojtar i Juves, i detyrohem Palermos. Për këtë fakt, ky qytet, me njerëzit e tij do të mbesë gjithnjë në zemrën time”. Tani që duhen edhe pak ditë në prag të sfidës në “Barbera”, Amauri fillon të ndjejë edhe më shumë: “Jam i sinqertë dhe ka pak kohë që po mendoj për këtë, - vazhdoi ai. - Për mua do të jetë një ditë e veçantë, kur të jem para stadiumit, jam i sigurt që do të emocionohem. Dhe në rast se shënoj ndaj ish-skuadrës sime, nuk do të festoj”.

Cassano “po”, Aquilani “jo” - Do të bëjmë dy blerje të rëndësishme për të përforcuar skuadrën në sezonin që vjen”. Kështu presidenti i Juventusit Cobolli Gigli flet për të ardhmen e skuadrës, duke theksuar që do të jetë Alessio Secco ai që do të merret me merkaton dhe objektivat që tani janë piketuar. Strategjia e klubit është e saktë dhe drejtuesit e rinj do të vazhdojnë të mbajnë në skuadër kampionët e tyre. Për në qershor ka objektiva të rinj. Për këtë, pista që të çon te Diego është braktisur për momentin, edhe pse raportet me stafin e brazilianit mbeten të mira. Juvja kërkon Cassanon dhe në këtë aspekt janë bërë hapa të rëndësishëm përpara. Barezi pëlqehet dhe fjalët e Cobolli Giglit mbi pjekurinë e lojtarit, lënë të kuptosh shumë: “Është simpatik dhe tani u pëlqen të gjithëve. Është një lojtar i madh, por për merkaton kujdeset drejtori Secco. Megjithatë, Cassano është një emër që e kemi në konsideratë”. Për Cassanon, bardhezinjtë janë gati të bëjnë gjithçka, ndërsa është më e vështirë të arrihet te Alberto Aquilani: “Nuk kemi asnjë marrëveshje rrugës, - tha presidenti. - Ranieri? Po punon mirë. Kemi një kontratë dhe si ai, ashtu edhe ne jemi të lumtur që po vazhdojmë bashkë”.

Nuk ka komente: