e hënë, 2 shkurt 2009

Buffon do Diegon te Juventusi

Dhurata e ditëlindjes për Gianluigi Buffon ishin dy gola të pësuar dhe një disfatë shkatërruese në transfertën e Udineses. Sigurisht që “dhuratat” e Quagliarellas dhe Di Natales nuk i kanë pëlqyer aspak numrit 1 më të mirë në botë, por gjithsesi, italiani nuk dorëzohet për titullin, pasi shpreson se situata mund të ndryshojë sërish në të ardhmen. “Sigurisht që nuk ishte kjo, surpriza që prisja për ditëlindjen time. Që kur kam mbërritur te Juventusi, kjo ka qenë hera ime e parë që dal i mposhtur nga “Friulli”, por nga ana tjetër, një humbje e tillë sigurisht që pritet pas një vazhde të gjatë fitoresh. Pavarësisht kësaj, disfata ndaj Udineses nuk e njollos absolutisht kampionatin tonë. Të shtunën na pret një ndeshje me Cagliarin, skuadrën më në formë për momentin, me të cilën duhet të rigjejmë menjëherë fitoren. Një tjetër lajm pozitiv është rikuperimi i të gjithë të dëmtuarve, të cilët do të na ndihmojnë më shumë për vazhdimin e sezonit”, shprehet mbrojtësi ekstrem i torinezëve. Bufon pret Diegon – Portieri i Juventusit nuk qëndron indiferent as përballë zërave të merkatos, që flasin për afrimin e Diegos në Torino. Buffon e pret krahëhapur brazilianin e werder Bremenit dhe në të njëjtën kohë u bën një apel drejtuesve të klubit që të bëjnë një sforco ekonomike për të blerë futbollistin në fjalë. “Sigurisht që për lojtar si Diego, ia vlen të bësh një sforco ekonomike. Sigurisht që nuk jam i bindur se mbërritja e lojtarit të Werderit në Torino do t’i japë një shtysë të madhe skuadrës sonë, por mesa e kam ndjekur Diegon në fushë, jam i sigurt se për momentin janë të paktë kampionët si ai”, vazhdon Buffon. Pavel Nedved – “Përsa i përket Nedvedit, mendoj se lojtarë si ai nuk do të vinë më në botën e futbollit, kështu që mënyra e vetme për të zëvendësuar atë, është klonimi. Edhe pse 36 vjeç, Nedved vazhdon të stërvitet me intensitet dhe të sakrifikohet më shumë se të tjerët në fushë dhe patjetër që vazhdon të jetë i rëndësishëm për ne”. Markizio – Një ndër të pa-ktët të rinj që ka mahnitur Buffonin është shoku i tij i skuadrës, Claudio Marchisio. “Që në sezonin e kaluar, e kam këshilluar Ranierin të risillte në skuadër Claudion. Edhe vetë ai e kishte vënë re forcën e tij dhe jam shumë i bindur që me kalimin e ndeshjeve, Marchisio do të shndërrohet në një ndër pikat tona më të forta, por edhe një ndër lojtarët më të fortë në botë”. Championsi, objektivi primar – Çfarë i mungon karrierës sime? “Liga e Kampioneve, e më pas duke pasur, Kupa Interkontinentale ose tashmë Kupa e Botës për klube, të cilat jam shumë i sigurt se do t’i fitoj në të ardhmen”, përfundon portieri i Juventusi.

Nuk ka komente: