e mërkurë, 4 shkurt 2009

Cobolli Gigli: Ranieri nuk rrezikon postin te Juventusi

Presidenti i Juventusit, Giovanni Cobolli Gigli, konfirmoi besimin për të gjithë ata që punojnë

në klub dhe përgënjeshtroi zërat që flisnin se puna e Claudio Ranierit në krye të skuadrës është në rrezik. Gjatë muajit janar, bardhezinjtë kanë treguar një formë shumë të dobët, duke u shkëputur disi nga Interi kryesues. Ata nuk arrijnë të fitojnë prej tri ndeshjesh në Serinë A: duke grumbulluar vetëm 1 pikë. E përditshmja italiane, "Il Giornale" pretendonte se Ranieri do të largohej nga drejtimi i ekipit nëse rezultatet negative vazhdojnë, por Gigli mendon ndryshe. "Ranieri do të vazhdojë të jetë trajneri i Juventusit edhe gjatë vitit të ardhshëm dhe për këtë nuk ka asnjë dyshim", tha drejtuesi i klubit për "Corriere Dello Sport". "Ai ka kontratë edhe për tri vitet e ardhshme dhe ne jemi mësuar që t‘i respektojmë marrëveshjet me trajnerët. Nuk shoh ndonjë arsye përse Ranieri nuk duhet të vazhdojë punën". Humbja në shtëpi me Cagliarin ishte më e vështira për t‘u kapërdirë dhe shpresat për të luftuar për titullin kampion u venitën. Gjithsesi, presidenti beson se skuadra e ka potencialin që të qëndrojë deri në fund në garë. "E kam thënë dhe e përsëris, shtoi ai, titullin nuk mund ta fitojmë ne, por mund ta humbasë dikush tjetër. Detyra jonë kryesore është që të fitojmë ndeshjet. Nuk jemi të shqetësuar për momentin negativ, pasi edhe skuadrat e tjera kanë bërë hapa falsë". Në merkaton e dimrit, Juventusi nuk arriti të përforconte merkaton. Një prej emrave më të lakuar ishte dhe Gigli pranon se klubi ende po punon për fantazistin brazilian të Werder Bremenit. "Nuk mund të them se Diego ishte objektivi ynë kryesor, e njëkohësisht nuk mund të them me siguri se ai do të bëhet pjesë e skuadrës", tha njëshi i bardhezinjve. "Do të presim dhe të shohim se çfarë mund të ndodhë në qershor, kur do t‘i shqyrtojmë më seriozisht të gjitha alternativat". Një tjetër lojtar i kërkuar nga Juventusi është Marek Hamsik. Mesfushori sllovak shihet si pasardhësi i denjë i Pavel Nedved, por ai cilësohet i pashitshëm nga Napoli. Megjithatë, në Torino kanë një "as nën mëngë" për të bindur drejtuesit në "San Paolo": bëhet fjalë për sulmuesin Vincenzo Iaquinta, që së fundmi ka refuzuar një ofertë mjaft fitimprurëse nga Zenit St. Petersburg.

Nuk ka komente: