e mërkurë, 4 shkurt 2009

Ranieri: Duam të kalojmë turin në Kupën e Italisë

Tekniku i Juventusit, Claudio Ranieri, e sheh me mjaft rëndësi ndeshjen me Napolin për çerekfinalet e Kupës së Italisë. Kjo është ndeshja e fundit për këtë tur, pasi tre ndeshjet e tjera janë luajtur më parë. Ndeshja është parashikuar për t’u luajtur nesër në orën 20:45 në stadiumin “Olimpico” të Torinos. “Kupa e Italisë ka një rëndësi të veçantë për ne, sepse, siç e kam thënë shumë herë, ne duam që të bëjmë paraqitje të mira në të gjitha kompeticionet dhe t’u shkojmë deri në fund të gjithave, -deklaron Claudio Ranieri. Kjo e nesërmja është një ndeshje mbijetese, dhe ne jemi të përgatitur plotësisht për ta fituar atë”.Përballjet e këtij turi janë vetëm me një takim, dhe skuadra që do të fitojë nesër do të përballet në gjysmëfinale me Lazion. Çifti tjetër gjysmëfinalist është ai mes Interit dhe Sampdorias.

Nuk ka komente: