e hënë, 2 shkurt 2009

Ranieri nuk heq dorë nga ideja e titullit

Humbja me Udinesen ka qenë vetëm një aksident i vogël dhe Ranieri nuk ka aspak ndërmend të dorëzohet, ndonëse është gjashtëpikë larg Interit. “Nuk jemi të lodhur. Po të ishte kështu, nuk do ta kishim shtypur Udinesen në gjysmë fushën e sajpothuajse gjatë gjithë kohës. Mund të them vetëm se nuk ishim shumë kompaktë”. Juventusit i duhet patjetër një rikuperim kundër skuadrës së Allegrit, sepse kështu bardhezinjtë do të kishin mundësi t’i jepnin një sinjal Mourinhos: Juventusi nuk heq dorë! “Ishim të vetëdijshëm që Interi është i fortë dhe vazhdojmë të mendojmë sesi mund t’u bëhemi pengesë. Kampionati është ende i gjatë, kështu që ka kohë”. Rikthehet Chiellini – Tri pikë kundër Cagliarit janë shumë të rëndësishme për “Zonjën e Vjetër”. “Është e vërtetë që janë shumë të nevojshme tri pikët, por nuk do të jetë aspak e thjeshtë, – ka pranuar Ranieri. – Kaljari është skuadra më në formë e momentit dhe ne jemi shumë të vetëdijshëm për këtë”. Ranieri ka rikuperuar Chiellinin, por duhet të bëjë pa Giovincon dhe Camoranesin. “Nuk e di nëse francezi do të jetë në gjendje ta nisë që nga fillimi”. Cagliari – Cagliari do të zbresë në fushë pa kapitenin e saj, Diego Lopez, në ndeshjen që do të luajë sot me Juventusin. Mbrojtësi uruguaian nuk ka udhëtuar drejt Torinos me skuadrën e tij, për shkak të një dëmtimi në kofshën e djathtë gjatë ndeshjes së të mërkurës kundër Sienës. Në vend të tij do të luajë Bianco. Ndërkohë që është rikuperuar edhe Robert Acquafresca, i cili është detyruar të largohet nga fusha të mërkurën për shkak të një dëmtimi. Janë nëntëmbëdhjetë lojtarë të grumbulluar nga Allegri, i cili në përfundim të stërvitjes gjatë mëngjesit të djeshëm ka lënë të kuptohet se mund të ketë sërish risi në formacion, përveç rikthimit të Marketit në portë. Rikthehet Del Piero – Juventusi do të jetë me Del Pieron kundër Cagliarit. Kapiteni i bardhezinjve do të rikthehet në formacion, pas mungesës në ndeshjen që është zhvilluar kundër Udineses. Është rikuperuar edhe Tiago, i cili është në listë së bashku me Zanettin, edhe pse për këtë duhet pritur stërvitja e fundit për të kuptuar nëse do të jetë i disponueshëm, apo jo.

Nuk ka komente: