e mërkurë, 4 shkurt 2009

Amauri: Endërroj gjithmonë Brazilin

Ndërkohë, Juventusi nuk e lejon lojtarin të bashkohet me kombëtaren. Cobolli pranon: Është vendim i klubit

“Endrra ime është të luaj me Brazilin, por nga ana tjetër jam i gatshëm të pranoj vendimet e Juventusit që është dhe klubi që më paguan. Gjithsesi, të hënën (sot) do të kem një takim me drejtuesit e klubit dhe do të shohim”. Me këto fjalë, të lëshuara për një gazetë braziliane, Amauri i rihap dyert kombëtares së Dungës pas ‘jo’-së që ka ardhur nga presidenti Cobolli Gigli në fund të ndeshjes me Cagliarin. Juvja i ka thënë ‘jo’ trajnerit të kombëtares së Brazilit, i cili ka thirrur Amaurin për miqësoren e 10 shkurtit që do të zhvillohet në Londër kundër Italisë. “Eshtë një vendim i klubit, - ka thënë presidenti bardhezi, Cobolli Gigli, në fund të ndeshjes së të shtunës. - Kemi vendosur të mos e pranojmë këtë kërkesë dhe ia kemi komunikuar këtë lojtarit që e ka pranuar qetësisht vendimin. Kemi nevojë më shumë se kurrë të jemi të përqendruar. Kërkesa e Brazilit është jashtë afateve të përcaktuara”. Pra, nuk ka Brazil për Amaurin, që ka marrë thirrjen e tij të parë nga Selecao pas dëmtimit të Fabianos. Juventusi ka vendosur të mos ia japë autorizimin sulmuesit për t’u bashkuar me kombëtaren verdhejeshile. I takonte klubit torinez të jepte miratimin e tij: afati ligjor i përcaktuar nga FIFA për thirrjen e lojtarëve, që luajnë jashtë vendit të tyre, në fakt kishte skaduar me kohë. “Nuk na ka ardhur asnjë kërkesë dhe nëse kjo do të vinte do të ishte jashtë kohës së përcaktuar nga rregullorja. Nuk do ta pranojmë, - ka thënë Cobolli Gigli. - Lojtari është informuar. Përgjegjësia është e jona”. Por Brazili, që duke parë dëmtimin e Luis Fabianos, përgatiti dhe ftesën për Amaurin, mund të këmbëngulë dhe të ankohet në FIFA për përgjigjen negative të Juventusit. Federata braziliane, ka të drejtë të thërrasë cilin lojtar dëshiron, në rast të një dëmtimi të një futbolisti të grumbulluar më parë.

Nuk ka komente: