e mërkurë, 4 shkurt 2009

Pengu i Buffonit: Nuk ditëm të përfitojmë

Barazimi shtëpiak i Interit me Torinon ka shtuar keqardhjen në kampin juventin, pas humbjes me Cagliarin. “Barazimi i Interit e bën më pak të hidhur humbjen – pranon Gigi Buffon, numri 1 i Kombëtares italiane dhe i Juves. - Distanca mbetet thuajse e pacenuar me zikaltrit që përfituan vetëm 1 pikë më shumë. Kjo, megjithatë, nga ana tjetër na rrit keqardhjen. Është i natyrshëm një ndërrim pozicionesh me Milanin, por në fund ka rëndësi vetëm vendi i parë. Titulli? Duhet të besojmë dhe të provojmë, ndonëse nuk e dimë nëse do t’ia dalim mbanë”. Buffon nuk beson se rënia e skuadrës së Ranierit varet nga dëmtimet e shumta. “Nuk besoj se Juve e paguan këtë, më shumë se sa lodhjen për një ndjekje që merr shumë energji”. Amauri Disa fjalë edhe për Amaurin, që Juve nuk ia ka lëshuar Brazilit dhe kështu që ka mundësi ende të thirret nga Lippi: “Neve nuk na ka treguar asgjë. Janë gjëra personale, por në këtë rast vlen thënia: Shko ku të dërgon zemra. Amauri do të ishte i vlefshëm për Italinë, ashtu si për Brazilin dhe të gjitha përfaqësueset e tjera”. Mësohet se braziliani do të donte t’i përgjigjej grumbullimit të Brazilit, aq sa ka hyrë në kontakt me federatën e atjeshme, për të luajtur në miqësoren e 10 shkurtit ndaj Italisë. Por në mes sulmuesit dhe përfaqësueses braziliane duhet të jetë Juventusi. Këto janë fjalët e lojtarit bardhezi, sipas asaj që bëhet e ditur në shtypin brazilian: “Preferenca ime është për “Seleçaon”, por jam i detyruar të respektoj vendimet e Juves”. Kështu, gjithmonë sipas mediave braziliane, Amauri duhet të takojë drejtuesit e klubit torinez, për të marrë një autorizim që t’i përgjigjet grumbullimit që i ka bërë Dunga, i cili e thirri për të zëvendësuar të dëmtuarin Luis Fabiano. Për t’u shikuar është nëse klubi bardhezi do të ndryshojë pozicion, pasi Cobolli Gigli ishte shprehur shumë qartë pas ndeshjes me Cagliarin: “Nuk ka ardhur asnjë, por edhe nëse do të vinte kërkesa e Dungës, do të ishte gjithsesi jashtë kohës së vlefshme. Nuk do ta pranojmë. Na duhet të përqendrohemi në etapat e ardhshme të Juves dhe duam që të qëndrojë me ne”. “Fatkeqësisht, për momentin nuk mund të lëshoj deklarata për këtë argument – ka thënë vetë juventini në “globoesporte.com” -. Po e diskutojmë dhe këto ditë do të kem një përgjigje konkrete dhe zyrtare nga ana e klubit. Sidoqoftë është një situatë e ndërlikuar”.

Nuk ka komente: