e hënë, 2 shkurt 2009

“Po kalojmë thjesht një moment negativ”

“Vazhdojmë të besojmë te fitimi i titullit kampion”. Pavarësisht se Juventusi ndalet në mënyrë të papritur nga Cagliari, Alessandro Del Piero nuk dorëzohet mbi mundësinë e fitimit të kampionatit. “Vazhdojmë të besojmë në arritjen e objektivave tanë sezonalë, edhe pse pas kësaj humbjeje asgjë nuk duket shumë e thjeshtë, krejt ndryshe nga dhjetë ditë më parë. Duhet të kemi parasysh që dy javët e fundit kanë qenë tepër të ngarkuara për ne. Por shpresojmë që një moment të tillë të vështirë ta përjetojnë edhe skuadrat që ndodhen sipër nesh, - thotë numri 10 i formacionit bardhezi. – Tani e vetmja gjë që kërkojmë është të rikuperojmë pjesën më të madhe të lojtarëve të dëmtuar dhe nga ana tjetër shpresojmë që Giorgio Chiellini të mos ketë pësuar një dëmtim të rëndë”. Sigurisht, që Alessandro Del Piero nuk mund të lërë pa analizuar edhe disfatën me Cagliarin. “Në atë përballje nuk mungoi asgjë. E nisëm mirë ndeshjen, por kaljaritanët u treguan të zotët të kalonin në avantazh. Megjithatë edhe ne arritëm të gjenim forcën t’u kundërpërgjigjeshim, e madje përveç golit të barazimit, e mbyllëm pjesën e parë të takimit në avantazh. Edhe në 45 minutat e dyta dukej sikur e kishim ndeshjen nën kontroll, por më pas... Për ne duket se ky moment është disi delikat dhe e vetmja mënyrë për ta kaluar është t’i rikthehemi stërvitjes intensive. Kemi kualitetet e duhura për të kaluar këto probleme, kështu që kjo gjendje nuk është se na shqetëson shumë. Pra, nuk jemi aspak në krizë. Të mërkurën kemi një mundësi të artë ndaj Napolit në Kupën e Italisë për t’iu rikthyer rrugës së suksesit, një ndeshje e vetme, e cila mund të na dhurojë gjysmëfinalen e kompeticionit”, ka deklaruar kapiteni i Juventusit, Del Piero.

Nuk ka komente: