e hënë, 2 shkurt 2009

Presidenti Cobolli Gigli nuk lejon brazilianin të shkojë

Trajneri i Kombëtares braziliane, Carlo Dunga, ka grumbulluar sulmuesin e Juventusit, Amauri, për miqësoren me Italinë që do të luhet më 10 shkurt në Londër. “Grumbullimi i sulmuesit është bërë në bazë të autorizimit të klubit italian. Duke qenë se ka skaduar afati ligjor i vendosur nga FIFA për grumbullimin e futbollistëve që luajnë jashtë shtetit, konfirmimi i thirrjes së Amaurit varet nga autorizimi i Juventusit”, shkruhet në deklaratën e Federatës Braziliane të Futbollit. Pra, nëse bardhezinjtë s’do të autorizojë lojtarin, Amauri nuk do të mund të jetë në dispozicion të Dungës, e për pasojë ka shumë mundësi të bëhet së shpejti pjesë e përfaqësueses italiane të Marcello Lippit. Ndërkohë, ana tjetër e medaljes siguron se nëse Amauri aktivizohet sikur edhe për një sekondë me fanellën e “Selecaos”, atëherë mundësia për të veshur fanellën e të kaltërve do të ishte e pamundur. Gjithsesi, bomba e vërtetë vjen pas përfundimit të takimit mes Cagliarit dhe Juventusit, ku presidenti Cobolli Gigli ka hedhur poshtë mundësinë e bashkimit të Amaurit me Kombëtaren braziliane. “Ftesa e trajnerit të Brazilit nuk ka mbërritur në selinë tonë, por edhe sikur ajo të paraqitet në ditët e ardhshme, ne nuk do ta lejojmë lojtarin të niset. Ftesat nga ana e përfaqësueseve kanë një kohë të caktuar, por duke parë situatën tonë, nuk do lejojmë që Amauri të bashkohet me Brazilin. Kemi informuar për këtë lajm vetë lojtarin dhe ne si shoqëri marrim përsipër të gjitha përgjegjësitë”

Nuk ka komente: