e hënë, 9 shkurt 2009

Iaquinta merr të kuqe, Ranieri e kritikon

Sulmuesi merr dy të verdha brenda pak minutash dhe e lë ekipin me dhjetë vetë: Vincenzo u tregua naiv

Një fitore në Catania për të harruar dy humbjet e pësuara radhazi në dy javët e shkuara, respektivisht me Udinesen në “Friulli” dhe me Cagliarin në shtëpi në Torino. Për më shumë, dje është regjistruar edhe goli i parë “italian” i Christian Poulsenit, pasi pak më parë japonezi Morimoto kishte barazuar golin e Iaquintës. Claudio Ranieri niset pikërisht nga kartoni i kuq i marrë nga ana e sulmuesit të tij: “Janë situata që duhen shmangur, nuk mund të merren kartonë të verdhë, duke festuar dhe para së gjithash nuk mund të bëhen ndërhyrje të tilla si ajo e Vincenzos, - kritikoi Ranieri. - Iaquinta kërkoi falje, por u tregua naiv. Unë kuptoj gjithçka, por në raste të tilla lojtarët duhet të kontrollojnë veten.” Pas “tërheqjes së veshëve” ndaj Iaquintës, trajneri i Juventusit, ka komentuar pozitivisht provën e skuadrës: “Kohët e fundit kemi qenë disi më bujarë, por sot (dje) kishim nevojë të rigjenin vetveten dhe ia arritëm. Mes të tjerash, duke luajtur me dhjetë lojtarë për 80-të minuta dhe kundër një Catanieje që nuk u dorëzua asnjëherë”. Pastaj tekniku bardhezi analizon momentin e skuadrës: “Nga aspekti fizik, nuk jemi si në nëntor ose dhjetor, por gjendja është e mirë. Lëvizëm mirë dhe rezultatet po më japin të drejtë. Nga ana tjetër fituam në Catania, duke luajtur thuajse gjatë gjithë ndeshjes me një lojtar më pak dhe kjo pasi luajtëm të mërkurën që shkoi 120 minuta në Kupën e Italisë plus goditjet e 11-metërshave”. Më tej, një koment mbi lënien jashtë të Del Pieros dhe mbi mungesën e aktivizimit të Trezeguet në “Massimino”: “Davidi rikthehet nga dëmtimi dhe duhet ta lejoj të luajë disa minuta, por luajti një orë kundër Napolit në Kupën e Italisë, - sqaron Ranieri mbi franko-argjentinasin. - Del Piero luajti dy ndeshje të shkëlqyera radhazi dhe m’u duk e drejtë t’i lë hapësirë Iaquintës, që po rigjen formën e duhur. Ne duhet të përpiqemi të fitojmë dhe unë duhet t’i aktivizoj të gjithë lojtarët që nga ky moment e tutje do të na shërbejnë shumë”. Një problem tjetër është edhe mungesa e golit të Amaurit, i cili nuk shënon që nga fundi i dhjetorit, por Ranieri e mbron me “shpatë në dorë” brazilianin: “Problemi ynë nuk është goli, sot (dje) Amaurit i duhet bërë një monument për mënyrën sesi e mbajti gjallë deri në fund ndeshjen. Problemi i Juventusit janë golat e pësuar në mënyrë shumë të lehtë dhe bashkimi i skuadrës që ndonjëherë mungon. Pastaj golat herët a vonë do t’i shënojmë”.

Nuk ka komente: