e diel, 8 shkurt 2009

Ranieri largon krizën: Kurrë s’kemi qenë!

Pas dy humbjesh radhazi, trajneri bardhezi karikon skuadrën në prag të transfertës delikate në Catania

Të merren pikët e para pas dy humbjeve rradhazi, por edhe të shikohet përpara për vazhdimin e kampionatit në mënyrën më të mirë të mundshme. Eshtë një Claudio Ranieri i vendosur ai që përgatit Juventusin për transfertën e vështirë në Catania. Bardhezinjtë duhet të dalin nga një moment i vështirë, “por në krizë nuk kemi qenë për asnjë moment”, ka shpjeguar tekniku. “Eshtë normale që të kalohet një periudhë jo shumë pozitive, e rëndësishme është që kjo të mos zgjasë shumë”. Skuadra bardhezi, thotë trajneri, është gati të futet në fushë “me dëshirën për të luajtur mirë dhe me vendosmëri të madhe”. Gjatë ndeshjeve të fundit, mbrojtja nuk ka qenë shumë e sigurt dhe sipas Ranierit kjo ka ndodhur për shkak se ekipi nuk ka qenë kompakt. “Në disa raste arsyetojmë, në të tjerë mbizotëron dëshira e madhe për të fituar dhe kur ndodh kjo mungon soliditeti i grupit dhe bëjmë disa gabime. Nga ana tjetër jemi një ekip i ri që është në ndërtim e sipër”. Gjithashtu, edhe gjendja e përgjithshme e skuadrës nuk është dukur e shkëlqyer. “Në nivelin individual është e vërtetë se ka lojtarë që kanë luajtur shumë dhe disa të tjerë që janë aktivizuar për shumë pak minuta. Tani duhet që të pushojnë pak ata elementë që kanë qëndruar më shumë në fushën e lojës dhe të tjerët të luajnë disa minuta më shumë”, ka thënë Ranieri. “Në nivelin e përgjithshëm të skuadrës, nuk jemi në maksimum, por as në minimum, mjafton të mendosh se në ndeshjen e Kupës së Italisë në mesjavë kam parë se në kohën shtesë kemi vrapuar më shumë se në disa momente të tjera të takimit”, ka shtuar trajneri, duke ju referuar suksesit të arritur me penallti kundër Napolit. Më pas tekniku ka zbuluar diçka lidhur me formacionin që do të ndeshet me Catanian. “Marchision nuk e kam përfshirë në ekip, ka disa shqetësime dhe nuk duam të rrezikojmë, duke parë fatin e keq që kemi me dëmtimet. Nuk do të grumbullohen të zakonshmit, të tjerët ndihen të gjithë mirë”. Pra, nuk do të jenë në dizpozicion Andrade, Knezevic, Zebina, Salihamidzic, Chiellini dhe Zanetti. Atyre u është shtuar edhe De Ceglie, që është dëmtuar gjatë ndeshjes me Napolin. “Të tjerët janë të gjithë në dispozicon dhe do të rikthehet edhe Tiago, pavarësisht se ka pak temperaturë”, ka përfunduar Ranieri.

Nuk ka komente: