e mërkurë, 11 shkurt 2009

Ranieri: Të luftojmë deri në fund

Trajneri bardhezi e ka pranuar se kampionati vetëm mund të humbet nga Interi

“Po zhvillojmë një kampionat të mirë, por përsa i përket titullit vetë Interi mund ta humbë. Ne duam të ruajmë ritmin, duke parë se për ta fitorja është më e pritshme, ndërsa për ne është një ëndërr”. Claudio Ranieri i ka idetë e qarta në lidhje me luftën për kampionatin dhe për të ardhmen e Juventusit. ”Është një moment vendimtar në kampionat, ku Interi ose do të arratiset ose dikush do t’i afrohet. Për të mirën e këtij kampionati uroj që lufta të jetë e hapur deri në fund”. Domethënë për trajnerin bardhezi, i pranishëm në turneun e Viareggios për dhënien e çmimit Scirea, Interi kryesues ka një avantazh të madh pikësh, por Juventusi nuk dorëzohet dhe do të vazhdojë të luftojë në kampionat deri në ndeshjen e fundit. Sipas teknikut, pavarësisht disavantazhit prej tetë pikësh që e ndajnë nga zikaltrit, as Milani nuk mund të konsiderohet jashtë luftës për të fituar titullin. “Skuadra e Ancelottit, - shprehet Ranieri -, e ka treguar më parë se është e aftë të arrijë objektivat që i vë vetes dhe ka potencialin për të marrë suksese të rëndësishme. Të dielën nuk pres ndonjë dhuratë nga Milani, sigurisht për të mirën e kampionatit do të ishte më mirë që Interi të mos fitonte, ndërsa ne duhet të mundim Sampdorian dhe nuk do të jetë e lehtë. Cassano më pëlqen shumë, besoj se tani është më i pjekur”. Më pas trajneri flet për Amaurin. “Nuk shënon prej dy muajsh, por ne nuk e kemi marrë vetëm për të bërë gola, por sepse na duhej një lojtar me karakteristikat e tij”. Në fund në lidhje me largimin nga detyra të Luiz Felipe Scolarit, Ranieri, ka thënë: “Besoj se ky lajm do ta shtojë përgjegjësinë e lojtarëve të Chelseat që tani nuk kanë më asnjë justifikim. Nuk është një gjë e mirë, do të kisha dashur që kjo të ndodhte mbasi të ishin ndeshur me ne në Champions”.

Nuk ka komente: