e diel, 8 shkurt 2009

Trezeguet: Kampionati? Jemi akoma në garë

Sulmuesi francez, pas katër muajsh jashtë skuadrës, është rikthyer dhe beson akoma tek titulli

I kanë munguar shumë në këto katër muaj golat e tij Juventusit. Por sulmuesi franko-argjentinas, David Trezeguet, i cili po kalon vitin e tij të nëntë me bardhezinjtë, është shumë afër rekuperimit të formës më të mirë dhe beson akoma tek kampionati. Pak minuta lojë ndaj Cagliarit në kampionat dhe Napolit në kupë, i kanë mjaftuar që të shpresojë të rikthehet si dikur.
- Trezeguet, pas katër muajsh jashtë fushave, tani si ndiheni? - Ndihem mirë dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Jam shumë i lumtur që jam rikthyer në skuadër dhe se kam luajtur disa minuta. - Më përpara keni thënë: “Nuk dua të përfundoj si Ronaldo”. - Për këtë arsye i jam nënshtruar operacionit. Jam informuar mirë edhe me ata që e kishin bërë një gjë të tillë para meje. Ka shkuar gjithçka mirë, madje jam rikthyer para kohe. - Buffon, i dëmtuar, thoshte se nuk mund t’i ndiqte ndeshjet e Juves nga televizori. Po ju? - Nuk ishte e lehtë, sepse je i mësuar të jesh protagonist, ndërsa kur je i dëmtuar nuk mund të bësh asgjë. Fatmirësisht skuadra ka arritur rezultate të mira. - Si ju është dukur kampionati nga televizori? - Interi mbetet ekipi që duhet mundur, më pas vjen Milani që ka rigjetur entuziazmin me ardhjen e Beckhamit dhe në fund ne me vendosmërinë e zakonshme. Unë ndjek filozofinë e klubit: të përmirësohem dhe të fitoj diçka. Kampionati do të jetë shumë i vështirë, por mungojnë akoma katër muaj dhe ne që rikthehemi nga dëmtimet shpresojmë të japim një ndihmë më shumë. - Kush do të ulet në stol midis jush dhe Amaurit? - E njëjta gjë thuhej për Ibrahimovicin, por konkurrenca në ekip nuk është një problem. Personalisht më ka pëlqyer të luaj gjithmonë me më të mirët dhe mendoj se Amauri është një nga sulmuesit më të fortë në botë. Eshtë një nder të luash përkrah tij. - Në Catania do të luani që nga minuta e parë? - E dimë që është një ndeshje e vështirë. Do të ishte më mirë sikur rikthimi im në fushë të bëhej gradualisht, për të qenë në formë sa më të mirë për Chelsean.

Nuk ka komente: