e diel, 15 mars 2009

Salihamidzic: Juve nuk e shikon tabelën

Njëri nga lojtarët më të rëndësishëm në fitoren e të shtunës mbrëma të Juventusit kundër Bolognas, Hasan Salihamidzic, ka thënë se bardhezinjtë nuk shqetësohen se cili është lideri aktual në Serie A. “Në pjesën e parë (kundër Bolognas) nuk luajtëm mirë, pasi që është vështirë të kthehesh i disponuar nga eliminimi prej Ligës së Kampionëve. Bologna po luante mirë dhe po i mbyllte të gjitha hapësirat. Mirëpo në pjesën e dytë ne luajtëm mirë dhe kjo dha rezultat”.“Jemi shumë të lumtur me këtë fitore, por tash nuk e shikojmë renditjen tabelore, por duhet ta përcjellim suksesin tonë. Kanë mbetur edhe 30 pikë në garë, prandaj për renditjen do të mendoj kur të afrohet fundi i Kampionatit”, ka thënë boshnjaku për Juventus.com.

e shtunë, 14 mars 2009

Juve shkatërron Bologna dhe shton presionin ndaj Interit


Takimi i zhvilluar të shtunën mbrëma në Stadio Olimpico të Torinos ndërmjet Juventusit dhe Bolognas ka përfunduar me fitoren e Zonjës së Vjetër me rezultat prej 4-1. Mysafirët kaluan të parët në avantazh pas një pasimi të mirë të golashënuesit më të mirë në Serie A këtë sezon, Marco Di vAio, në drejtim të Massimo Mutarellit, i cili e mposhti portierin Gigi Buffon (24’). Me rezultat 0-1 përfundoi pjesa e parë e ndeshjes. Në pjesën e dytë bardhezinjtë e shkatërruan skuadrën mysafire. Lojtari, i cili ishte pjesëmarrës në të gjitha golat e Juventusit në këtë përballje, boshnjaku Hasan Salihamidzic, barazoi rezultatin porsa filloi pjesa e dytë (49’). Në njëzet minutat e ndeshjes Juventus shënoi edhe tri herë. Sebastian Giovinco krijoi epërsinë e parë për Zonjën e Vjetër (71’), derisa asistues ishte Salihamidzic. Dy golat e radhës për vendasit i shënoi super-Alex Del Piero (75’ dhe 89’), i cili përdori magjinë e tij parapara portës kundërshtare, ndërkohë asistues edhe në të dy golat e kapitenit bardhezi ishte i njëjti lojtar, Hasan Salihamidzic. Ikona e Juves nuk pati fatin të shënonte hat-trick në këtë përballjes, pasi që përveç rasteve tjera, në minutën e fundit të kohës së rregullt ai e goditi shtyllën. Me këtë fitore Juventus i afrohet Interit në vetëm katër pikë diferencë, derisa Nerazzurët të dielën e zhvillojnë ndeshjen e vështirë kundër Fiorentinës në Giuseppe Meazza.

Të dhëna rreth ndeshjes: JUVENTUS-BOLOGNA 4-1 (0-1).
Golashënues: 24’ Mutarelli, 49’ Salihamidzic, 71’ Giovinco, 75’ st e 89’ st Del Piero. JUVENTUS: Buffon; Grygera, Mellberg, Chiellini, Molinaro; Salihamidzic, Tiago (4’ Poulsen), Marchisio, Giovinco (89’ Daud); Iaquinta, Del Piero (91’ Immobile). Në dispozicion: Chimenti, Zebina, Ariaudo, Epsosito. Trajner Ranieri. BOLOGNA: Antonioli; Zenoni, Terzi, Britos, Lanna; Borbardini (74’ Osvaldo), Mutarelli (52’ Amoroso), Volpi, Mudingayi, Valiani (62’ Adailton); Di Vaio. Në dispozicion: Colombo, Castellini, Marchini, Mingazzini. Trajner Mihajlovic. Gjyqtar kryesor: Damato nga Barletta. Karton të verdhë: 20’ Tiago, 41’ Mudingayi, 56’ Terzi, 64’ Zenoni.

Video nga ndeshja (golat)

Juve do ta shesë Trezeguet?

David Trezeguet i ka sjellë probleme vetes me komentet e fundit në adresë të trajnerit të Juventusit, Claudio Ranieri, pasi që bardhezinjtë tani janë duke menduar për shitjen e sulmuesit francez. Trezegol e kishte kritikuar Ranierin për shkak të zëvendësimit të tij në ndeshjen kthyese të Ligës së Kampionëve kundër Chelseat, ndërsa trajneri ka deklaruar se është ndjerë i tradhtuar nga lojtari i tij. Gazeta torineze “Tuttosport” njofton se gjërat janë përkeqësuar deri në pikën e fundit, kështu që Bianconerët planifikojnë shitjen e Trezeguet në fund të sezonit, për të lënë vend për ardhjen e lojtarëve të rinj. Njëra nga arsyet që Juventusi mbështet vendimin e Ranierit, është paga e lartë që merr Trezeguet (4 milionë euro në sezon), derisa kohëve të fundit është përfshirë shumë pak në planet e skuadrës bardhezi. Ekipi që është i parë në radhë për transferimin e Trezegol, është Olympique Lyonnais.

Silva mund të bashkohet me Juventusin

Ylli i Valencias David Silva ka pranuar se ai mund të bashkohet me gjigandin italian të futbollit në fund të sezonit. Klubi Spanjoll po lufton me problemet financiare dhe mund të jetë e detyruar të shes yjet e tyre, dhe Bianconeret janë në kërkim për të sjellë dikë për të zëvendësuar Pavel Nedvěd në verë. "A mendoni se Pavel Nedved duhet te dal ne pension? Ai ende duket shumë i ri kur e shihni atë në veprim, "tha Silva per La Gazzetta dello Sport. "Ai ka qenë një nga të mëdhenjtë e futbollit europian dhe unë nuk mendoj se meritoj të jemë në krahasim me atë. "Juve u rrëzua nga Liga e Kampioneve nga Chelsea, por ata shkuan duke i mbajtur kokat e tyre të lartë. "Ata janë një klub i madh dhe me prestigj në fazën ndërkombëtare dhe ata kanë aq shumë kampionë. "Mund ta fitojë Ligën e kampioneve sezonin e ardhshëm me Juve? Pse jo? Unë ëndërroj nje gjë të tillë - deklaroi Silva ".

Dunga, një tjetër “JO” për sulmuesin Amauri

Carlos Dunga vendos t’i thotë jo edhe një herë tjetër sulmuesit Amauri. Bomberi i Juventusit nuk është aktivizuar në asnjë kombëtare, dhe këtë shans e ka përfaqësuesja e Brazilit dhe Italisë. Amauri është me kombësi braziliane, dhe së shpejti pritet të marrë shtetësinë italiane. Tekniku i Italisë, Marcello Lippi, ka shprehur dëshirën për ta patur futbollistin në ekipin e tij. Ndërsa ai i Brazilit, Carlos Dunga, preferon të mos e grumbullojë këtë futbollist, duke ia lënë çdo gjë kohës. Brazili do të luajë se shpejti dy ndeshje, më 29 mars me Ekuadorin, dhe më 1 prill me Perunë, për eliminatoret e kampionatit botëror “Afrikë e Jugut 2010”. Dunga publikon listën e futbollistëve që do të ketë në dispozicion, në të cilën nuk figuron përsëri emri i sulmuesit Amauri. Në listën prej 22 futbollistësh të thirrur për këto dy ndeshje, 10 prej tyre luajnë në kampionatin italian. Bëhet fjalë për Julio Cesar, Maicon dhe Adriano nga Interi, Thiago Silva, Kaka', Ronaldinho dhe Pato nga Milani, Doni dhe Julio Baptista nga Roma, dhe Felipe Melo nga Fiorentina.

Këta janë 22 futbollistët të ftuar nga Dunga për dy ndeshjet e ardhshme:
Julio Cesar (Inter), Doni (Roma), Maicon (Inter), Daniel Alves (Barcellona), Marcelo (Real Madrid), Kleber (Internacional), Lucio (Bayern Monaco), Luisao (Benfica), Miranda (San Paulo), Thiago Silva (Milan), Anderson (Manchester United), Felipe Melo (Fiorentina), Gilberto Silva (Panathinaikos), Josue' (Wolfsburg), Elano (Manchester City), Julio Baptista (Roma), Kaka' (Milan), Ronaldinho (Milan), Adriano (Inter), Alexandre Pato (Milan), Luis Fabiano (Siviglia), Robinho (Manchester City).

David Silva shfaq pëlqimin për ekipin e Juventusit


David Silva shfaq për të parën herë pëlqimin e tij për skuadrën e Juventusit. Mesfushori i majtë i Valencias është objektivi kryesor i Juventusit për merkaton e verës. Futbollisti 23-vjeçar shihet si pasardhësi i Pavel Nedvedit, pasi çeku pritet të largohet në fund të këtij sezoni. Valencia është në vështirësi financiare, dhe dy yjet e saj, David Silva dhe David Villa, shihen si zgjidhja e krizës. Shitja e tyre këtë verë duket e pashmangshme për klubin spanjoll. Në një intervistë për Gazzetta dello Sport, David Silva shprehet: “Juventusi më pëlqen. Unë kam mbushur 23 vjeç dhe kam akoma nevojë të rritem. Por, sfidat më intrigojnë. Edhe ato më të rëndësishmet nuk më trembin. Juventusi ka sfidën e Ligës së Kampioneve, dhe mua më pëlqen një gjë e tillë”.

Ranieri: Trezeguet më tradhtoi si fëmijë i llastuar

Trajneri i Juventusit, Claudio Ranieri, e ka kritikuar sulmuesin francez David Trezeguet, për komentet e bëra gjatë kësaj jave. Trezegol kishte shprehur pakënaqësinë e tij për shkak të zëvendësimit në ndeshjen kundër Chelseat në mesjavë, duke thënë se nuk e kishte idenë pse trajneri i tij kishte vepruar në atë mënyrë. “Ajo që ka thënë Trezeguet më ka nevrikosur shumë. Fjalët e tij ishin si të një fëmije të llastuar. Ndjehem i tradhtuar më shumë nga reagimi i tij si njeri se si lojtar, dhe kjo më ka lënduar më së shumti”, ka thënë Ranieri për “Sky Sport Italia”.

Trezeguet kundër Ranierit për zëvendësimin

Zëvendësimin? As vetë nuk e kuptova.” David Trezeguet, përveç se i dëshpëruar nga skualifikimi në Ligën e Kampioneve përballë Chelseat, është edhe i paqartë. Ajo që e ka nervozuar sulmuesin francez është zëvendësimi gjatë ndeshjes me Amaurin dhjetë minuta nga fundi i takimit kundër bluve. “Po, jam i zhgënjyer, - thotë qendërsulmuesi bardhezi, - nuk e kuptova. Po fitonim 2-1, duhej vetëm të shënonim një gol për t’u kualifikuar në çerekfinale. Ndoshta duhej të ndryshonim diçka taktikisht dhe të aktivizohej një sulmues më shumë. Por trajneri nuk deshi. Më vjen keq për veten time dhe për skuadrën. Tani të shohim për vitin e ardhshëm”. Por sidoqoftë, Trezeguet ndjen keqardhje për faktin që pavarësisht nga forca e lojtarëve të Chelseat, Juvja po e kontrollonte lojën më mirë se anglezët: “E vumë në vështirësi mbrojtjen e tyre me topa disi të çuditshëm në thonjëza dhe shënuam një gol që na dha shumë shpresa”.

Juventus do mbajë takime me Diegon

Juventusi dhe Werder Bremeni kanë aranzhuar takim për të biseduar në lidhje me transferimin e brazilianit Diego. “Tuttosport” njofton se skuadra gjermane është pajtuar që të lejojë bisedimet e bardhezinjve në lidhje me mesfushorin e tyre, i cili qe një kohë të gjatë është në planet e Zonjës së Vjetër. Megjithatë, zërat nga Torino njoftojnë se transferimi i Diegos nuk do të kushtojë lirë. Werderi do të mundohet të nxjerrë sa më shumë për ta lëshuar lojtarin kryesor të tyre. Ndërkohë spekulohet se kërkesa e parë do të jetë 30 milionë euro.

Buffon në shitje, Barcelona e alarmuar

Juventusi është duke analizuar shitjen e Gianluigi Buffon, në mesin e shumë emrave veteranë, me qëllim për të krijuar një fond më të madh për blerje të verës. Gazzetta dello Sport shkruan se Juve do të tentojë të shesë yjet si Buffon, David Trezeguet, Vincenzo Iaquinta, Christian Poulsen dhe Tiago, me qëllim që të grumbullojë 80 milionë euro për të rikonstruktuar ekipin.Barcelona është një prej ekipeve të interesuara në Buffonin, dhe mund të bëjë një hap në marrjen e shërbimeve gjatë verës, sidomos pasi tashmë nuk e ka në garë Manchester Cityn, që ka siguruar shërbimet e Shay Given në janar.

Juve fillon planet për Cassano, Hamsik dhe Silva

Skuadra e Juventusit planifikon përforcimin e skuadrës këtë verë, ndërkohë emrat të cilët janë përsëritur vazhdimisht në media, janë Antonio Cassano (Sampdoria), Marek Hamsik (Napoli) dhe David Silva (Valencia). Pas eliminimit nga Liga Kampionëve, trajneri Claudio Ranieri e ka bërë të qartë se Bianconerët kanë nevojë për disa lojtarë klasi, nëse dëshirojnë të arrijnë objektivat në sezonin e ardhshëm, duke paralajmëruar ndryshime të mëdha në afatin kalimtar veror. “La Gazzetta Dello Sport” njofton se emri i parë në listën e Ranierit është Antonio Cassano, për të cilin Juve do të ofrojë 20 milionë euro. Mesfusha është problemi kryesor i Zonjës së Vjetër, prandaj Marek Hamsik është një alternativë për ta përforcuar këtë pozitë. Ndërkohë, njoftohet se bardhezinjtë tashmë e konsiderojnë David Silvan e Valencias si Pavel Nedvedi i ardhshëm. Valencia ka borxhe të shumta, dhe këtë verë do të detyrohet t’i shesë lojtarët kryesor, ndërsa njëri prej tyre është Silva.

e mërkurë, 11 mars 2009

Ronaldo: Më pëlqejnë femrat italiane dhe Del Piero

Superylli i Manchester Unitedit, Cristiano Ronaldo, ka thënë se një ditë do të dëshironte të luajë në Itali sepse i pëlqen futbolli italian, por njëkohësisht ka shprehur edhe dashurinë për femrat italiane. “A do të luaj ndonjëherë në Itali? Kurrë mos thuaj kurrë”. “Unë e vizitoj Italinë me dëshirë, sepse atje janë femrat më të bukura dhe më seksi në botë”. “T’i lëmë anash shakatë... Vërtet e admiroj futbollin italian dhe jo rastësisht Italia është kampion bote”. “Në veçanti më pëlqen Del Piero. Ai është një futbollist unik dhe i jashtëzakonshëm- një profesionist i vërtetë për të gjithë ata që e duan futbollin”, ka thënë portugezi.

Del Piero: Merituam më shumë

Kapiteni i Juventusit, Alessandro Del Piero, është i zhgënjyer që skuadra e tij nuk vazhdoi garën e mëtutjeshme në Ligën e Kampionëve, pasi, sipas tij, me lojën që kanë treguar bardhezinjtë në të dyja ndeshjet, ata e kanë merituar kualifikimin. Në ndeshjen kthyese, e cila u zhvillua të martën mbrëma në Torino, Juventus dhe Chelsea luajtën baraz, 2-2, ndërsa Blutë u kualifikuan falë golit të shënuar në Stamford Bridge. “Dëshpërimi dhe pendimi janë të zakonshëm në këto momente për ne”. “Patëm një fillim të fuqishëm, ndërsa vetëm pasi shënuam ata filluan të sulmojnë, gjë që nuk i shkon për shtat një skuadre aq të mirë si Chelsea”. “Fatkeqësisht nuk arritëm që të shkojmë në pushim me avantazh prej 1-0, dhe pastaj gjithçka ndryshoi”. “Jam i dëshpëruar se gjatë 180 minutave nuk ishim skuadra më e keqe në fushë, prandaj mendoj se merituam më shumë”. “Ne e lamë zemrën dhe shpirtin në fushë, prandaj duhet t’i lëvdoj të gjithë lojtarët për kontributin e tyre”, është shprehur ikona bardhezi.

Eliminohet Juventus


Një superndeshje është zhvilluar të martën mbrëma në Stadio Olimpico të Torinos, ndërmjet Juventusit dhe Chelseat, e cila ka përfunduar me rezultat të barabartë 2-2. Me këtë rezultat Blutë nga Londra kualifikohen në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, ndërkohë që Zonjës së Vjetër i mbetet të luftojë për Scudetto dhe për Kupën e Italisë. Juventusi ishte skuadër shumë më e mirë në fushë në të dyja pjesët e ndeshjes, megjithatë Chelsea u tregua skuadër e mençur dhe priti momentet e veta për t’i dënuar vendasit. Që në minutat e para të ndeshjes (13’) Bianconerët mbetën pa njeriun kryesor të mesfushës, Pavel Nedved, i cili u largua për shkak të lëndimit, duke lënë Juven të hendikepuar në mesfushë, kur llogaritet edhe lista e gjatë e mesfushorëve të lënduar. Sido që të jetë, vendasit gjetën golin me anë të Vicenzo Iaquintas pas një pasimi të bukur nga David Trezeguet (19’), për të ndezur atmosferën në Torino. Por festa e tifozëve vendas u ndërpre në fund të pjesës së parë (45’+1) nga Michael Essien, i cili dërgoi skuadrat në pushim me rezultat të barabartë prej 1-1. Më tutje, Juventus duhej të fitonte me avantazh prej dy golash për t’u kualifikuar në çerekfinale dhe këtë e kërkuan me ngulm bardhezinjtë gjatë pjesës së dytë. Por në minutën e 70-të vendasit morën një goditje tjetër, pasi që mbrojtësi kryesor Giorgio Chiellini u përjashtua me kartonin e dytë të verdhë duke ia përkeqësuar punët edhe më shumë skuadrës së tij. Përkundër mungesës së një lojtari, Zonja e Vjetër u tregua skuadër shumë më e fortë se mysafirët anglezë duke arritur që të krijojë sërish avantazhin me anë të kapitenit Alessandro Del Piero (74’), i cili u tregua i saktë nga pika e bardhë. Mirëpo atëherë kur Juventus kërkonte golin e kualifikimit, doli në skenë Didier Drogba, i cili shoi shpresat e skuadrës bardhezi duke e mposhtur portierin Buffon (83’) dhe duke barazuar sërish rezultatin. Minutat në vazhdim Juventus ndërpreu ofanzivën duke u pajtuar me eliminimin, ndërkohë që Chelsea ka mundur ta fitojë krejt takimin po t’i shfrytëzonte rastet në minutat e fundit të ndeshjes.

Të dhëna rreth ndeshjes: JUVENTUS-CHELSEA 2-2 (1-1).
Golashënues: 19’ Iaquinta, 46’ Essien, 74’ Del Piero, 83’ Drogba. JUVENTUS: Buffon; Grygera, Mellberg, Chiellini, Molinaro; Tiago, Marchisio, Nedved (13’ Salihamidzic); Iaquinta (60’ Giovinco), Trezeguet (78’ Amauri), Del Piero. Në dispozicion: Manninger, Zebina, Ariaudo, Poulsen. Trajner Ranieri. CHELSEA: Cech; Bosingëa, Alex (88’ Carvalho), Terry, Cole; Mikel; Ballack, Essien (65’ Belletti), Lampard; Drogba, Anelka. Në dispozicion: Hilario, Deco, Mancienne, Malouda, Kalou. Trajner Hiddink. Arbitër kryesor: Mallenco nga Spanja. Karton të kuq: 70’ Chiellini. Karton të verdhë: 47’ Salihamidzic, 54’ Chiellini, 62’ Cech, 69’ Drogba, 88’ Cole.

Video nga ndeshja

e hënë, 9 mars 2009

Lëndimi i Sissokos




Lëndimi i Sissokos në ashtin metatarsal që do ta mban jashtë fushave të gjelbërta rreth 90 ditë (3 muaj)

Ranieri: Tani të mendojmë për Chelsean

Trajneri bardhezi i ka lëshuar sfidën anglezëve pas fitores në derbi

Hapat me radhë, Kupa e Italisë, dëme të limituara në Romë kundër Lazios, më pas derbi, dhe rikthimi tek fitorja, në pritje të përballjes së dytë në Champions, të martën kundër Chelseat. Kundër Torinos, Claudio Ranieri, ka testuar Juven 2, kompakte, agresive, e aftë të vuajë dhe të presë momentin e duhur për të goditur. “Jemi nisur mirë, kemi pasur dy raste për gol më pas nuk i kemi shërbyer siç duhet sulmuesve, kemi pësuar lojën e kundërshtarit. Nuk jemi mbështetur shumë tek loja në krahë: Salihamidzic ka zhvilluar 90 minuta të plota pas dëmtimit, Giovinco është një fantazist dhe nuk mund të kthehet gjithmonë mbrapa për të mbrojtur”. Nesër e ka radhën Championsi: “Tani mund të mendojmë për Chelsean, ka vazhduar trajneri bardhezi, do të jetë e vështirë dhe do të duhet të shohim në fushë Juventusin më të mirë dhe gjithashtu do të kemi nevojë edhe për mbështetjen e publikut”.

ME RADHË - Chelsea, Interi, më pas Torino. Në radhën, sipas së cilës janë zhvilluar ndeshjet, aty janë bazuar edhe zgjedhjet e Ranierit për derbin. Sepse është e vështirë të besohet se zgjedhjet e formacionit nuk janë varur nga rezultatet e arritura nga kundërshtarë më parë. “Unë i bëj zgjedhjet gjatë natës dhe ia komunikoj formacionin lojtarëve në drekë”, refreni i trajnerit bardhezi, i cili gjatë mesditës të së shtunës ka lajmëruar Salihamidzicin pas një shqetësimi muskulor që ka ndalur Marchionnin. Por, Ranieri, përgënjeshtron. Vendimi për të mbajtur në stol katër lojtarë të rëndësishëm si Sissoko, Nedved, Del Piero dhe Trezeguet, vjen si pasojë e kujdesit për të ruajtur lojtarët që nuk janë në maksimum. “Kam lënë pushim Del Pieron dhe Trezegenë, edhe Hiddink ka bërë të njëjtën gjë me skuadrën e tij”. Ndërkohë në derbi kanë ardhur tre pikë të tjera, falë golit të një mbrojtësi. “Ishte e rëndësishme të fitonim. Rotacioni ka qenë i nevojshëm, pasi nuk mund të luash gjithmonë me të njëjtët lojtarë. Por skuadra ka reaguar në mënyrën e duhur”, ka thënë Ranieri.

JO SI MOU - Mesfushori i Torinos, Corini, duhej të ishte ndëshkuar me kartonin e dytë të verdhë, por Ranieri nuk ka pranuar të komentojë imazhet televizive: “Nuk kam nevojë t’i shikoj, sepse unë vendimet e arbitrit i pranoj pa shkaktuar polemika të kota”, ka thënë tekniku juventin.

e diel, 8 mars 2009

Sezoni i mbyllur për Sissokon?


Në ndeshjen e mbrëmshme të kampionatit Italian ndërmjet Torinos dhe Juves, mesfushori Malian i Juventusit, Mohamed Lamine Sissoko, ka pësuar një traumë në këmbën e majtë e cila ka provokuar çarje në asthtin metatarsal. Lojtari mbrëmë është paraqitur në minutën e 84 të ndeshjes dhe pas përfundimit të ndeshjes ka ndierë dhimbje në këmbë. Pritet që analizat mjeksore të bëhen gjatë ditëve në vijim dhe është e mundur që sezoni të jetë i mbyllur për Momo Sissokon. Lojtari së paku duhet të pushojë një periudhë prej 45 deri në 60 ditë, për të rikuperuar lëndimin. Sissoko do të jetë një humbje e madhe për bardhezinjtë pasi që të martën Juventusi do të përballet me Chelsean në kuadër të Ligës së Kampionëve, duke ditur se ndeshja e parë e cila u luajt në Stamford Bridge përfundoi me rezultat minimal për Blutë, me golin e vetëm të shënuar nga Didier Drogba.

Ranieri: Më e rëndësishmja është të fitojmë

Trajneri i Juventusit, Claudio Ranieri, është shprehur i kënaqur nga fitorja e mbrëmshme ndaj Torinos dhe shton se në këtë pjesë të sezonit më e rëndësishme është të fitohet se sa të luhet bukur. Juventusi ishte pa lojtarët kryesorë Alessandro Del Piero, David Trezeguet dhe Pavel Nedved, të cilët u pushuan para ndeshjes së të martës ndaj Chelseat, në kuadër të Ligës së Kampionëve. “Vuajtëm ca pasi kemi pasur mungesë të disa lojtarëve kyç, por gjëja më e rëndësishme ishte fitorja”, ka thënë Ranieri pas ndeshjes ndaj Torinos. “Duhet të fitojmë, nuk është e rëndësishme se si. Këtë e kemi thënë disa herë. E kemi kontrolluar derbin mirë. Donim të fitonim dhe krijuam katër-pesë raste të pastra, ndërsa ata krijuan dy”, ka shtuar trajneri italian.

Juventusi, 20 milionë për David Silvën

Drejtuesit bardhezinj po tentojnë për të disatën herë futjen në bisedime me homologët e Valencias për të arritur një marrëveshje për David Silvën, mesfushorish e krahut të majtë. Sipas “Tuttosport”, drejtori sportiv i Juventusit, Alesio Secco, do të ofrojë fillimisht 20 milionë në dorë. Klubi spanjoll fillimisht nuk ka pranuar të futet në bisedime, edhe pse ka pasur oferta të mirë për disa lojtarë, mirëpo problemet financiare do ta detyrojnë të lëshojë pe. Tashmë pritet vetëm vleresimi i ofertës së Juventusit.

e shtunë, 7 mars 2009

Juve fiton derbin torinez


Derbi i qytetit të Torinos që u zhvillua të shtunën mbrëma, ndërmjet Torinos dhe Juventusit, ka përfunduar me fitore minimale të skuadrës bardhezi. Zonja e Vjetër e filloi këtë takim pa disa lojtarë kryesorë, të cilët trajneri Claudio Ranieri i pushoi për ndeshjen shumë të rëndësishme në mesjave, kundër Chelseat. Megjithëse e patën të vështirë të fitonin, Bianconerët arritën që në fund të takimit të dalin me pikë të plota nga kjo ndeshje. Golashënues i vetëm në këtë përballje ishte mbrojtësi Giorgio Chiellini, i cili u gjet më së miri pas një krosimi të Pavel Nedved dhe shënoi në portën e Serenit (81’). Me këtë fitore Juventus mban sërish diferencën prej shtatë pikësh me Interin, i cili kryeson Kampionatin italian.

Të dhëna rreth ndeshjes: TORINO-JUVENTUS 0-1 (0-0).
Golashënues: 81’ Chiellini.
TORINO: Sereni; Colombo, Natali, Dellafiore, Pisano; Abate, Dzemaili, Corini (75’ Saumel), Barone (71’ Gasbarroni); Rosina (51’ Ventola), Stellone. Në dispozicion: Calderoni, Rivalta, Ogbonna, Bianchi. Trajner Novellino.
JUVENTUS: Buffon; Zebina (60’ Ariaudo), Mellberg, Chiellini, Molinaro; Salihamidzic, Poulsen (84’ Sissoko), Marchisio, Giovinco (68’ Nedved); Amauri, Iaquinta. Në dispozicion: Manninger, Tiago, Del Piero, Trezeguet. Trajner Ranieri.
Gjyqtar kryesor: Farina di Novi Ligure.
Karton të verdhë: 22’ Marchisio, 30’ Corini, 83’ Pisano.

Video nga ndeshja (Goli i Chiellinit)

Buffon: Presim lajme të mira nga Genoa

Portieri i Juventusit, Gigi Buffon, i cili është një tifoz i madh i skuadrës së Genoas, të shtunën ka edhe një arsye më shumë për të bërë tifo, pasi që Genoa e pret Interin në Stadio Ferraris. “Gara për Scudetto është ende e hapur dhe presim lajme të mira nga Genoa. Pas kësaj ndeshje vjen derbi ynë (kundër Torinos), që është i pari për mua këtë sezon”. “Kundër Torinos dëshiroj ta mbaj traditën: nuk kam humbur asnjë derbi të qytetit si lojtar i Juventusit dhe dëshiroj të vazhdojë kështu”. “Tre pikë kundër Torinos do të jetë parapërgatitje e mirë para duelit në Ligën e Kampionëve (kundër Chelseat)”, ka thënë Gigi.

Juventus do të bëjë ofertë për Decon

Klubi italian Juventus, raportohet se është i gatshëm të dërgojë një ofertë të vlefshme 6 milionë euro në drejtim të Chelseat, për të marrë shërbimet e mesfushorit Deco. The Sun shkruan se portugezi u soll në Chelsea nga Barcelona për një shumë prej 8 milionë eurosh, nga ish-trajneri Philipe Scolari, i cili e kishte menaxhuar atë edhe në kombëtaren e portugalisë. Por Deco dështoi të gjejë një qëndrueshmëri në ekip dhe tash pas largimit të Scolarit është në pikëpyetje edhe qëndrimi i tij. Mediat italiane shkruajnë se trajneri aktual i Juventusit, Claudio Ranieri, dëshiron që Deco të zëvendësojë Pavel Nedved, i cili pritet të largohet nga futbolli këtë verë. Juventusi gjatë të martës pret në Olimpiko ekipin e Chelseat në kuadër të ndeshjes së kthimit të Ligës së Kampionëve. Ndeshja e parë në Stamford Bridge pati përfunduar me rezultat minimal, 1-0, për ekipin anglez.

Sissoko: Juve nuk dorëzohet

Javën e kaluar Juventusi është afruar në shtatë pikë afër kreut, ndërsa këtë javë e ka mundësinë që ta ngushtojë edhe më shumë diferencën e pikëve me Interin, pasi që bardhezinjtë konsiderohen favoritë në letër në Derby della Mole kundër Torinos, ndërsa Interi ka një ndeshje të vështirë në udhëtim kundër Genoas. “Jam i gatshëm për derbin dhe tashmë kam filluar ta ndjej atmosferën, duhet të fitojmë me çdo kusht. Unë e respektoj Torinon, ata kanë luajtur mirë kohëve të fundit, mirëpo ne nuk kemi alternativë tjetër veç fitores”. “Dallimi prej shtatë pikësh është i madh, mirëpo Kampionati është ende i hapur. Ne ende jemi duke luftuar në të gjitha frontet dhe do të mundohemi të arrijmë maksimumin e mundshëm”. “Një tjetër ndeshje e madhe është ajo e Ligës së Kampionëve (kundër Chelseat), të cilën duhet ta fitojmë po ashtu. Besojmë te fitorja, megjithëse nuk do të jetë lehtë në fushë”. “Jemi të vetëdijshëm për kualitetin e tyre, por ata nuk janë të pamposhtur. Ne mund të vazhdojmë tutje”, ka thënë mesfushori i Juventusit, Mohamed Sissoko, për “Corriere dello Sport”.

Del Piero, lojtari më i dashur në Itali

Ikona e Juventusit, Alessandro Del Piero, ka kryesuar një sondazh nga kompania “Panini”, duke dalë përpara Buffonit, Ibrahimovicit, Lavezzit dhe Leite Kaka. Kompania me qendër në Modena ka filluar sondazhin në dhjetor të vitit 2008, ndërsa kanë votuar më shumë se 200.000 njerëz në faqen e internetin ose me anë të telefonave. Legjenda bardhezi, Alex Del Piero ka fituar numrin më të madh të votave, duke e lënë në vend të dytë bashkëlojtarin e tij, Gianluigi Buffon. I treti është renditur, ylli i Interit, Zlatan Ibrahimovic, ndërsa top-pesëshin e kanë mbyllur, sulmuesi i Napolit, Ezequiel Lavezzi, dhe superylli i Milanit, Kaka, të cilët zunë vendin e katërt, respektivisht të pestin. Nga votuesit është kërkuar ta votojnë edhe njëmbëdhjetëshin e preferuar në Serie A, ndërsa më shumë vota ka marrë ky formacion (3-4-3):

Buffon (Juventus)- Maicon (Inter), Chiellini (Juventus), Gamberini (Fiorentina)- Kaka (Milan), Hamsik (Napoli), Cristiano Doni (Atalanta), Nedved (Juventus)- Lavezzi (Napoli), Ibrahimovic (Inter), Del Piero (Juventus).

Marchionni: Chelsea favorit për t’u kualifikuar

Mesfushori i Juventusit, Marco Marchionni, ka folur para ndeshjes kthyese të Ligës së Kamionëve kundër Chelseat, e cila zhvillohet të martën mbrëma në Torino, duke favorizuar Blutë si skuadër e cila mund të vazhdojë tutje. “Ditët në vijim janë ‘të nxehta’ për ne. Takimi kundër Torinos (të shtunën) është një derbi dhe ka rëndësi të madhe për tifozët, po ashtu mund të na mbajë gjallë shpresat për Scudetto”. “Pas kësaj kemi ndeshjen më të rëndësishme në këtë periudhë të këtij sezoni: ndeshjen kthyese të Ligës së Kampionëve”. “Ne kemi humbur, prandaj ata kanë përparësi. Mendoj se Chelsea i ka 70% të mundësive për të vazhduar tutje, ndërsa ne 30%, sepse ata e fillojnë ndeshjen nga fitorja”. “Ne e kemi mundësinë e fundit të martën dhe duhet ta shfrytëzojmë atë, pasi që e luajmë ndeshjen më të rëndësishme të sezonit”, ka përfunduar mesfushori.

Juve: Trezeguet e Giovinco gati për derbin

Mellberg, Poulsen,Giovinco, Saliahmidzic e Trezeguet: Mund të jenë këto “kartat” e Ranierit në prag të derbit të nesërm me Torinon.

Në të vërtetë, trajneri i Juventusit, kërkon t’i lërë pushim një pjesë të titullarëve, të cilët të martën që vjen duhet të luajë ndeshjen e kthimit kundër Chelseat në 1/8-t e finaleve të Ligës së Kampioneve. Parashikohet një tur pushimi pra për Amaurin, Nedvedin dhe njërin mes Tiagos e Sissokos. Të aktivizuar në Romë kundër Lazios në Kupën e Italisë, si Nedvedi, ashtu edhe Amauri, duhet ta nisin ndeshjen nga stoli, ndërsa për Del Pieron, parashikohet një stafetë më Iaquintan. në mesfushë Ranieri, synon të aktivizojë danezin Poulsen që nga minuta e parë dhe vetë Marchisio kandidon për një vend titullari. Në repartin e mbrojtjes, jashtë do të jetë Legrottaglie për pezullim, ndaj do të ketë hapësirë Mellberg që do të luajë përkrah Chiellinit. Ndërkohë ka vazhduar në shi (me me 15 minuta vonesë) stërvitja e djeshme në Vinovo. Vonesë e shkaktuar nga Ranieri, që bisedoi me lojtarët ne dhomat e zhveshjes. 15 minuta bisedë, të vlefshme për të karikuar skuadrën në momentin më delikat të sezonit.

Lippi: Italianet kalojnë në Champions

Trajneri i kombëtares “axurre” është optimist për ndeshjet e kthimit në Europë

“Duhet të jemi të qetë”. Kjo ka qenë këshilla e Marcello Lippit, i cili ka folur në lidhje me polemikat, që kanë ndezur futbollin italian: “Mourinho është një trajner shumë i mirë, - ka thënë Lippi, dhe pëlqehet nga të gjithë. Por ju kujtoj atë që kam thënë edhe më përpara, muaji mars është vendimtar për shumë klube, në këtë peirudhë vendoset fati i një sezoni të ndërtuar me shumë sakrifica dhe për shumë arsye atmosfera nxehet më shumë seç duhet. Do të ishte e rëndësishme që figurat më të rëndësishme të skuadrave dhe të futbollit të ruanin qtësinë”. Duke lënë polemikat mënjanë, Lippi ka folur edhe për temat më teknike të futbollit italian, duke filluar që nga grumbullimi i ardhshëm i Amaurit: “Di që gruaja e tij ka marrë pashaportën italiane, - ka thënë ai, por ai nuk është bërë akoma. Kur kjo të ndodhë atëherë do të vendos”. Pavarësisht skepticizmit të përgjithshëm, Lippi, është optimist për ndeshjet e kthimit të ekipeve italiane në Champions: “Gjithçka do të varet nga skuadrat italiane, nëse do të paraqiten në 100 përqind të potencialit të tyre teknik, psikologjik dhe atletik unë mendoj se do të kualikohen të trija. Nëse do të paraqiten me mungesa të rëndësishme atëherë gjithçka ndryshon. Nëse do të eleminoheshin edhe këto tre skuadra pas tre ekipeve që kanë dalë javën e kaluar nga Kupa UEFA nuk do të ishte një gjë e bukur për futbollin italian dhe as për mua, sigurisht. Sepse një nga mënyrat për të përgatitur një lojtar në aspektin psikologjik dhe që të marrë eksperiencën e duhur në ndeshjet ndërkombëtare janë sigurisht kompeticionet europiane. Nëse eleminohen do të thotë se futbollistët nuk janë akoma gati për disa përballje të caktuara dhe për disa evenimente të caktuara, edhe përsa i përket kombëtares”. Loja e treguar nga Manchesteri, Arsenali dhe Chelsea, sipas Lippit, nuk është futbolli i vërtetë anglez: “Këto tre ekipe nuk shprehin futbollin anglez, duke filluar nga pronarët, tek trajnerët, nuk ka më anglezë. Kanë vetëm emrin e ekipeve angleze”, ka përfunduar Lippi.

Lapo Elkann: Jose? Arrogant dhe mendjemadh

Nuk kanë fund polemikat pas konferencës së ashpër për shtyp të dhënë nga Mourinho. Fillojnë të vijnë tani edhe reagimet nga kampi i bardhezinjve. Dje ka folur Lapo Elkann. “Nëse Mourinho do të japë spektakël, mund të shkojë tek emisionet televizive të Bonolisit. Ajo e tij është vetëm arrogancë dhe mendjemashësi, ka komentuar ashpër numri një i tifozëve juventinë. Mourinho është një trajner. Kjo është puna e tij dhe për këtë paguhet. Si tifoz pres me padurim ta takoj, por në mënyrë konstruktive, jo destruktive, jo si arrogant”, ka thënë Lapo Elkann.

Buffon: Mourinho, mjaft me biseda kafenesh!

Portieri bardhezi ka mbetur i zhgënjyer ndaj komenteve agresive të trajnerit interist

Nesër në mbrëmje do të zhvillohet derbi torinez midis Torinos dhe Juventusit dhe portieri i bardhezinjve, Gianluigi Buffon, shpreson që rivalët të ndjekin këshillën e trajnerit zikaltër. “Do të ishte mirë sikur të zbatonin idenë e hedhur nga Mourinho dhe të luanin me ekipin e të rinjve”. Por, përtej shakave, numri një i juventinëve ka pranuar se është zhgënjyer nga deklaratat e ashpra të bëra nga trajneri portugez. “Nuk më ka ardhur aspak mirë. Gjithmonë e kam pëlqyer dhe e kam respektuar si njeri dhe si komunikues me mediat, por besoj se ka disa limite që një njeri i futbollit i njeh shumë mirë dhe që nuk duhet t’i kalojë asnjëherë”. Më pas Buffon ka shpjeguar edhe se cilët janë limitet që duhen respektuar. “Limiti i parë që nuk duhet kaluar është të mos ulet futbolli në nivelin e diskutimeve që zakonisht bëhen në kafene. Më ka zhgënjyer me këto deklarata”. Dhe sipas portierit të kombëtares italiane deklaratat e bëra nga Mourinho para pak ditësh kanë qenë të këtij niveli. “Kanë qenë akuza të forta. Nëse një drejtues ose një klub ka ankesa për diçka ka të drejtë t’i shprehë ato, por që kjo gjë të bëhet nga një trajner apo nga një futbollist mua më bezdis, pasi ne jemi njerëz të futbollit”. Limiti tjetër. “Mungesa e respektit. Edhe pse në rastin e Mourinhos nuk e di nëse ka qenë një mungesë respekti ndaj atyre që ka sulmuar ose ngaqë ka humbur sensin e realitetit”. Pra, dy vjet pas “Calciopolit” janë rikthyer akuzat për një Juventus që favorizohet nga arbitrat. “Ky ka qenë qëllimi i trajnerit të Interit, - ka vazhduar Buffon, e ka nënkuptuar këtë. Do të më kishte pëlqyer që gjatë konferencës për shtyp dikush të ishte çuar në këmbë dhe t’i kishte thënë: ç’janë këto marrëzi?”. Diferenca qëndron tek fakti se disa vite më parë të gjithë do të kishin mbështetur portugezin në akuzat kundër Juves, ndërsa sot e mbështesin vetëm tifozët e Interit. “Kjo varet edhe nga njerëzit që janë objekt i akuzave. Në atë kohë kishte persona shumë të aftë, të vlerësuar nga bota e futbollit dhe më me peshë. Nga ana praktike kjo na krijonte shumë armiq”. Me pak fjalë drejtuesit e tanishëm të bardhezinjve nuk frikësojnë asnjeri. “Po punohet mirë, ka thënë Buffon, falë tyre ne jemi ringjitur dhe po përmirësohemi nga viti në vit. Por janë fytyra të ndryshme”. Në fund vjen një koment mbi korrektësinë dhe dinakërinë e Mourinhos. “Unë vazhdoj ta respektoj atë, por nëse qëndrimi i mbajtur nga ai para disa ditësh do të përsëritet atëherë unë do të ndryshoj gjykimin tim, sepse ka dy lloje njerëzish që nuk i duroj dot: idiotët dhe ata që janë shumë dinakë. Sigurisht Mourinhon nuk do ta përfshija tek kategoria e parë”, ka thënë portieri i Juventusit.

Rosina: Torino është në formë

Lojtari më i rëndësishëm i Torinos, Alessandro Rosina, ka dashur t’i japë një paralajmërim Juventusit para derbit: “Ndeshja kundër bardhezinjve vjen në momentin më të mirë të Torinos, - ka thënë ai. - Ngritja në klasifikim dhe loja e mirë tregojnë se tani Torino është kthyer. Për të fituar duhet të luajmë më mirë se Juventusi. Derbi mbetet një ndeshje jonormale, ku të dyja skuadrat janë të barabarta”. Rosina ka folur si lider, edhe pse nuk e ka të sigurt aktivizimin nga minuta e parë: “E di që tifozët presin më shumë nga unë, dhe po punoj për t’i kënaqur ata. E rëndësishme është që skuadra të arrijë rezultatin”, ka thënë sulmuesi.

Ranieri “zbutet para derbit dhe Chelseat

Trajneri bardhezi ka vendosur të mos polemizojë më me portugezin: Ndaj Torinos, çdo rezultat i mundshëm

Claudio Ranieri ka zgjedhur rrugën e heshtjes. Dhe provon t’i vërë kapak, nga ana e tij, polemikave të shkaktuara nga deklaratat bombë të Mourinhos. “Gjithçka që kam thënë ka qenë e drejtë, ka treguar trajneri bardhezi. Për pjesën tjetër nuk dua të them më asgjë. Nuk mund të them të gjitha ato që mendoj. Eshtë një çështje që ka të bëjë me vetëpërmbajtjen. Do të autoçensurohem”. Më pas trajneri ka vazhduar duke thënë: “Do të rithoja edhe një herë gjithçka kam thënë gjatë kësaj jave, edhe pse për fat të keq nuk kam mundur të them gjithçka kam dashur. Kjo është vetëpërmbajtje”. Pra, Claudio Ranieri nuk është i penduar për asgjë, përveç se nuk ka thënë të gjitha ato që mendonte në lidhje me polemikat e kësaj jave dhe me konferencën për shtyp të bërë nga Mourinho të martën e kaluar. Megjithatë, trajneri bardhezi, i ka lëshuar disa thumbime portugezit të Interit, kur ka shpjeguar se “jam gjithmonë i kënaqur kur i kam të gjithë lojtarët në dispozicion dhe të luftoj në çdo ndeshje deri në fund pavarësisht se cilët janë lojtarët që futen në fushë”. Por Ranieri ka “gjëra të tjera për të cilat duhet menduar, duhet të mendojmë vetëm për ndeshjet edhe nuk duhet të flasim më për këto polemika”. Edhe pse përballjet e radhës janë vendimtare, sot Torino, të martën Chelsea në Champions. “Eshtë një javë e bukur, interesante dhe me shumë evenimente, duhet t’i marrim ndeshjet me radhë. Në fillim është derbi, e dimë se sa është i rëndësishëm dhe jemi gati. Polemikat nuk kanë ndikuar aspak, fakti se këto ndeshje janë të gjitha të rëndësishme dhe shumë afër njëra-tjetrës mund të ndikojë. Por një skuadër duhet të jetë gati për të kaluar situata të tilla. Sigurisht do të më kishte pëlqyer të përballeshim me këto sfida me një përgatitje më të mirë atletike dhe fizike, por adrenalina që të jep një derbi dhe që do të na japë edhe ndeshja tjetër do të bëjë që të ndihemi mirë”. Pikërisht, Derbi. Një fjalë që ka gjithmonë të njëjtin kuptim pavarësisht nga pozicioni në renditje, nga vlerat e lojtarëve që janë në fushë: “Do të ndeshemi me një Torino të karikuar, agresive dhe kompakte, - ka shpjeguar Ranieri. Pastaj këtu pozicioni në renditje nuk ka asnjë rëndësi, ashtu siç ndodh në të gjitha ndeshjet derbi. Në këto 90 minuta gjithçka zerohet dhe skuadrat kanë të njëjtat mundësi për të fituar”.

Italia, shtohen “axurrët” anti-Amauri

Jo të gjithë bëjnë tifo për ta parë juventinin me fanellën e kombëtares. I pari ishte Gattuso

Amauri duhet të jetë zhvillimi tekniko-taktik për Italinë: qendërsulmues apo sulmues i dytë, ideale për të luajtur në krah të Luca Tonit (ose Gilardinos), “sakrifikuesi” elastik mes sulmit e mesfushës. Por Italia a e kërkon Amaurin? Jo e gjitha në të vërtet, pavarësisht nga frazat rrethanore. Dhe mund të jetë një problem “i vogël e i madh” për Lippin. E filloi Gattuso para pak ditësh, një nga udhëheqësit e Italisë. Por jo të gjithë kanë të njëjtin ndikim dhe gjëra të tilla nuk i thonë publikisht. Megjithatë në grup flitet për Amaurin. Mes sulmuesve për shembull. Nëse Gila rrezikon të humbasë një vend në “renditje”, Iaquinta e Di Natale druhen se mund të dalin. Për të mos thënë që Del Piero është akoma në dyshim. Buffoni (por është juventin), ka dalë në krah të brazilianit. Lippi është shumë i ndjeshëm ndaj grupit: pa këtë marrëdhënie të fortë, nuk do ta kishte fituar botërorin. Në të vërtet, “senatorët” kanë “nxjerrë jashtë” edhe Cassanon me Tottin. Po tani? Sigurisht situata nuk është drejtuar mirë: as nga Amauri (çfarë do të thotë nëse Dunga do ta grumbullojë në mars?), as nga Federata Italiane e Futbollit. Në realitet, e vetmja “jo” ndaj italianizimit të Amaurit është etike: a është e drejtë që një brazilian të bëhet italian vetëm pse gruaja e tij jeton prej kohësh në këtë vend? Përgjigja ndoshta të frikëson, por nëse këto janë rregullat, si ka mundësi që Lippi të lërë në hije një lojtar-kyç për kombëtaren e tij, që ndër të tjera ka nevojë për një rifreskim për të mos përsëritur gabimin e Berzzottit të borxhit të mirënjohjes pas suksesit në “Spanjë ‘82″? Ndërkohë Lippi po shkruan emra në bllokun e shënimeve. Kundër Malit të Zi dhe Irlandës së Trapattonit, do të mungojnë Gattuso, Camoranesi e Perrotta: nën vëzhgim special janë “zëvendësat” e tyre natyralë në klube, Marchionni, Brighi, të ardhur nga një sezon i shkëlqyer. Është akoma shpejt të flitet për Pazzinin, por nëse vazhdon kështu, fati i tij është i shënuar. Dhe trajnerit “axurr” nuk i ka shpëtuar as përmirësimi i Marchisios, që në qershor do të jetë me kombëtaren e Casiraghit, por tani mund të thirret të ndjejë aromën “axurre”. E meriton.

e enjte, 5 mars 2009

Blanc komenton rastin "Mou"

Duke parë perimetrin e gjerë që polemika “Mourinho” ka prekur, nuk kishte sesi të mungonte një tjetër deklaratë e Juventusit. “Me anë të komunikatës sonë për shtyp – deklaron administratori i deleguar, Jean-Claude Blanc, kemi shprehur opinion tonë, por nuk duam ta zgjasim më. Gjithsesi, një reagim nga ana e Federatës e presim. Sot flitet shumë për sigurinë në stadiume e gjëra të këtij lloji, por si mund t’i pretendojmë këto gjëra, kur konferencat për shtyp të trajnerëve kryen me tone të ashpra dhe akuza absurde kundrejt rivalëve. Nëse kërkojmë një sport të pastër, sinqeriteti i tij duhet të pasqyrohet në deklaratat e trajnerëve e më pas në fushë e jashtë saj”.

Ranieri për Mourinhon: Kështu është stili i Interit

Tekniku i Juventusit, Claudio Ranieri, i cilëson si tepër normale akuzat e Jose Mourinhos, pasi, sipas Ranierit, këto akuza janë në stilin e Interit. Mourinho i është drejtuar të gjithë aktorëve në Serinë A, duke i quajtur ata “prostituta intelektuale”. Por, Ranieri në anën tjetër nuk i përfill fare deklaratat e trajnerit portugez. “Nuk më bezdisin fare deklaratat e Mourinhos, deklaron trajneri i Juventusit, Ranieri. Është diçka personale, dhe kur të takohem me të do të sqarojmë ato që kemi dashur të themi. Unë dua të them se deklaratat e Mourinhos janë në stilin e Interit ”.

Edhe Moggi “qëllon” ndaj zikaltërve


Luciano Moggi, ish-drejtori i përgjithshëm i Juventusit, ka ndërhyrë në mënyrë telefonike në radion e mirënjohur italiane, “Kiss Kiss”, pas deklaratës shumë të përfolur të Jose Mourinhos: “Ajo që po ndodh aktualisht tregon se ajo çfarë ka bërë Juventusi nuk ishte asgjë e veçantë. Janë gjyqtarët që bëjnë gabime të tilla, pse jo në mënyrë spontane. I besoj fjalëve të De Rossit kur theksoi se vitin e kaluar verdhekuqve i rrëmbyen titullin dhe që prej disa vitesh është e pamundur të shkosh në “San Siro” të fitosh kundër Interit. Zikaltërve nuk u jepet kundra një penallti prej një viti? Mbase kjo do të thotë se skuadra është shumë e balancuar në fushë dhe di të mbrohet shkëlqyeshëm. Lojtarët e Mourinhos janë aq të edukuar, saqë nuk shkaktojnë asnjë faull ndaj kundërshtarëve, shprehet në mënyrë ironike Moggi. Le ta shohim realitetin në sy dhe të pranojmë se gjëra si këto, pra gabime arbitrare e të tjera, ekzistojnë qëkur ka lindur futbolli. Ishte një moment në të cilin duhej të ‘vrisnin’ dominimin e Juventusit, sepse avokati Agnelli, forca e këtij klubi, kishte vdekur, dhe drejtuesit e rinj ishin të pafuqishëm t’u kundërpërgjigjeshin. Tani që bardhezinjtë kanë mbetur vetëm, duhet të përpiqen të ndërtojnë sa më shpejt atë skuadër që funksiononte shkëlqyeshëm, por kampionati tregon se nuk ka më asnjë dëfrim. Interi u shndërrua në skuadrën më të fortë dhe sigurisht që do ta fitojë edhe këtë vit titullin, por nga viti tjetër, jam i bindur se me rikthimin e Milanit dhe Juventusit, Interi do ta ketë më të vështirë”, përfundon Luciano Moggi.

Juventusi, Roma dhe federata reagojnë


Deklaratat e rënda të bëra pasditen e djeshme nga trajneri i Interit, Jose Mourinho, në të cilat sulmon median italiane, klubin e Romës dhe Juventusin nuk kanë kaluar pa u vënë re. Madje edhe kundërpërgjigjet nga ana e dy shoqërive në fjalë dhe Federatës Italiane të Futbollit nuk kanë munguar. Juventusi – “Pasi kemi lexuar me shumë vëmendje deklaratat e rënda të bëra nga trajneri i Interit, klubi i Juventusit ndihet i habitur nga fjalët e tij dhe fton drejtuesit zikaltër të mos mbrojnë veprimin e portugezit. Me deklaratat e tij, theksohet në kundërpërgjigjen e klubit juventin, – trajneri nuk ka treguar respekt jo vetëm ndaj Juventusit, por edhe ndaj 14 milionë tifozëve tanë në Itali. Më shumë se për t’iu kundërpërgjigjur këtyre deklaratave absurde dhe të turpshme të ngritura nga tekniku i Interit, përfaqësuesit e klubit tonë kanë për detyrë të tregojnë edukatën dhe ndjenjën e përgjegjësisë, përpara, gjatë dhe pas ndeshjeve, për të mbrojtur evolucionin e futbollit italian dhe imazhit të tij në botë”, përfundon letra e klubit torinez. Ndërkohë, edhe reagimi i federatës nuk ka vonuar: “Tonet e përdorura nga trajneri i Interit nuk e ndihmojnë aspak marrëdhënien tonë me klubet. Fjalët e tij nuk kanë aspak lidhje me botën e futbollit. Duke qëndruar në këtë temë, deklarata e tij tashmë po vlerësohet me vëmendje nga organet tona të drejtësisë sportive, të cilat pasi të kenë vlerësuar përbërjen e thënieve të Mourinhos mund edhe ta ndëshkojë teknikun portugez”. Interi replikon – “Pasi kemi lexuar me vëmendje deklaratën zyrtare të Juventusit, nënvizojmë se Jose Mourinho i është përgjigjur në mënyrë të qartë një sulmi të njëjtë të bërë ndaj skuadrës sonë. Trajneri ynë ka shprehur idetë e tij, pa dashakeqësi, por me sinqeritet, sipas stilit të vet që vlerësohet mjaft nga shoqëria civile”. Nervozizmi i Romës – “Mourinho predikon mirë, por vepron shumë gabim. Ftojmë trajnerin e Interit të tregohet më i qetë dhe të mendojë më shumë për punën e tij, sesa të humbasë kohë me fjalë të kota, - thotë Bruno Conti, drejtori teknik i skuadrës së Romës, i cili vazhdon t’i përgjigjet deklaratës së Mourinhos. – Fillimisht e kisha vlerësuar pozitivisht portugezin, për mënyrën sesi kishte menaxhuar Balotellin deri në sfidën me ndeshjen tonë. Por në takimin e së dielës kam ndryshuar plotësisht mendim. Në vend të tij unë do kisha zëvendësuar sulmuesin. Dua t’ju kujtoj se në ndeshjen Roma-Messina, të kampionatit 2005-2006, Daniele De Rossi shënoi një gol me dorë dhe e pranoi personalisht këtë parregullsi. Janë pikërisht këta shembujt që lojtarët e rinj duhet të japin, të paktën kjo është filozofia që klubi i Romës u transmeton lojtarëve të tyre. Për këtë arsye, Mourinho duhet të fillojë t’i mësojë Balotellit mënyrën se si të sillet në fushën e lojës, - thekson Conti, që më pas del në mbrojtje të Spallettit. – Nëse Luciano është një mik i të gjithëve, atëherë një arsye do të ketë, dhe nuk mendoj aspak se për ndonjë intervistë të dhënë prej tij ka marrë ndonjëherë ndonjë çek. Mourinho bën mirë t’i dëgjojë më shumë intervistat e Spallettit e të mësojë prej tij. Mendoj gjithashtu se pavarësisht se zikaltrit kryesojnë Serinë A, ata kanë më tepër probleme se ne. Ne nuk do të fitojmë asnjë titull? Dua t’i rikujtoj se në ‘San Siro’ për Superkupën e Italisë kemi luajtur 90 minuta, e kemi humbur vetëm nga pika e penalltive. Në Kupën e Italisë pastaj na u mohua një 11-metërsh ndaj Vucinic dhe goli i tyre që të gjithë e kujtojnë duhej anuluar. Mourinho flet në një mënyrë që të transmetojë disa gjëra, të cilat më pas nuk i vë kurrë personalisht në praktikë”, mbyllet kundërpërgjigja e Romës.

e mërkurë, 4 mars 2009

Rossi i kënaqur me fitoren ndaj Juventusit

Trajneri i Lazios, Delio Rossi, është ndarë më se i kënaqur nga fitorja 2-1 ndaj Juventusit në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Italisë. “Filluam ca më të qetë dhe pranuan një gol të hershëm, dhe një tronditje. Pastaj u rikthyem në pjesën e dytë dhe mendoj se rezultati ishte ajo që ne merituam”, ka thënë Rossi. “Ne u dëshmuam, kishim posedimin më të madh dhe ishim më ngulmues. Jemi një ekip shumë teknik dhe nuk synojmë të luajmë me topa të gjatë, andaj duhet ta luajmë topin rreth e rrotull me qëllim që të ndërtojmë sulmin. Edhe nëse kishim humbur ose barazuar, do të kërkonim fitore në ndeshjen e dytë”, ka shtuar italiani.

David Silva, favorit si pasardhës i Nedvedit

Diego, Ribery, apo David Silva? Cili do të jetë pasardhësi i “skeptrit” të Pavel Nedvedit? Asi 36-vjeçar çek ka vendosur të mbyllë karrierën e tij të shkëlqyer në fund të këtij sezoni, kështu që për merkaton e ardhshme verore, Juves i duhet një zëvendësues në lartësinë e duhur, për të mbetur në nivele të lartë, si në Itali, edhe në arenën evropiane. Treshja e kandidatëve që në javët e fundit po qëndron në plan të parë stimulon jo pak tifon bardhezi. Ndonëse Claudio Ranieri duket se ka një preferencë të vetën, që do të bëjë gjithçka për ta konkretizuar: “David Silva është shumë i fortë, më pëlqen shumë, ka zbuluar tekniku juventin. I njoh shumë mirë cilësitë e tij që kur drejtoja Valencian dhe ai luante ende me të rinjtë. Që në atë kohë nuhatja talentin e tij të madh. Është një lojtar i shkëlqyer”. Strategjia e klubit torinez është e qartë dhe nuk lë vend për keqkuptime. “Një tjetër Nedved nuk ekziston. Pak a shumë të njëjtën gjë këshillova edhe kur isha në Napoli, gjatë vitit të parë post- Maradona. U thashë drejtuesve të mos blinin një numër 10 për të zëvendësuar Diegon, sepse s’do të gjenin një të tillë. Do të duhet të gjejmë një kampion që të përshtatet sa më shumë të jetë e mundur me mekanizmat tanë, ka shpjeguar Ranieri. Nëse do të jetë e nevojshme, edhe mund të ndryshojmë modul”. Këtu vjen edhe hapja e shtigjeve për Diegon, me trajnerin bardhezi, që për yllin e Werderit preferon të shprehet më i rezervuar, nga sa ndodh me Silvën: “Është një futbollist i madh. Në të dyja sfidat e Kupës UEFA ndaj Milanit më la vërtet një përshtypje të shkëlqyer”. Në fund nuk mund të mungonte një batutë për Riberynë, këtë herë me ton më ironik në krahasim me fjalët e thëna për dy kandidatët e parë, duke lënë të kuptohet se fantazisti francez do ta ketë të vështirë të lëvizë nga Bayerni. “Ribery? Jam pro ardhjes së tij – ka thënë Ranieri, duke buzëqeshur. Ashtu si edhe për Kaka'n e Paton...”. Hapësirë në fjalët e Ranierit ka edhe për kampionatin dhe për ndjekjen e Interit të Mourinhos, me të cilin tekniku juventin kishte bërë polemika gjatë verës: “Me Josenë pata batuta atëherë, por tani është e pamohueshme që po bën një punë shumë të mirë në krye të zikaltërve...”. Po Juve, a mund t’i rrezikojë zikaltrit për fitimin e titullit: “Të tregohemi të ndershëm, ata kanë shpenzuar gjatë viteve të kaluara, për të arritur aty ku janë tani. Ne, megjithatë, duam të përmirësojmë rezultatin e vjetshëm. Luftojmë e vuajmë, duke qenë në garë. Për fazën e fundit synojmë të rikuperojmë të gjithë kampionët e dëmtuar”.

Gigli: Interi i penalizuar? Asnjëher nuk ka ndodhur!

Pelemikave të fundit, për rastin e Balotellit në ndeshjen Inter-Roma, i është bashkuar edhe Cobolli Gigli. Pretendimin e interistëve se ishte 11-metërsh, presidenti i Juventusit e hedh poshtë kategorikisht. “Është e qartë se Interi nuk është prej skuadrave të penalizuara. Këtë gjë e konfirmon vetë historia, pasi ky Inter nuk ka provuar një penallti kundra që prej më shumë se një viti”, deklaron Gigli. Megjithatë, rastet e fundit presidenti i “Zonjës së Vjetër” nuk i cilëson si favore, por, si gabime. Lidhur me rastin e Balotellit, Cobolli Gigli shprehet: “Nuk ishte penallti, por në ndeshjet direkte gjyqtarët nuk janë gjithmonë të saktë. Në anën tjetër duhet kuptuar edhe pretendimi i skuadrës së Romës”. Gigli konfirmon edhe një herë objektivat e skuadrës së Juventusit, të cilat janë: fitimi i Ligës së Kampioneve, kampionatit dhe Kupës së Italisë. Sipas tij, Interi është goxha përpara, por asgjë nuk është e përfunduar.

Ku ka humbur Del Piero? Po përgatit “finalen”

Numrat dhe turfullimat janë të vlefshme, për të kuptuar momentin e Del Pieros. Kështu, statistikat thonë se kur mungojnë ende tre muaj nga fundi i sezonit, ai ka akumuluar 81% të minutazhit total që ka luajtur në sezonin e kaluar (2472 kundrejt 3031). Ndërsa, përsa i takon gjendjes shpirtërore, duket se nuk e duron situatën që po përjeton aktualisht. Rezultati i kësaj mini-analize është se kjo aktualja s’përbën periudhën më të mirë të sezonit për Aleks, por as mund të renditet si një moment i shëmtuar. Mbi të gjitha, mund të jetë një farë “parapërgatitjeje” për finalen e madhe të sezonit. Faktori “L” – Nëse lodhja është një faktor që ndikon dhe heq diçka nga shkëlqimi i kapitenit, faktikisht Del Piero nuk ka ndonjë problem fizik, as nuk vuan ndonjë rënie e veçantë atletike. Parametrat me të cilët përgatitësi i tij e mban nën kontroll janë të gjithë në normë. Prandaj, kapiteni bardhezi mund të mbyllë sezonin edhe në rritje. E motivet nuk i mungojnë: duke nisur nga ndeshja e mbrëmjes së sotme që mund t’i vlejë finalen e Kupës së Italisë, për të përfunduar te sfida e kthimit me Chelsean, ndeshje që deri tani është më e rëndësishmja e sezonit. Faktori “Z” – Përtej perspektivës, çfarë qëndron vërtet prapa kësaj “humbjeje” të kapitenit? Ndoshta do të ishte më mirë të thuhej se çfarë nuk qëndron. Për shembull nuk ka nga prapa një mesfushor, në gjendje për të vertikalizuar lojën dhe të mbajë më tepër të lidhur mesfushën me sulmin. Këtë mund ta bëjë Tiago, kur është në formë të mirë dhe kur s’mjaftohet vetëm me veprimet para mbrojtjes. Por do ta bënte shumë më mirë Cristiano Zanetti, determinant gjatë sezonit të kaluar në suksesin e Del Pieros si kryegolshënues, ndërsa këtë vit, i mbetur gjithmonë në bokse.

e martë, 3 mars 2009

Kupa e Italisë: Lazio mposht Juventusin


Lazio është rikthyer nga disavantazhi 1-0 për të fituar në fund me rezultat 2-1 në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Italisë përballë Juventusit. Ekipi i Claudio Ranierit, i cili pushoi disa prej lojtarëve kryesor, kaloi i pari në epërsi me anë të golit të shënuar nga mesfushori Marco Marchionni, pas 34 minutash lojë, me të cilin rezultat edhe përfundoi pjesa e parë. Goli i barazimit për Lazion erdhi në minutën e 64-të të ndeshjes, kur Goran Pandev më në fund theu rezistencën e portierit Manninger. Austriaku largoi një goditje të Lichsteiner, por nuk arriti të mbrojë edhe gjuajtjen tjetër të maqedonasit. Portieri i Juves u thye edhe një herë 12 minuta para fundit të ndeshjes, kur kapiteni i Lazios Tomasso Rocchi shënoi nga afërsia, për t’i sjellë ekipit romak fitoren. Ndeshja tjetër gjysmëfinale e Kupës së Italisë do të zhvillohet nesër, ku Sampdoria do të presë në fushë të vet kampionin e Italisë, Interin.

Të dhëna rreth ndeshjes: LAZIO-JUVENTUS 2-1 (0-1).

Golashënues: 34’ Marchionni, 65’ Pandev, 78’ Rocchi.
Lazio: Muslera; Lichsteiner (79’ De Silvestri), Siviglia, Cribari; Kolarov; Manfredini (53’ Mauri), Ledesma, Matuzalem, Foggia (85’ Bricchi); Rocchi, Pandev. Në dispozicion: Carrizo, Rozenhal, Radu, Inzaghi. Trajner Rossi.
JUVENTUS: Manninger; Grygera, Mellberg, Chiellini, Molinaro; Marchionni, Sissoko (59’ Marchisio), Tiago (69’ Poulsen), Nedved; Iaquinta, Amauri (79’ Trezeguet). Në dispozicion: Chimenti, Ariaudo, Salihamidzic, Giovinco. Trajner Ranieri.
Gjyqtar kryesor: Tagliavento nga Terni.
Kartona të verdhë: 14’ Matuzalem, 16’ Iaquinta, 32’ Grygera, 38’ Sissoko, 70’ Chiellini, 77’ Marchisio, 78’ Rocchi.

Video nga ndeshja

Babai i Diegos: Im bir dëshiron Juvenusin

Babai i Diegos së Werder Bremenit e ka shtyrë të birin të shkojë te Juventusi në përfundim të këtij sezoni. “Ai dëshiron të luajë me Juventusin. Me këtë skuadër do të konkurronte madje edhe për “Topin e Artë”. Më vjen shumë mirë për mbështetjen që ka nga tifozët e Juventusit. Do të isha shumë i lumtur nëse do të arrihet marrëveshja. Mesazhet e tifozëve të Juventusit e kanë prekur shumë tim bir. Sepse ëndërron një klub që lufton për trofe europiane”, - është shprehur Djair da Cunha, babai i Diegos. Gjithashtu Djair flet edhe për çmimin e Diegos: “10, 20, 30 milionë, këtë duhet ta vendosë Allofs, drejtori i pergjithshëm”. Mirëpo në gjurmët e Diegos nuk është vetëm Juventusi. “Diegos do t’i pëlqente të luante edhe në Spanjë ose Angli. Janë shumë klube që e kërkojnë.” E ardhmja e Diegos do të mësohet pas 15 majit.

Fitoret në kampionat do të na japin forcë”

“Besojmë se kampionati do të jetë i hapur deri në ndeshjen e fundit...”. Claudio Ranieri dhe Juventusi kanë ende mundësi të vazhdojnë betejën për titullin, e cila sipas tyre do të përfundojë vetëm në sfidën e fundit: “Edhe unë dëshiroj që kampionati të jetë i ekuilibruar dhe ne jemi shumë të lumtur pas fitores së të shtunës, duke pasur parasysh edhe humbjen e sfidës në Ligën e Kampionëve. Djemtë e mi – ka vazhduar Ranieri – kanë zhvilluar një pjesë të parë shumë të mirë kundër Napolit, por më pas ata kanë lënë pas nervozizmin e fillimit dhe nuk na linin hapësira. Goli i Marchisios në fund të pjesë së parë ka qenë vendimtar, sepse mbi të ne ndërtuam fitoren”. Giovinco dhe Legrottaglie – “Në këtë sezon ai ka qenë i kudondodhur në fushë, por duke mos pasur Nedved, më është dukur e arsyeshme t’i lija atij më shumë hapësirë”. Ranieri ka bërë një koment paraprak edhe për dëmtimin e Legrottaglies. “Uroj që të mos ketë ndonjë gjë serioze, sepse kemi pasur shumë të dëmtuar”. Liga e Kampionëve – Pas shtatë ditësh Juventusi do të përballet sërish me Chelsean në ndeshjen e kthimit të vlefshme për Ligën e Kampionëve: “Pavarësisht se humbëm, ne do të japim maksimumin, sepse duhet të dalim nga fusha e lojës të lodhur, por me kokën lart. Vetëm kështu mund të pranojmë çfarëdolloj rezultati”.

e hënë, 2 mars 2009

Gati 13.5 milionë stërlina për Maluda


Juventusi kërkon me çdo kusht afrimin e Florent Malouda për sezonin e ardhshëm. Ndërkohë, edhe francezi i Chelseat, që shihet si pasardhësi ideal i Pavel Nedved, nuk e ka fshehur dëshirën për të veshur fanellën bardhezi. Sipas gazetës britanike, “Various”, drejtuesit e “Zonjës së Vjetër” kanë ofruar 13,5 milionë stërlina për 28-vjeçarin. Për momentin gjithçka mbetet në kuadrin e zërave të merkatos, por një plus tjetër për afrimin e mesfushorit është edhe fakti se ai pëlqehet nga trajneri Ranieri. Malouda ka karakteristika interesante për lojën e Juventusit, por klubi ka hartuar edhe një listë me alternativa të tjera. Në “pole position” qëndron gjithmonë David Silva i Valencias, edhe pse mesfushor i talentuar kushton shtrenjtë. Dy lojtarë që simpatizohen janë edhe Ribery e Diego, gjithsesi konkurrenca për shërbimet e tyre është mjaft e fortë.

Ranieri: Titulli? Gjithçka është e hapur

Trajneri bardhezi beson akoma tek titulli kampion, pas fitores së arritur kundër Napolit

Një fazë më vonë gjithçka rikthehet në vendin e duhur. Napoli i “San Paolo”-s, që kishte shkatërruar bardhezinjtë është kthyer në një skuadër normale, madje, në krizë të plotë, ndërsa Juvja vazhdon të ndjekë Interin në luftën për titullin kampion. Nuk është e lehtë për Buffonin me shokë të harronin ndeshjen e luajtur kundër Chelseat, të injorojë takimin e së martës në Kupën e Italisë kundër Lazios dhe të përqendrohej në një ndeshje të nevojshme për të përforcuar vendin e dytë në renditje. Duhej të ishte ndeshja ku do të vinte reagimi i Napolit, por vjen fitorja e radhës për Juven e Ranierit.

PROVAT PER CHAMPIONSIN - “Interi? Nesë iu pëlqen mund të themi se jemi akoma në garë për kampionatin dhe se asgjë nuk është mbyllur akoma. Kundër Napolit ishte e rëndësishme të fitonim për të rigjetur përqendrimin dhe vendosmërinë. Zhvilluam një pjesë të parë shumë të mirë, - ka thënë Ranieri -, më pas napoletanët kanë dalë në lojën e tyre. Buffon ka luajtur shumë mirë në pjesën e dytë. Ata kanë mbyllur hapësirat dhe janë përpjekur të na godasin me anë të kundërsulmeve, ndërsa ne jemi munduar ta kontrollojmë reagimin e tyre, por nuk ka qenë një punë e lehtë. Ka qenë shumë i rëndësishëm goli i Marchisios. Zëvendësimi i Del Pieros? Po acarohej me vendimet e arbitrit dhe kisha frikë se mos ndëshkohej”. Edhe lojtarët e përdorur në rotacion janë përgjigjur në mënyrën e duhur. Marchisio ka shënuar golin e tij të dytë në këtë sezon, edhe një herë tjetër vendimtar, Trezeguet i është afruar shumë golit, Poulsen në mesfushë ka bërë që të mos ndihet mungesa e Tiagos. “I duhen bërë komplimentat lojtarëve, të cilët kanë zëvendësuar për një kohë të gjatë kampionët për shkak të dëmtimeve, nga Marchionni tek Marchisio, nga De Ceglie tek Molinaro. Marchisio dhe Poulsen kanë bërë një punë të mirë në mesfushë”, ka thënë tekniku bardhezi. Por që tani në mendjen e juventinëve ndodhet ndeshja e kthimit me londinezët. “Chelsea është një skuadër e madhe, një nga favoritet për të fituar këtë kompeticion. Ne jemi të vetëdijshëm që do të jetë një përballje e vështirë, kemi humbur 1-0 në Londër, do të na duhet të japim maksimumin dhe të dalim nga fusha me kokën lart. Të fitojë më i miri? Shpresojmë që jo”.

PROBLEMET ME GJURIN - Ndërkohë, infermieria e bardhezinjve duhet të përballet me dëmtimin e radhës të Legrottaglies, i cili ka dalë nga fusha pas një përplasjeje me Buffonin, ku ka dëmtuar kurrizin dhe gjurin. Mbrojtësi puljez, që është i skualifikuar për derbin e së shtunës së ardhshme, do të ketë në dispozicion rreth dhjetë ditë për të rekuperuar në kohë për sfidën e kthimit me londinezët e Chelseat. “Mendoj se rezultati ka qenë i drejtë, edhe pse Napoli ka treguar diçka më shumë në pjesën e dytë”, ka qenë komenti i presidentit të Juventusit, Giovanni Cobolli Gigli. “Duhet të përpiqemi të bëjmë sa më shumë pikë të jetë e mundur, pasi ndihmojnë për moralin dhe për klasifikimin pozitiv edhe në Champions kundër Chelseat”, ka deklaruar presidenti bardhezi.

Chiellini: I kërkoj falje tifozëve të Napolit

Giorgio Chiellini u ka kërkuar falje tifozëve të Napolit pas gjestit të bërë në fund të ndeshjes: “Kam qenë pak i nervozuar, - ka shpjeguar mbrojtësi juventin. - Gjesti? Ka qenë një fund takimi i ndezur, ka pasur debate me kundërshtarët dhe me arbitrin, unë kam gabuar dhe i kërkoj falje tifozëve të Napolit, atyre të Juves dhe gjyqtarit të ndeshjes. Më kanë bezdisur fishkëllimat, por nuk doja të ofendoja asnjeri”. Më pas Chiellini ka vazhduar: “I kisha vënë qëllim vetes që të limitoja disa reagime të miat, por të shtunën e kam ekzagjeruar. Po e kontrolloj shumë veten gjatë këtij viti, por ajo kundër Napolit ka qenë një ndeshje shumë e vështirë, kemi vuajtur shumë, dhe ka pasur ndërhyrje shumë të forta. Gjithsesi, kjo fitore na duhet për t’u paraqitur me moralin lart në ndeshjen e Kupës së Italisë, që për ne është një objektiv i rëndësishëm, për derbin me Torinon dhe në fund për Chelsean”, ka thënë mbrojtësi juventin.

Marchisio, mesfushori me “vesin” e golit

Lojtari bardhezi ka qenë sërish vendimtar për ekipin e tij në kampionat, duke i dhuruar fitoren

Ka qenë sërish ai njeriu i ndeshjes, edhe kundër Napolit. Ka goditur dhe topi, pasi është devijuar nga Blasi, ka përfunduar në rrjetë. Kjo është mënyra se si shënojnë mesfushorët. Kishte ndodhur më parë në natën e 21 janarit, Juventus-Fiorentina 1-0, pasim i Del Pieros, gol i Marchisios. Pas këtij momenti ai është cilësuar “Tardelli i ri”, dhe pas golit vendimtar të shënuar të shtunën në mbrëmje, nuk kanë ardhur përshëndetjet e zakonshme. Nuk kanë ardhur komplimentat që i bëhen zakonisht një lojtari 23-vjeçar, fjalët që i thuhen të rinjve që përpiqen të konfirmohen. Marchisio ka kohë që është konfirmuar. Ai nuk do ta pranojë kurrë këtë, jo tani. Por shokët e ekipit e dinë tashmë. Ndoshta edhe Marcello Lippi. Ka shumë mundësi që mesfushori juventin të jetë pjesë e kombëtares së Italisë në Botërorin e Afrikës së Jugut. Ndërkohë, ka bërë punën e tij, një tjetër gol, një tjetër goditje që vlen tri pikët. Ka qenë nata e Marchisios, i cili në fund të ndeshjes ka thënë: “Jam shumë i lumtur për golin, ishte shumë e rëndësishme të fitonim, duhet të vazhdojmë në këtë rrugë. Diferenca është e madhe, por edhe Interi në këtë periudhë ka shumë ndeshje për të zhvilluar. Mendoj se nuk është mbyllur akoma asgjë dhe duam të luftojmë deri në fund”. Një gol dhe disa shqelma, sepse kjo është në thelb jeta e mesfushorit. Marchisio shpjegon: “Në fund kam bërë një ndërhyrje të keqe ndaj Lavezzit, por kisha një muaj që nuk luaja si titullar me ekipin dhe lodhja është ndier. Sidomos në pjesën e dytë, kur në mesfushë kemi mbetur tre lojtarë, unë dhe Poulsen kemi vrapuar shumë. Në minutat e fundit të takimit ka pasur pak nervozizëm në fushë, dhe arbitri ka gabuar në disa vendime”. Kapitull i mbyllur, dhe mesfushori shikon përpara: “Në fillim duhet të mendojmë për Lazion dhe pastaj për Chelsean. Juventusi ka gjithçka që nevojitet për ta kthyer rezultatin e Londrës”, ka përfunduar Marchisio.