e enjte, 5 mars 2009

Edhe Moggi “qëllon” ndaj zikaltërve


Luciano Moggi, ish-drejtori i përgjithshëm i Juventusit, ka ndërhyrë në mënyrë telefonike në radion e mirënjohur italiane, “Kiss Kiss”, pas deklaratës shumë të përfolur të Jose Mourinhos: “Ajo që po ndodh aktualisht tregon se ajo çfarë ka bërë Juventusi nuk ishte asgjë e veçantë. Janë gjyqtarët që bëjnë gabime të tilla, pse jo në mënyrë spontane. I besoj fjalëve të De Rossit kur theksoi se vitin e kaluar verdhekuqve i rrëmbyen titullin dhe që prej disa vitesh është e pamundur të shkosh në “San Siro” të fitosh kundër Interit. Zikaltërve nuk u jepet kundra një penallti prej një viti? Mbase kjo do të thotë se skuadra është shumë e balancuar në fushë dhe di të mbrohet shkëlqyeshëm. Lojtarët e Mourinhos janë aq të edukuar, saqë nuk shkaktojnë asnjë faull ndaj kundërshtarëve, shprehet në mënyrë ironike Moggi. Le ta shohim realitetin në sy dhe të pranojmë se gjëra si këto, pra gabime arbitrare e të tjera, ekzistojnë qëkur ka lindur futbolli. Ishte një moment në të cilin duhej të ‘vrisnin’ dominimin e Juventusit, sepse avokati Agnelli, forca e këtij klubi, kishte vdekur, dhe drejtuesit e rinj ishin të pafuqishëm t’u kundërpërgjigjeshin. Tani që bardhezinjtë kanë mbetur vetëm, duhet të përpiqen të ndërtojnë sa më shpejt atë skuadër që funksiononte shkëlqyeshëm, por kampionati tregon se nuk ka më asnjë dëfrim. Interi u shndërrua në skuadrën më të fortë dhe sigurisht që do ta fitojë edhe këtë vit titullin, por nga viti tjetër, jam i bindur se me rikthimin e Milanit dhe Juventusit, Interi do ta ketë më të vështirë”, përfundon Luciano Moggi.

Nuk ka komente: