e enjte, 5 mars 2009

Juventusi, Roma dhe federata reagojnë


Deklaratat e rënda të bëra pasditen e djeshme nga trajneri i Interit, Jose Mourinho, në të cilat sulmon median italiane, klubin e Romës dhe Juventusin nuk kanë kaluar pa u vënë re. Madje edhe kundërpërgjigjet nga ana e dy shoqërive në fjalë dhe Federatës Italiane të Futbollit nuk kanë munguar. Juventusi – “Pasi kemi lexuar me shumë vëmendje deklaratat e rënda të bëra nga trajneri i Interit, klubi i Juventusit ndihet i habitur nga fjalët e tij dhe fton drejtuesit zikaltër të mos mbrojnë veprimin e portugezit. Me deklaratat e tij, theksohet në kundërpërgjigjen e klubit juventin, – trajneri nuk ka treguar respekt jo vetëm ndaj Juventusit, por edhe ndaj 14 milionë tifozëve tanë në Itali. Më shumë se për t’iu kundërpërgjigjur këtyre deklaratave absurde dhe të turpshme të ngritura nga tekniku i Interit, përfaqësuesit e klubit tonë kanë për detyrë të tregojnë edukatën dhe ndjenjën e përgjegjësisë, përpara, gjatë dhe pas ndeshjeve, për të mbrojtur evolucionin e futbollit italian dhe imazhit të tij në botë”, përfundon letra e klubit torinez. Ndërkohë, edhe reagimi i federatës nuk ka vonuar: “Tonet e përdorura nga trajneri i Interit nuk e ndihmojnë aspak marrëdhënien tonë me klubet. Fjalët e tij nuk kanë aspak lidhje me botën e futbollit. Duke qëndruar në këtë temë, deklarata e tij tashmë po vlerësohet me vëmendje nga organet tona të drejtësisë sportive, të cilat pasi të kenë vlerësuar përbërjen e thënieve të Mourinhos mund edhe ta ndëshkojë teknikun portugez”. Interi replikon – “Pasi kemi lexuar me vëmendje deklaratën zyrtare të Juventusit, nënvizojmë se Jose Mourinho i është përgjigjur në mënyrë të qartë një sulmi të njëjtë të bërë ndaj skuadrës sonë. Trajneri ynë ka shprehur idetë e tij, pa dashakeqësi, por me sinqeritet, sipas stilit të vet që vlerësohet mjaft nga shoqëria civile”. Nervozizmi i Romës – “Mourinho predikon mirë, por vepron shumë gabim. Ftojmë trajnerin e Interit të tregohet më i qetë dhe të mendojë më shumë për punën e tij, sesa të humbasë kohë me fjalë të kota, - thotë Bruno Conti, drejtori teknik i skuadrës së Romës, i cili vazhdon t’i përgjigjet deklaratës së Mourinhos. – Fillimisht e kisha vlerësuar pozitivisht portugezin, për mënyrën sesi kishte menaxhuar Balotellin deri në sfidën me ndeshjen tonë. Por në takimin e së dielës kam ndryshuar plotësisht mendim. Në vend të tij unë do kisha zëvendësuar sulmuesin. Dua t’ju kujtoj se në ndeshjen Roma-Messina, të kampionatit 2005-2006, Daniele De Rossi shënoi një gol me dorë dhe e pranoi personalisht këtë parregullsi. Janë pikërisht këta shembujt që lojtarët e rinj duhet të japin, të paktën kjo është filozofia që klubi i Romës u transmeton lojtarëve të tyre. Për këtë arsye, Mourinho duhet të fillojë t’i mësojë Balotellit mënyrën se si të sillet në fushën e lojës, - thekson Conti, që më pas del në mbrojtje të Spallettit. – Nëse Luciano është një mik i të gjithëve, atëherë një arsye do të ketë, dhe nuk mendoj aspak se për ndonjë intervistë të dhënë prej tij ka marrë ndonjëherë ndonjë çek. Mourinho bën mirë t’i dëgjojë më shumë intervistat e Spallettit e të mësojë prej tij. Mendoj gjithashtu se pavarësisht se zikaltrit kryesojnë Serinë A, ata kanë më tepër probleme se ne. Ne nuk do të fitojmë asnjë titull? Dua t’i rikujtoj se në ‘San Siro’ për Superkupën e Italisë kemi luajtur 90 minuta, e kemi humbur vetëm nga pika e penalltive. Në Kupën e Italisë pastaj na u mohua një 11-metërsh ndaj Vucinic dhe goli i tyre që të gjithë e kujtojnë duhej anuluar. Mourinho flet në një mënyrë që të transmetojë disa gjëra, të cilat më pas nuk i vë kurrë personalisht në praktikë”, mbyllet kundërpërgjigja e Romës.

Nuk ka komente: