e mërkurë, 4 mars 2009

David Silva, favorit si pasardhës i Nedvedit

Diego, Ribery, apo David Silva? Cili do të jetë pasardhësi i “skeptrit” të Pavel Nedvedit? Asi 36-vjeçar çek ka vendosur të mbyllë karrierën e tij të shkëlqyer në fund të këtij sezoni, kështu që për merkaton e ardhshme verore, Juves i duhet një zëvendësues në lartësinë e duhur, për të mbetur në nivele të lartë, si në Itali, edhe në arenën evropiane. Treshja e kandidatëve që në javët e fundit po qëndron në plan të parë stimulon jo pak tifon bardhezi. Ndonëse Claudio Ranieri duket se ka një preferencë të vetën, që do të bëjë gjithçka për ta konkretizuar: “David Silva është shumë i fortë, më pëlqen shumë, ka zbuluar tekniku juventin. I njoh shumë mirë cilësitë e tij që kur drejtoja Valencian dhe ai luante ende me të rinjtë. Që në atë kohë nuhatja talentin e tij të madh. Është një lojtar i shkëlqyer”. Strategjia e klubit torinez është e qartë dhe nuk lë vend për keqkuptime. “Një tjetër Nedved nuk ekziston. Pak a shumë të njëjtën gjë këshillova edhe kur isha në Napoli, gjatë vitit të parë post- Maradona. U thashë drejtuesve të mos blinin një numër 10 për të zëvendësuar Diegon, sepse s’do të gjenin një të tillë. Do të duhet të gjejmë një kampion që të përshtatet sa më shumë të jetë e mundur me mekanizmat tanë, ka shpjeguar Ranieri. Nëse do të jetë e nevojshme, edhe mund të ndryshojmë modul”. Këtu vjen edhe hapja e shtigjeve për Diegon, me trajnerin bardhezi, që për yllin e Werderit preferon të shprehet më i rezervuar, nga sa ndodh me Silvën: “Është një futbollist i madh. Në të dyja sfidat e Kupës UEFA ndaj Milanit më la vërtet një përshtypje të shkëlqyer”. Në fund nuk mund të mungonte një batutë për Riberynë, këtë herë me ton më ironik në krahasim me fjalët e thëna për dy kandidatët e parë, duke lënë të kuptohet se fantazisti francez do ta ketë të vështirë të lëvizë nga Bayerni. “Ribery? Jam pro ardhjes së tij – ka thënë Ranieri, duke buzëqeshur. Ashtu si edhe për Kaka'n e Paton...”. Hapësirë në fjalët e Ranierit ka edhe për kampionatin dhe për ndjekjen e Interit të Mourinhos, me të cilin tekniku juventin kishte bërë polemika gjatë verës: “Me Josenë pata batuta atëherë, por tani është e pamohueshme që po bën një punë shumë të mirë në krye të zikaltërve...”. Po Juve, a mund t’i rrezikojë zikaltrit për fitimin e titullit: “Të tregohemi të ndershëm, ata kanë shpenzuar gjatë viteve të kaluara, për të arritur aty ku janë tani. Ne, megjithatë, duam të përmirësojmë rezultatin e vjetshëm. Luftojmë e vuajmë, duke qenë në garë. Për fazën e fundit synojmë të rikuperojmë të gjithë kampionët e dëmtuar”.

Nuk ka komente: